KOMENT/ Shteti “i së drejtës” në pikiatë! Rroftë integrimi!

KOMENT/ Shteti “i së drejtës” në pikiatë! Rroftë integrimi!

108
0
Shares

Nga Enver Bytyçi
Parashtrimi i parë: Elvis Roshi, një nga eksponentët më në zë të krimit në Shqipëri, ish kryetar socialist i Bashkisë së Kavajës, u dënua dje nga gjykata me 60 orë “punë të detyruar në komunitet”?! Dënimi arësyetohet se “Roshi, me pesë emra të ndërruar për t’i ikur ndëshikimit të krimeve të tij, kishte përdhunuar në grup një femër shqiptare në Itali dhe për këtë ishte dënuar, por që e kishte fshehur veprën e tij kriminale”! Në vendimin e arësyetuar për këtë masë ishte “kërkesa për gjykim të shpejtuar” dhe “të qenit baba i dy fëmijëve”.

Rrethana lëhtësuese e të qenit baba ishte e vetmja rrethanë e artikuluar në vendimin e gjykatës. Por këtë rrethanë, si dhe atë të gjykimit të shkurtuar e arësyetoi edhe prokurori i çeshtjes.
Kontrasti: Djemtë e Kukësit që protestuan për një të drejtë të ligjshme, të pranuar verbalisht edhe nga kreu i ekzekutivit u arrestuan natën, u mbajtën në burgje dhe u keqtrajtuan nga policia. Ata u arrestuan në mesnatë në sy të fëmijëve, nipërve e mbesave, pa e arësyetuar asnjëherë këtë rrethanë. Shteti, gjykata, prokuroria, policia u sollën me këta djem sikur ata të ishin kapot e bandave kriminale!

Në fakt ata janë hallexhinjtë më të mëdhenj të vendit e të Europës! Megjithatë “forca e ligjit” e proklamuar nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafa, nuk i kursen hallexhinjtë, kursen vetëm përdhunuesit e trafikantët. Ylli Manjani thoshte se këta “dënojnë dikë që ngacmon seksualisht, e nuk dënojnë përdhunuesit”! Unë po shkoj më tej me disa fakte të tjera:
Ndërkohë që kjo qeveri çoi në dyert e policisë e të burgjeve 38 mijë qytetarë për mospagimin e energjisë elektrike, nxori nga burgu me garancinë e kryebashkiakëve socialistë kapot e bandave vrasëse në disa qytete të vendit. Ndërkohë që kjo qeveri çoi në burg qytetarë, të cilët riparuan pa leje çatitë e shtëpive, nxorën nga burgu njerëz që kishin ndërtuar pallate pa leje dhe pastronin paratë e pista me këto ndërtime.

Nje prej tyre është deputeti Frroku! Ndërkohë që kjo qeverisje dënoi disa punëtorë mëditës në parcelat e hashashit, ka lënë të lirë dhe mbështetur në bisnesin e drogës kapobanda pa numër përfshirë Habilajt, Balilin e shumë të tjerë, të konsideruar si “Eskobari i Ballkanit”! Ndërkohë që në qeli kanë gjetur vdekjen së paku 15 të dënuar varfanjakë për shkak të ndonjë shkeljeje të rregullit në qarkullimin rrugor, në pagesën e taksave dhe detyrimeve ose për atë që quhet konflikt verbal, bosët e drogës, të krimit dhe të bandave bëjnë jetë pashai në burgje dhe prej andej drejtojnë ende bandat e krimit në Shqipëri.
Nëse një personi jo publik do t’i del emri në përgjimet e bandave, ai përfundon menjëhëre në qeli, por ministri i Brendshëm për të njëjtën arësye shetit i lirë, madje me karshillëk ndaj ligjit! Nëse një qytetar do i kishte dhënë makinën një banditi pa e çrregjistruar, do të shkonte në qeli, së paku për abuzim në shlyerjen e detyrimeve të taksës, por ministri i brendshëm për të njëjtën arësye nuk mban asnjë përgjegjësi!

Nëse një qytetar strehon dhe mbron një kriminel, ose nuk dëshmon për krimin e kryer, dënohet me burg pa mëshirë. Ministri aktual i Punëve të Brendshme vazhdon i qetë detyrën shtetërore, edhe pse është objekt i kësaj akuze!

Nëse një qytetar fyen rëndë një shtetas tjetër, qoftë ky dhe familjar, prokuroria dhe gjykatat e konsiderojnë këtë kërcënim për rendin. Por nuk konsiderohet i tillë kryeministri i vendit, kur publikisht i thotë deputetit se “nga cili p… vjen ky”! Nuk konsiderohet i tillë Edi Rama, kur fyen në grup gjithë deputetët e opozitës!!!
Dhe nëse rendisim fakte të tjera, ato do të jenë pa fund! Vetëm se një gjë është e qartë: Në këtë vend shteti ka rënë! Shteti i së drejtës nuk ekziston më! Shqipëria është tashmë një diktaturë jo aq e fshehur! Integrimi është thjesht një demagogji, për t’i dhënë shije limonate diktaturës!

Të integruar duket se janë trafikantët me pesë emra, por jo njerëzit me dinjitet, të cilët nuk pranojnë as t’ua shkurtosh emrin që kanë! Drejtësia në demokraci është kushti i parë për civilizim! Edhe në mesjetë forca e shteteve matej me shkallën e drejtësisë! Sot ky parim, së paku në Shqipëri nuk ekziston! Rroftë integrimi!
Tiranë, 14.07.2018

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY