Ndërtimi i teatrit/Faturë e lartë për tu paguar, ja faktet e fshehura...

Ndërtimi i teatrit/Faturë e lartë për tu paguar, ja faktet e fshehura ku shteti po e orienton ekonominë

115
0
Shares

Drama u mbyll me një fund jo të lumtur për Teatrin Kombëtar. Pak para se të afronte mesnata, 75 kartonë, mes debateve brenda dhe protestave jashtë Parlamentit, votuan për prishjen e një prej ndërtesave historike në vend.

Teksa prej muajsh debati për Teatrin u kanalizua në vlerat e tij historike e arkitekturore, cilësinë e ndërtesës, elemente të tjera shumë më të rëndësishme u anashkaluan, me dashje apo pa dashje, duke u dhënë mundësinë politikëbërësve të justifikohen me nevojën për një shtëpi të re për artistët. Ashtu si në intrigat e një drame, çështja nuk është aq e thjeshtë, pas saj fshihen fakte të nxehta të modelit të rrezikshëm, ku shteti po e orienton ekonominë:

-Së pari, është dhënia për shfrytëzim e sipërfaqes shtetërore pa garë dhe pa tender, por me një ligj të posaçëm, në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë mbi të cilën duhet të funksionojë një shtet demokratik. Kjo i hap rrugën një precedenti të rrezikshëm për të vepruar në të njëjtën mënyrë në raste të tjera në periudhat në vijim, siç po ndodh realisht me Aeroportin e Vlorës, apo siç u tentua pa sukses me investimin fantazmë prej 5 miliardë eurosh në Karpen.

-Së dyti, shteti la realisht mënjanë interesin publik (që u kamuflua në nevojën për ndërtimin e një Teatri të ri, pasi i vjetri mund të shembet) dhe u kthye në një sekser të privatit për sigurimin e tokave për ngritjen e disa kullave të larta në qendër të kryeqytetit. Një praktikë që rëndom e ka bërë privati këto 30 vitet e fundit, me bekimin edhe të shtetit sigurisht, por që tashmë institucionet shtetërore përkatëse po e bëjnë fare hapur.

-Së treti është mungesa totale e transparencës dhe e konsultimit publik, sërish një sinjal negativ në një shtet demokratik. Askush nga publiku, edhe sot, kur ligji është miratuar, nuk e di se cili është propozimi i firmës private, çfarë do të ngrihet pas Teatrit, sa është vlera e investimit privat dhe përfitueshmëria e tij, dhe në kurriz të këtyre fitimeve çfarë humbet publiku nga shndërrimi i një prej qendrave historike në vend, në një prej zonave që do të ketë dendësinë më të madhe për metër katror, duke i marrë frymën kryeqytetit. Të gjitha këto duhet të ishin bërë publike, përpara se fuqia e atyre që ngrenë kartonët, – që e kanë marrë këtë të drejtë nga publiku që i voton, – të vendoste për fatin e Teatrit, që nuk është vetëm i artistëve, por i të gjithëve.

-Së katërti, teatri i Parlamentit dha edhe një shfaqje të rëndë, atë që 75 veta votuan për diçka që nuk kishin qenë fare të përfshirë dhe e bënë këtë thjesht, sepse kemi një demokraci të përçudnuar ku deputetët emërohen nga kryeministri që të votojnë çfarë u urdhërohet. Është një shkallë absurditeti që e komprometon edhe më shumë mënyrën se si funksionon sistemi politik sot.

-E pesta është më e rrezikshmja dhe e paimagjinueshmja. Shteti, me vetëdije, kokëfortësi dhe arrogancë të plotë, po e çon ekonominë drejt një flluske, që pritet të shpërthejë shumë shpejt, nëse vazhdon kështu. Pas Teatrit pritet të ndërtohen disa kulla. Në zona të tjera të kryeqytetit, ato kanë filluar të ngrihen tashmë, e të tjera priten. Të dhënat zyrtare të lejeve të ndërtimit flasin për një dyfishim të numrit dhe të sipërfaqes në dy vitet e fundit. Me bekimin e shtetit, kapitali i lirë po orientohet sërish në ndërtim. Kthimi i shpejtë dhe norma e lartë e fitimit janë arsyet kryesore, që i shtyjnë investitorët drejt këtij sektori, ndërkohë që rritja e flukseve informale të hyrjes së parave vitet e fundit po ndikon që një pjesë e tyre të kanalizohen në pasuri të paluajtshme. Ironike është që shteti po mendon njësoj si privati për maksimizimin e fitimit për një periudhë sa më të shkurtër, kur krejt e kundërta është nevoja që ka sot ekonomia e vendit.

Parësore është rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, përmes investimeve në sektorë me vlerë të shtuar që nxisin rritje të qëndrueshme në afatin e gjatë dhe jo në ndërtimin e kullave, që nuk sjellin asgjë për rritjen e mirëqenies gjithëpërfshirëse dhe për të cilat, zyrtarisht, nuk ka as fuqi blerëse (Shqipëria është sot vendi më i varfër në Europë, me 29% të të ardhurave të mesatares së BE-së) dhe as mbështetje me kredi bankare.

Ndaj themi se teatri i ri ka nga pas një faturë të lartë, që do të duhet të paguhet nga të gjithë dhe, madje, edhe nga brezat e ardhshëm. Hija e kullave do të jetë e rëndë jo vetëm në godinën e re të teatrit, por mbi të gjithë vendin, si një dëshmi e politikave të gabuara që po ndiqen, duke orientuar vendin drejt një flluske në sektorin e ndërtimit./Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY