REPORTAZH/Prushi i pushuar i zjarrit në Athinë, çfarë ndodh disa ditë pas...

REPORTAZH/Prushi i pushuar i zjarrit në Athinë, çfarë ndodh disa ditë pas flakëve në Greqi

431
0
Shares

Kevi Balliu, Athinë, 4 Gusht.

Kanë kaluar plot 13 ditë që nga data 23 Korrik, kur Athina lindore u përfshi nga zjarri i pamëshirshëm që u mori jetën 91 vetëve dhe la të plagosur qindra të tjerë.

Pas gjithë këtyre ditëve  të tmerrit, të luftës me flakët apo me vetë jetën, ajo që rezulton për këta vendas dhe për vetë Greqinë është frika se mos zjarri ripërsëritet dhe këtë radhë nuk do të lejë gjë pa djegur e përvëluar.

Zona e Atikës duket sikur të ketë përjetuar ferrin. Ende situata paraqitet kaotike, pa qetësi,me njerëzit të shqetësuar dhe me frikën që u lexohet në sy.

Sirenat e zjarrëfikësëve, zhurmat e helikopterëve që lëvizin herë pas here në ajër për të monituar rajonin, karroceritë të ngarkuara me makina të djegura, polumbarë me varkat e tyre të kërkimit për trupat e mbytur në det, si dhe vendasit të cilët sigurojnë shtëpitë e tyre, janë disa nga gjërat më të zakonshme që të shohin sytë e dëgjojnë veshët.

Vendasit janë rikthyer në shtëpitë e djegura, për të parë nëse mund të nxjerrin  ndonjë gjë që zjarri nuk e ka djegur. Disa janë të lumtur që kanë shpëtuar, disa të tjerë të pikëlluar se zjarri u ka marrë gjithçka që kishin ngritur me forcat e tyre.

Pushuesit janë të paktë pas rënies së zjarrit. Atika mbipopullohej nga pushues të gjitha vendeve të botës, por me rënien e zjarrit frika ka mbërthyer njerëzit të cilët braktisën plazhet e Greqisë në atë zonë.

Kur viziton këto vende, për të parë se çfarë ka mbetur pas, atëherë e kupton se zjarri është vdekjeprurës. Në vetëm disa orë, ai u  kthye në burim fatkeqësish. Një fatkeqësi e tillë e cila me pamundësinë për tu menaxhuar në momentin e duhur u kthye në tragjedi.

 ZJARRI – Zona të cilën zjarri e dogji fund e krye, është Mati. 2 km larg Zouberit dhe në afërsi me fshatin ku zjarri ra fillimisht, Voutzas, Mati të jep një panoramë të zymtë sot. Është djegur plotësisht, pemët kanë mbetur si skelet qindra vjeçar, të zhveshura dhe të ngrira nga hiri i zi. Duket sikur tokës, dikur pjellore dhe plot jetë i është shtruar një qilim i zi që të jep ndjesinë sikur nga aty do të lindë djalli vetë. E gjithë zona ishte plot pyje, madje thuhet se pishat aty ishin 40 vjeçare duke e shndërruar gjjthë Matin në një pyll ku sytë të ngopeshin nga natyra e gjelbërt.

Sot pemët lakuriqe të mbetura me degët e shkrumbuara nga zjarri, pa jetë (deri dje aty gjatë verës këndonin gjinkallat dhe dukej sikur pema kishte jetë) po i presin një nga një. Tashmë, pa pemët që mbushnin gjithë zonën me ajër të pastër në vend të tyre, ka zbritur një shkretëtirë e zezë e cila kundërmon erë squfur ku dhe hiri do kohë të largohet plotësisht.

Shtëpitë duken sikur të jenë plaçkitur dhe të shkatërruara sikur të kishte plasur ndonjë lufta e shekullit. Zjarri ka djegur çdogjë brenda dhe jashtë tyre. Kjo zonë mbahet si një nga zonat e pasura në periferi të Athinës dhe mbizotërohet nga shtëpi të shtrenjta, kryesisht vila.

Numërohen rreth 1000 vila të dëmtuara plotësisht, sipas konstatimit të autoriteteve, banorëve dhe asaj që mediat këtu raportojnë. Ajo që sheh sot kur kalon buzë shtëpive, janë fytyrat e tronditura të njërëzve dhe rrënoja. Përballë me shtëpitë janë vendosur disa kampe me ushtarë, të cilët vazhdojnë kërkimet për njerëzit e zhdukur pasi ende nuk gjenden pjestarë të familjeve të djegura.

HISTORI NJERËZORE– Njerëzit që i mbijetuan ferrit thonë se nuk do ta harrojnë deri në fund të jetës, atë që përjetuan. Përveç asaj që dëgjuam mbi histori të njerëzve të mbetur brenda flakëve, atyre që ndërruan jetë në spital nga djegiet në trup apo atyre që u mbytën në det, ajo çka dëshmojnë ata që mbijetuan është akoma dhe më shumë e  dhimbshme.

Giota është njëra prej të mbijetuarave nga zjarri. Ajo jeton në Mati bashkë me familjen e saj. Kur Giota tregonte për atë që përjetoi, mes lotëve në sy buzëqeshte duke thënë se ishte e  lumtur që kishte shpëtuar për të qënë dhe njëherë së bashku me dy fëmijët e saj.

Giota thotë se ti jepet mundësi për të jetuar sërish, është bekimi më i madh që zoti i ka dhënë.

Në momentin që zjarri kishte rënë Giota me fëmijët ndodhej brenda në zonën e Matit dhe fatkeqësisht nga lajmërimi i vonuar se zjarri kishte ardhur deri në Mati, ajo nuk mundi  të merrte asgjë me vlerë  me vete nga shtëpia. Menjëherë ishte drejtuar nga makina e saj dhe me të dy fëmijët pas disa minutash u ndodh mes radhës së  madhe që kishte bllokuar gjithë daljen nga Mati.Dhe pse ajo dinte çdo rrugicë të mundshme përmendësh në Mati pasi jeton prej vitesh aty, tymi i zi i madh ia kishte bërë të pamundur orientimin në zonë për të dalë nga zjarri.

“E pamë që zjarri po ndihmohej nga era, dhe po afrohej shumë shpejt. Nuk mund të prisnim në makinë. E lashë makinën në rrugë dhe me fëmijët vrapuam të hynim në det.” Giota tregon se në det qëndruan shumica e njerëzve për ti shpëtuar përcillimit nga zjarri. Ndërkohë që një pjesë e tyre, nga trullosja  prej afshit të nxehtë që fërkohej me fytyrat e tyre, u mbytën duke menduar se po notonin për ti shpëtuar të nxehtit.

Fëmijët e Giota-s thonë se qëndruan 4 orë brenda në det, derisa zjarri pak pas mesnatës,filloi të binte.Ata shihnin teksa digjej gjithë Mati.Ishin mpirë nga këmbët prej ujit të ftohtë, ndërkohë që në fytyrë duronin të nxehtin që era sillte nga zjarri.

(Një intervistë e plotë e Giotës dhe fëmijëve të saj për median greke Alpha News)

Ndërkohë, Kostandina, një tjetër e mbijetuar,ka filmuar me telefonin e saj momentin kur shtëpia e saj po digjej teksa ajo po ikte dhe një ditë më pas filmoi atë që kishte mbetur pas zjarrit. Nga pamjet, të cilat pranoi ti bëjë publike,të krijohet fare qartë bindja se zjarri nuk ka kursyer as më të voglën gjë në banesat e këtyre njerëzve.

SI MUND TË PARANDALOHEJ HUMBJA E JETËVE TË NJERËZVE?

Ka shumë nga ata vendas, të cilët flasin me rezerva për sa i përket masave mbrojtëse që u ndërmorën nga autoritetet përkatëse.Fillimisht, ata u njoftuan vonë për afrimin e zjarrit në zonat e tjera, çka solli që një pjesë e konsiderueshme ta merrnin vesh shumë vonë për ardhjen e zjarrit deri në zonat e populluara.

Gjithashtu, policia rrugore e ndodhur në rrugë orientoi shumicën e njerëzve gabim, duke i drejtuar për nga pjesa e poshtme afër detit, dhe jo tek dalja kryesore e qytetit. Era ishte ajo që ndihmoi zjarrin fatkeqësisht në drejtim të njerëzve të bllokuar në makina duke lënë një pjesë të mirë të tyre të djegur.

Nga ana tjetër, zjarrëfikësit  e patën shumë të vështirë shuarjen e zjarrit, për shkak se era favorizoi përhapjen e tij dhe tymit në një kohë shumë të shkurtër. Rrugët e ngushta në atë zonë,nuk lejuan qarkullimin e automjeteve lirshëm sikurse zjarrëfikësit, ashtu si makinat, u bllokuan brenda në tym.

ALUDIMET PËR ZJARR TË QËLLIMSHËM

Nuk është hera e parë që dëgjohen lajme se  zjarret kanë përfshirë Greqinë. Çdo vit bie nga një zjarr në Greqi, por asnjëherë gjatë kësaj dekade i këtyre përmasave. Zakonisht, zjarri bie në mal dhe mbetet po aty, kryesisht nga temperaturat e larta gjatë sezonit veror. Në këtë rast, njerëzit kanë dyshime të forta se mos zjarrin e ka ndezur qëllimisht  dora njerëzore.

Në këtë dyshim i çojnë disa faktorë politikë dhe ekonomikë që duhen marrë në konsideratë.

– Zona e pasur e rajonit të Atikës ka përqëndruar një pjesë të mirë të investimeve aty. Grekë, por jo vetëm,kanë shpenzuar shuma të mëdha parash për të ndërtuar në atë zonë, duke braktisur dukshëm qytete me rëndësi, përfshirë këtu dhe vetë Athinën. Këto zona janë shndërruar në zona turistike të vizituara disa herë më shumë se vetë kryeqyteti i Greqisë. Zjarri mendohet të jetë vënë, pikërisht në këto zona, për ti dëmtuar ekonomikisht dhe për të mos lejuar dyndjen e vizitorëve të huaj dhe investitorëve të huaj të cilët  zgjedhin të ndërtojnë shtëpitë e tyre të pushimit në zonat e rajonit të Atikës.

-Nga ana tjetër, shumë prej shtëpive nuk kanë marrë lejën e posaçme për tu quajtur të ligjshme dhe vetëm 15% e tyre, nga 1000 shtëpitë e prekura nga zjarri janë të siguruara. Vënia e zjarrit është një lloj sinjali paralajmërues për të çrrënjosur ata që zaptojnë hapësirat publike.

Nëse zjarri ka qënë apo jo i qëllimshëm, kjo herët a vonë do të zbulohet. Ajo që nuk kthehet më janë jetët e njerëzve. Mati, Voutzas, Rafina, Agio Marina do të duhet kohë të lulëzojnë sërish siç ishin para se zjarri ti shuante njëherë e mirë.

Ajo çka merr me vete, pasi largohesh nga ajo zonë e shkrumbuar, është dëshira për të jetuar. Asnjë e mirë materiale, kënaqësi e tepruar, nuk ka rëndësi para sigurisë së jetës. Mjafton një çast i vetëm,për ta humbur jetën.

Pasuritë rifitohen nëse punohet fort, por jeta nuk të vjen dy herë, është e çmuar. Ja si thotë një i ri grek të cilit si ka mbetur më asgjë…

‘ Jam i lumtur që nuk më djeg trupi dhe nuk kam vdekur…Unë e munda zjarrin… ‘

Foto nga zona e Matit

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY