Kosova nderon Adem Demaçin

Kosova nderon Adem Demaçin

91
0
Shares

Qytetarë të shumtë po i bëjnë nderime veprimtarit të shquar Adem Demaçi, i cili ndërroi jetë të enjten në moshën 82 vjeçare. Autoritetet kanë shpallur tre ditë zie.

Arkivoli me trupin e tij është vendosur në parlamentin e Kosovës ku u mbajt mbledhje përkujtimore dhe u vlerësua lart vepra dhe personaliteti i zotit Demaçi.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se i gjithë kombi shqiptar është i pikëlluar për humbjen e njërit prej njerëzve të mëdhenj që ka dhënë kjo tokë në 100 vjetët e fundit.

Kemi humbur Adem Demaçin, simbolin e gjithë lëvizjes sonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Heroin dhe frymëzimin tonë. Dhimbja është e pafund. Por, po aq e pafund edhe krenaria që e patëm këtë burrë të madh, të rrallë e të jashtëzakonshëm të kombit. Një patriot të pashoq”, theksoi ai.

Vasilika Hysi, zëvendëskryetare e parlamentit të Shqipërisë, tha se me vdekjen e zotit Demaçi, shqiptarët humbën një njeri të madh dhe të jashtëzakonshëm.

Mbetëm pa shqiptarin, patriotin, heroin, shkrimtarin, luftëtarin, dijetarin, humanistin, luftëtarin e të drejtave të njeriut, kalorësin e paqes, pa Adem Demaçin”, tha zonja Hysi.

Kryetari i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se Adem Demaçi ishte i pathyeshëm para sfidave më të cilat u përball gjatë jetës së tij.

Ne kemi pasur fatin të jetojmë në të njëjtën kohë kur ka frymuar dhe vepruar heroi i kombit, simboli i rezistencës kombëtare, udhërrëfyesi dhe zëri i ndërgjegjes popullore, mbrojtësi i të drejtave dhe lirive edhe të atyre që nuk i përkasin kombit tonë, liridashësi dhe atdhetari, vizionari, shkrimtari i dalluar”, tha zoti Xhaferi.

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ngushëlloi familjen Demaci, duke theksuar se “lufta e tij e përjetshme për të drejtat e njeriut, dhe kontributi i tij për Kosovën nuk do të harrohen“.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, shkroi në rrjetet sociale “ngushëllimet e mia për familjen e Adem Demaçit, aktivistit të drejtave të njeriut, fituesit të çmimit “Sakharov”, vdekja e të cilit është humbje e madhe për Kosovën”.

I lindur në vitin 1936 në Prishtinë, Adem Demaçi u bë i njohur si veprimtar për çlirimin e Kosovës dhe i kaloi 28 vjet në burgjet e ish Jugosllavisë. Ai u burgos herën e parë në vitin 1958, duke mbajtur tre vjet burg. Ai u burgos përsëri për dhjetë vjet nga viti 1964 deri më 1974 dhe më pas qëndroi në burg për 15 vjet të tjera nga vitit 1975 deri më 1990. Për këtë ai shpesh cilësohej si Nelson Mandela i Kosovës.

Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, ai drejtoi për një kohë Këshillin për të Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Nga vitit 1991 deri në vitin 1993 ishte kryeredaktor i revistës Zëri në Prishtinë. Më pas për një periudhë drejtoi Partinë Parlamentare të Kosovës.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Sakharov”. Gjatë periudhës 1998/1999, ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas luftës u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave jo-shqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre.

Zoti Demaçi drejtoi për një periudhe edhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Autor i disa librave, njëra prej të cilave “Gjarpijt e Gjakut” ishte i ndaluar nga regjimi jugosllav.

I njohur për gjuhën e tij të drejtpërdrejtë ai vlerësonte hapur zhvillimet politike në paraqitjet e tij. Në një nga intervistat e tij për Zërin e Amerikës, ai ishte kritik i hapur ndaj zhvillimeve siç ishte Gjykata e Posaçme për krime lufte në Kosovë, qasja e institucioneve të Kosovës, apo bisedimet me Serbinë.

Unë po të isha e di si do të bëja, por këtë nuk mund ta bëjnë se janë karrieristë krejt, unë kisha thënë, që po e lëmë ne, po jap;im dorëheqje krejt, po tërhiqemi me parlament me qeveri me krejt. Meqë ka ardhur puna deri këtu sa që ju nuk po e bëni hesap këtë popull dhe neve nuk po na vini ne hesap, atëherë ja: bëjeni, burgosini, vendosni si të doni, ne nuk do të marrim pjesë. Por, nuk kanë fuqi këta ta lënë pushtetin se mezi kanë mbërri në atë farë pushteti. I kanë bërë njëqind ekzibicione për të hipur në pushtet. Kështu që ata nuk mund ta bëjnë këtë“, kishte thënë zoti Demaçi, duke folur për Gjykatën e Posaçme.

Ky vit e këto bisedime të imponuara nuk kanë dhënë kurrfarë rezultatesh. Tek e fundit e kemi parë që Serbia nuk po i zbaton asnjërën prej tyre. Në po i zbatojmë, Serbia nuk po i zbaton. Ende nuk po teret boja e nënshkrimeve të tyre, këtu po dalin po i bëjnë njëqind dredhi, mohime e lodra me ato vendime. Me aso mënyra me serbët nuk mund t’ia dalim në krye. Duke ju bërë lëshime serbëve ne nuk mund t’i demokratizojmë serbët“, kishte deklaruar ai duke folur për marrëveshjet që ishin nënshkruar në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zoti Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”. /VOA/

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY