‘Një sy qorr, e një vesh shurdh’, fytyra tjetër e Rusisë...

‘Një sy qorr, e një vesh shurdh’, fytyra tjetër e Rusisë gjatë botërorit 2018

199
0
Shares

Një prej gjërave më të paparashikuara të këtij Botërori, përveç ecurisë shumë të mirë dhe spektaklit që dhuroi Kombëtarja ruse në fushën e lojës, ka qenë edhe atmosfera e gjallë në vendin mikpritës të Kupës së Botës, në Rusi, shkruan The Economist.

Tifozë nga e gjithë bota kanë pushtuar çdo cep të saj, pavarësisht tensioneve politike aty. Ndryshe nga sa pritej dhe mund të imagjinohej për këtë shtet, edhe shërbimet e sigurisë ruse kanë bërë “një sy qorr” ndaj shkeljeve të vogla, duke lejuar që qendrat e qytetit të zhvillojnë festa për orë të tëra.

Kur Rusia mundi Spanjën më 1 korrik, makina të shumta bllokuan rrugët e Moskës dhe disko të improvizuara u krijuan në sheshet qendrore. Mijëra njerëz kërcenin, duke iu bashkuar edhe shumë balerinëve përpara sheshit të Teatrit Bolshoi, të cilët e kishin parë ndeshjen në prapaskenë, e duke vazhduar deri në sheshin përpara Lubyanka, godinës ku ndodhen zyrat qendrore të FSB (Shërbimi i Sigurisë Federale), pasardhësi i KGB-së së dikurshme.

Kjo atmosferë, me festime të shumta dhe pa përplasje me policinë dhe ndjekje penale, ka shfaqur përballë botës një “fytyrë të re të Rusisë”, duke e shndërruar Kampionatin Botëror të Futbollit në një festival të vërtetë lirie, citoi Maxim Trudolyubov, një gazetar rus.

Vizitorët e huaj kanë gjetur një Rusi mikpritëse, duke zbuluar një anë tjetër të këtij vendi më pak armiqësor nga ajo që ndoshta mediat kanë dashur të pasqyrojnë dhe t’i bëjnë ata që të besojnë. Faktorë ndihmues në këtë drejtim kanë qenë, padyshim, edhe birrat e shumta dhe rrezet e diellit.

Ky Festival lirie, pritet të marrë fund menjëherë pas Botërorit, duke u rikthyer te rregullat e mëparshme. Edhe fakti që autoritetet ruse mund “t’i shtrëngojnë dhe lirojnë vidat e shtetit” sipas vullnetit të tyre nuk përbën risi. Ajo çka të bën më shumë përshtypje në të gjithë këtë atmosferë është ndikimi i ecurisë pozitive të ekipit kombëtar, që ka bashkuar njerëz të bindjeve të ndryshme politike.

Edhe kreu i opozitës, Aleksei Navalny, nuk mund të mos e shprehte kënaqësinë e tij. “Sa e bukur është fitorja” shkroi ai në rrjetin social Twitter, menjëherë pas fitores mbi Spanjën. Ndërsa Presidenti i vendit, Vladimir Putin, ka qenë më i rezervuar në këtë drejtim, ndoshta duke i paraprirë frikës së një humbjeje të mëtejshme. Kremlini padyshim që do të donte fitore, por ky kampionat nuk është diçka të cilën ky shtet i plotfuqishëm mund ta përvetësojë lehtësisht.

Disa i frikësohen faktit se Kremlini do ta shfrytëzojë këtë sport për qëllime politike, ashtu siç bëri edhe me Lojërat Olimpike të Sochi në vitin 2014. Por, kësaj radhe, euforia sportive ndihet si më e lehtësuar, duke lënë pas konfrontimet e vazhdueshme të viteve të fundit. Atmosfera që ka përfshirë Rusinë në ditët e Botërorit është vërtet e pabesueshme, ku shtetas amerikanë festojnë së bashku me ata rusë duke i përsëritur njëri-tjetrit vargjet e këngës “Ros-si-ya”, të cilat u shndërruan në sinonim të nacionalizmit agresiv rus gjatë aneksimit të Krimesë, tani duket se kanë nota krejtësisht patriotike.

Por ky “Festival lirie” i ka ditët e numëruara dhe ai nuk do të mund ta ndryshojë politikën e Rusisë, aq më pak politikën e saj të jashtme, duke mos i dhënë fund agresionit të z. Putin jashtë vendit, dhe as të lirojë të burgosurit politikë që vdesin në burgjet ruse. Ka edhe nga ata që mendojnë se zhvillimi i një festivali të tillë sportiv ose i cilësuar si një karnavale e madhe botërore, do t’ia vështirësojë Kremlinit punën për ta kthyer Rusinë sërish në një kështjellë të rrethuar me mure të larta/The Economist

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY