Tregu i punës, profesionet e reja dhe ato që po dalin nga...

Tregu i punës, profesionet e reja dhe ato që po dalin nga moda në Shqipëri

794
0
Shares

Me zhvillimet e fundit teknologjike, por edhe hapjen e kufijve dhe rritjen e bashkëpunimit me kompani të huaja, listës së profesioneve duhet t’i shtoheshin profesione të reja, të përditësoheshin profesione ekzistuese.

Prej datës 1 korrik, puna e fshesarit do të klasifikohet si e pavlefshme. Tatimet kanë nxjerrë një grup profesionesh si të vjetra dhe të pavlefshme. Një ndër to, edhe roje në hekurudhë.

Profesione të vjetra

Mjekët popullorë
Fajdexhi
Astrolog, tregues fati dhe të tjera që lidhen me to
Kiroman (falltarë)
Xhamaxhi për mjete transporti
Shtypshkronjës linotipist
Shtypshkronjës monotip

Profesione të reja

Make up artist
Konsulent për rënien në peshë
Menaxher supermarketi
Gazetar i faqeve UEB
Intervistues për studime në treg
Punëtor të kujdesit për kafshët
Menaxheri i rrjeteve sociale

Së fundmi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar tatimpaguesit se, duke filluar nga data 1 korrik, listëpagesat do të reflektojnë kodet e rishikuara sipas Listës Kombëtare të Profesioneve të miratuar me VKM, nr. 514, datë 20.09.2017 dhe të publikuar në Fletoren Zyrtare Nr. 169, datë 22 shtator 2017.

Sipas njoftimit të Tatimeve, këto ndryshime kanë të bëjnë kryesisht me shtimin e disa kategorive të reja të profesioneve, ndryshime në kategoritë ekzistuese, si dhe pavlefshmërinë e disa kategorive të Listës Kombëtare të Profesioneve të përdorura deri para hyrjes në fuqi të vendimit të mësipërm.

Në të shtohet se pjesa më e madhe e tyre do ta gjenerojnë ndryshimin në mënyrë automatike, për shkak të përditësimit të sistemit. Në këto raste, Tatimet sqarojnë se tatimpaguesi do të dorëzojë listëpagesën e tij pa qenë e nevojshme të përditësojë kategorinë e profesioneve edhe nëse ajo ka ndryshuar. Tatimpaguesit, të cilët kanë të paktën një punonjës, për të cilin sistemi identifikon se “Emri i Kategorisë së Profesioneve” nuk është më i vlefshëm sipas listës së re, nuk do të mund të dorëzojnë listëpagesën pa ndryshuar/përditësuar këtë kategori. Në këtë rast, bëhet fjalë për të gjithë ato profesione që kanë ndryshuar apo rezultojnë se janë të pavlefshëm.

Njoftimi i tatimpaguesve do të bëhet nëpërmjet sistemit, ku automatikisht do të shfaqë një mesazh paralajmërues, përmes të cilit tatimpaguesit do të informohen rreth detajeve të punonjësit, për të cilin do të duhet të bëhet përditësimi manual. Më pas, tatimpaguesi duhet të klikojë në fushën e kategorisë dhe të përzgjedhë profesionin apo funksionin që i përshtatet sipas rastit konkret.

Lista e profesioneve

Së bashku me Forcat e Armatosura janë dhe 9 kategori profesionesh, ku përfshihen: Menaxherët; Specialistët me arsim të lartë; Teknikë dhe specialistë në zbatim; Nëpunësit; Punonjës të shitjeve dhe shërbimeve; Punonjës të kualifikuar të bujqësisë së pyjeve dhe peshkimit; Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to; Punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve dhe Punëtorët (profesione elementare).

Sipas strukturës së publikuar janë 10 grupe të mëdha profesionesh, ku përfshihen 43 nëngrupe të mëdha, 133 grupe të vogla, 480 grupe njësi dhe 5489 punë.

Grupet që kanë numër më të madh punësh janë specialistët me arsim të lartë, ku sipas strukturës, në të përfshihen 1281 punë të ndryshme, Zejtarët, artizanët dhe punë të lidhura me to, ku përfshihen 1102 punë, Teknikë dhe specialistë në zbatim me rreth 1021 punë, ndjekur nga punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve, ku përfshihen rreth 772 lloje punësh.

Forcat e Armatosura, me numrin më të ulët të punëve

Pozicionet e Forcave të Armatosura përfshijnë të gjitha punët që bëhen nga anëtarët e FA. Anëtar i FA-së është ai personel që shërben dhe përmbush detyrimet e paracaktuara tek Forcat e Armatosura, ku përfshihen edhe shërbimet ndihmëse, pavarësisht nga dëshira e personit; atyre u ndalohet dypunësimi dhe janë nën varësinë e ligjit të shërbimit ushtarak.

Përfshihen anëtarët e Forcave Tokësore, Detare, Ajrore dhe shërbime të tjera ushtarake mbështetëse. Numrin më të ulët të llojeve të punës e ka kategoria e Forcave të Armatosura, ku përfshihen vetëm 36 lloje punësh. Nëngrupet kryesore të Forcave të Armatosura janë: Oficer të Forcave të Armatosura; nënoficer të Forcave të Armatosura; dhe pozicionet në FA, rangje të tjera.

Profesionistët me shkollë të lartë

Për specialistët me arsim të lartë numërohen më shumë lloje punësh se për çdo kategori tjetër. Specialistët me arsim të lartë (profesionistët) zgjerojnë bagazhin ekzistues të njohurive, aplikojnë koncepte dhe teoritë shkencore apo artistike, japin mësim për to në mënyrë sistematike, ose angazhohen në ndonjë nga kombinimet e këtyre tri aktiviteteve. Shumica e profesioneve në këtë grup kryesor kërkojnë shkathtësitë e nivelit të katërt të kompetencës sipas niveleve të Listës Kombëtare të Punësimit.

Ky grup i punësimit ndahet në: Specialistë të shkencave dhe inxhinierisë; Specialistë të shëndetësisë; Specialistë të mësimdhënies; Specialistë të administrimit dhe biznesit; Specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit; Specialistë në fushën ligjore, shoqërore dhe kulturore.

Zejtarët dhe artizanët, mbi 1000 lloje të ndryshme punësh

Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhur me to aplikojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre të veçanta në fusha të ndryshme të veprimtarisë profesionale, si: ndërtimi dhe mirëmbajtja e ndërtesave, trajtimi i metaleve dhe ndërtimi i strukturave të metaleve, prodhimi i veglave të punës dhe instrumenteve matës, mirëmbajtja dhe riparimi i makinerive dhe pajisjeve, prodhimi ose përpunimi i artikujve ushqimorë, metalikë, të tekstilit, të drurit dhe të tjera, duke përfshirë edhe të mirat e prodhuara nga punimet artizanale.

Në këtë kategori përfshihen lloje punësh si:
-Punonjës të ndërtimit dhe profesioneve të lidhura me të
-Punëtor të punimit të metaleve dhe montimit të makinerive
-Punonjës të prodhimit të sendeve të imta, punëve me dorë (artizanët), të shtypshkrimit/printimit dhe të tjera të ngjashme
-Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë
-Punonjës të përpunimit të ushqimit, drurit, tekstileve dhe të tjera të ngjashme.

Për të zhvilluar aktivitet privat në këtë fushë, zejtarëve, artizanëve dhe profesioneve të lidhura me to u duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti, si person fizik apo juridik, sipas rastit. Zejtarët e vetëpunësuar që menaxhojnë biznesin e tyre në mënyrë të pavarur apo me ndihmën e të tjerëve, mund të realizojnë një tërësi detyrash që lidhen me menaxhimin e një biznesi, si mbajtje llogarish, shërbim ndaj klientit.

Kujdes kur të ndryshoni kategorinë!

V. Gj., prej vitesh tregton rroba me pakicë në kryeqytet. Ajo lexoi këto ditë njoftimin e Tatimeve në lidhje me ndryshimin që ka ndodhur në Listën Kombëtare të Profesioneve. E paqartë për kategorinë ku duhet të përfshijë veten, ajo i trembet mundësisë se në një moment, të dy kategoritë e zgjedhura prej saj mund të shërbejnë si referencë për të paguar Tatimin mbi të Ardhurat dhe Sigurimet.

Duke qenë se ajo e menaxhon vetë dyqanin dhe njëkohësisht bën administratoren dhe shitësen, e ka të vështirë që të përcaktojë kategorinë që i takon. Për të gjithë individët që operojnë si V., burime nga Tatimet thonë se duhet që të zgjedhin kategorinë si të vetëpunësuar, në aktivitet tregtar.

Paga referencë është hequr zyrtarisht në vitin 2012, e cila ishte kundërshtuar ashpër nga biznesi, që kur filloi të përdorej, në vitin 2007. Megjithatë, profesionistët, të cilët kanë komunikuar me “Monitor” i druhen një rikthimi indirekt të pagës referencë.

Në vendimin e 2007-s, përcaktimi i pagës referuese mujore u bë për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe të tatimit mbi të ardhurat personale, sipas nomenklaturës së veprimtarisë ekonomike, për të punësuarit në sektorin jopublik, që kryejnë punë të pakualifikuara e të kualifikuara, si dhe për personelin drejtues e tekniko-ekonomik të tyre”.

Me vendosjen e referencave në vitin 2007, arkëtimet nga tatimi mbi të ardhurat personale u rritën me gati 70%, ndërsa shumë biznese u ankuan se qeveria po fut duart në arkën e tyre përmes taksave. Debati mori përmasa të mëdha, kur në vendim u caktua se sa do të ishte numri i punonjësve./Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY