I jepet lamtumira e fundit, Mandelës së Kosovës, Adem Demaçi

I jepet lamtumira e fundit, Mandelës së Kosovës, Adem Demaçi

79
0
Shares

Mijëra veta morën pjesë në ceremoninë e varrimit të veprimtarit të shquar Adem Demaçi, i cili ndërroi jetë të enjten në moshën 82 vjeçare.

Në ceremoni ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë, u çmua lartë jeta dhe vepra e Adem Demaçit, të cilin shqiptarët e vlerësojnë si simbol të rezistencës kombëtare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kombi shqiptar po ndahet fizikisht nga Adem Demaçi, një kolos që u vetëmohua tërë jetën për qëllimin madhor, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

‘Kosova dhe mbarë bota shqiptare po ndahet nga Adem Demaçi, një personalitet historik i jashtëzakonshëm me integritet të lartë intelektual, letrar, politik dhe kombëtar. Bota po ndahet nga Mandela i Evropës. Adem Demaçi me tërë qenien e tij fizike, mendore, intelektuale e morale jetoi për një qëllim: Çlirimin e Kosovës nga Jugosllavia dhe Serbia. Rininë, shpirtin e talentuar e plot dhunti dhe moshën e burrërisë, Adem Demaçi i flijoi 28 vjet në burgje jugosllave, pa u thyer dhe pa u mposhtur asnjëherë’, tha presidenti Thaçi.

Presidenti Shqipërisë, Ilir Meta, tha se me jetën dhe veprimtarinë e tij, Adem Demaçi, u shndërrua në shembull për të gjithë shqiptarët.

‘Jeta jote ishte luftë dhe këtë luftë e fitove, duke u bërë për gjithë shqiptarët modeli dhe shembulli i përkushtimit për atdheun i sakrificës dhe dashurisë për të i vetmohimit dhe dedikimit me gjithçka e pa cak për lirinë e popullit. I dashur baca Adem, jeta jote ishe luftë dhe ti këtë luftë e fitove. Jeta jote ishte sakrificë pa mbarim, po ti ja dole t’i përballosh e sfidosh ato si rrallë me urti e fisnikëri’, tha Meta.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Adem Demaçi, nuk u ndal as kur u ndalen të tjerët.

‘Kur të tjerët u gëzuan me të drejtat e pjesshme, ty të mundonte padrejtësia e pjesshme. Ti ishe i vetëm për të drejtën e plotë. Kur të tjerët iu gëzuan lirisë së pjesshme, Ty të mundonte robëria e pjesshme. Ti ishe për liri dhe të drejta të plota’, tha kryeministri Haradinaj.

Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, tha se Adem Demaçi, një jetë të tërë ia ka kushtuar lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

‘Një jetë si kjo e Bacës Adem, që ka ndikuar te të tjerët, nuk shuhet asnjëherë, vijon përjetësisht. Qiriri, miq, digjet dhe shkrihet për t’i bërë dritë të tjerëve. Jeta e Adem Demaçit u bë dritë për neve që na ndriçon’, tha Ahmeti.

Duke folur në emër të familjes, Abetare Demaçi, e bija e Adem Demaçit, tha se i ati ishte njeri që u sakrifikua për shqiptarizmin ndërsa kishte kërkuar edhe në ditët e fundit të jetës, që shqiptarët të njihnin më mirë veten dhe të bashkoheshin për hir të së ardhmes së tyre.

‘Po ta njihnin shqiptarët mirë veten do përpiqeshin ta përmirësonin veten, dhe në mënyrë kritike të luftohej e keqja, më thoshte ai. Kështu si jemi, nuk e njohim as veten, nuk e dimë rëndësinë e bashkimit dhe do na përsëritet historia’, tha ajo duke cituar të atin.

I lindur në vitin 1936 në Prishtinë, Adem Demaçi u bë i njohur si veprimtar për çlirimin e Kosovës dhe i kaloi 28 vjet në burgjet e ish Jugosllavisë. Ai u burgos herën e parë në vitin 1958, duke mbajtur tre vjet burg. Ai u burgos përsëri për dhjetë vjet nga viti 1964 deri më 1974 dhe më pas qëndroi në burg për 15 vjet të tjera nga vitit 1975 deri më 1990.

Për këtë ai shpesh cilësohej si Nelson Mandela i Kosovës.

Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, ai drejtoi për një kohë Këshillin për të Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Nga vitit 1991 deri në vitin 1993 ishte kryeredaktor i revistës Zëri në Prishtinë.

Më pas për një periudhë drejtoi Partinë Parlamentare të Kosovës.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin ‘Sakharov’. Gjatë periudhës 1998/1999, ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas luftës u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave jo-shqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre.

Adem Demaçi në vitin 2010, u dekorua me Urdhrin ‘Hero i Kosovës’.

Qeveria e vendit tha sot se një shesh, një park e një rrugë e madhe do të mbajnë emrin e tij.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY