Rregullat e reja, ndryshon sërish testi teorik i lejeve të drejtimit në...

Rregullat e reja, ndryshon sërish testi teorik i lejeve të drejtimit në Shqipëri

307
0
Shares

Nga muaji mars i këtij viti kanë hyrë në fuqi përditësimet e pyetësorit teorik për katër kategoritë bazë të lejeve të drejtimit si A1, A2, B1 dhe B.

Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor në përputhje me udhëzimin e ministrit të Transporteve ka përfunduar përditësimin e pyetësorit edhe për 4 kategori të tjera si C1, C1E, D1 dhe D.

Specialisti në Drejtorinë e Kualifikimeve Profesionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, Ilir Gjelishti, në intervistën dhënë gazetës “Panorama” shpjegoi ndryshimet që do të ketë pyetësori teorik për lejet e drejtimit.

Gjelishti tha se pyetësori është përmirësuar totalisht, ku nga 7131 fjali që ishin janë reduktuar në 4871. Sipas tij, marzhi i lejuar i gabimeve nuk ndryshon dhe kandidatët duhet t’u përgjigjen saktë 36 pyetjeve.

Patentat

Si ka ndryshuar testimi për njohuritë teorike të kandidatëve që do të pajisen me patentë të re?

Nga janari i vitit 2017 për lejet e drejtimit ka një rikonceptim të procedurës, që nis që nga përgatitja e kandidatëve në autoshkolla me programe të reja, mënyra e testimit të kandidatëve dhe më pas pajisja me lejen e drejtimit, që janë bërë në përputhje me direktivën europiane. Ndryshimet e kryera për pyetësorin teorik kanë hyrë në fuqi në muajin mars të këtij viti dhe janë vënë në përdorim po në këtë muaj, pas dakordësisë të të gjitha palëve. Një vit pasi u vu në përdorim pyetësori, u ripërditësua, pasi ishte lënë detyrë nga udhëzimi i ministrit të Transporteve të miratuar në qershor të vitit 2016, të çohet në provë një vit, të diskutohet me grupet e interesit, të bëhen ndryshimet e nevojshme dhe të miratohen përfundimisht. Pra, pyetësori teorik është përditësuar, ku para një viti ka qenë me 7131 fjali. Pas lënies në provë për 1 vit dhe konsultimeve me grupet e interesit, numri i fjalive është reduktuar në 4871. Reduktimi i pyetësorit teknik u krye për kategoritë bazë të lejeve të drejtimit që përfshin, A1, A2, B1 dhe B. Pra, ne përgatisim pyetësorët dhe programi elektronik në bazë të strukturës që ka përcaktuar direktiva europiane, zgjedh 40 pyetjet nga 4871 fjali që ka pyetësori teorik, për të cilat duhet të përgjigjet kandidati. Për çdo kandidat që i nënshtrohet testimit teorik, testi është i veçantë, pra, nuk ka teste të njëjta.

A sjell lehtësi për qytetarët përditësimi i pyetësorit teorik?

Ne jo vetëm ulim numrin e çështjeve që trajtohen, por kandidatit i shtrohet pyetja: A është e saktë fjalia apo e gabuar? Pra 40 pyetjet që ushtrohen në test, janë mbi fjalitë se kush jep informacion të saktë dhe kush është e gabuar dhe kandidati për këtë duhet të përgjigjet. Pra, me shkurtimin e fjalive, sistemin e tyre dhe duke ulur numrin e tyre, kandidatit i lehtësohet testimi, për t’iu dhënë përgjigje 25 tematikave që trajtohen në leksione, të nevojshme për të qenë kalues të testimit teorik. Po ashtu, rreth 40 për qind e fjalive që ishin një vit më parë, janë riformatuar për t’u bërë më të kuptueshme dhe më të thjeshta për t’u kuptuar nga qytetarët që do të pajisen me leje drejtimi.

Ju sapo keni përfunduar përditësimin e pyetësorit teorik për 4 kategoritë bazë të lejeve të drejtimit, a do të ketë ndryshime për 4 kategoritë e tjera?

Ka përfunduar përditësimi i pyetësorit për kategoritë C1, C1E, D1 dhe D dhe ua kemi dërguar për vërejtje dhe propozime konkrete, dy shoqatave të autoshkollave, Drejtorive Rajonale dhe autoshkollave kryesore që kryejnë aktivitetin në territore të juridiksionit të tyre për të mundësuar nëpërmjet këtij bashkëpunimi, vënien në përdorim të një pyetësori korrekt, cilësor dhe në përputhje me kërkesat e direktivës europiane. Edhe në këtë rast ndryshimet konsistojnë në shkurtimin e disa problematikave, të cilat janë cilësuar të tepërta për kandidatët të propozuara gjatë vitit nga autoshkollat. Pyetjet që do t’u përgjigjen kandidatët do të jenë më koncize, pasi edhe përmbajtja e fjalive është shkurtuar në mënyrë që të mos humbasë interesi i tyre për të mësuar programet e autoshkollave.

Kandidatët që do të pajisen për herë të parë me patentë, a do t’u lejohet një marzh më i ulët gabimi për 40 pyetjet?

Marzhi i gabimeve të lejuara nuk ndryshon dhe do të vazhdojë të jetë te 10 për qindëshi për 40 pyetje të testimit. Pra, për 40 pyetje, marxhi i gabimit të lejuar do të jetë 4 dhe kjo është në përputhje me direktivën europiane. Këto praktika janë të ngjashme me vendet si Italia, Holanda apo Gjermania që kanë të njëjtin prag kalimi për marrjen e testit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY