Trafikimi i personave, Xhafaj e deklaron prioritet por Departamenti amerikan i Shtetit...

Trafikimi i personave, Xhafaj e deklaron prioritet por Departamenti amerikan i Shtetit e përgenjeshtron

113
0
Shares

Ministri Xhafaj deklaroi sot se “ Qeveria shqiptare e ka vendosur luftën kundër trafikimit të personave si një nga prioritetet e saj, duke e fokusuar këtë luftë jo vetëm në goditjen e veprimtarisë kriminale, por edhe në bashkërendimin e forcës për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit.

“Realizimi i këtij prioriteti nuk mund të përmbushet nga një qeveri apo shtet i vetëm pa forcimin dhe bashkëpunimin në nivel kombëtar dhe atë rajonal.

Është përgjegjësia e gjithësecilit prej ne për të marrë hapat e duhur për asgjësimin e këtij fenomeni, për të ndërmarrë hapat e duhura se për hir së të vërtetës edhe ne si qeveri edhe të gjithë aktorët e tjerë kanë ende shumë në këtë aspekt.”- ka deklaruar ministri.

Ndërkohë 4 orë më parë Ambasa e Amerikane pubikoi në faqen e saj raportin për Trafikimin e Qenieve Njerëzore në Shqipëri

“Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, është duke bërë përpjekje domethënëse për ta arritur këtë. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit; për pasojë, Shqipëria mbeti në Grupin 2. Qeveria rriti financimet për mbrojtjen e viktimave dhe identifikoi dhe ndihmoi më shumë viktima.”- thuhet në njoftimin që shoqëron raportin e plotë.

Departamenti amerikan i Shtetit ne raportin e vitit 2018 për Trafikimin e Qenieve Njerëzore, ne pjesen per Shqperine konstaton se   “Femrat dhe fëmijët shqiptarë i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar brenda vendit, sidomos gjatë sezonit turistik”. Departamenti amerikan i Shtetit ben ne raportin e vitit 2018 për Trafikimin e Qenieve Njerëzore, ne pjesen per Shqperine.

Raporti i Plote:

Në kapitullin e raportit për Shqipërinë, thuhet se qeveria shqiptare nuk i përmbush plotësisht standartet minimale për eliminimin e trafikut të qenieve njerëzore; megjithatë, thuhet në raport, qeveria është duke bërë përpjekje të rëndësishme për të arritur këtë synim.

SHQIPËRIA: Grupi 2

Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, është duke bërë përpjekje domethënëse për ta arritur këtë. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit; për pasojë, Shqipëria mbeti në Grupin 2.

Qeveria rriti financimet për mbrojtjen e viktimave dhe identifikoi dhe ndihmoi më shumë viktima. Qeveria, në bashkëpunim me OJQ, riaktivizoi njësitë e lëvizshme të identifikimit në tre rajone dhe forcoi mbrojtjen e fëmijëve brenda sistemit të drejtësisë penale.

Qeveria po ashtu pranoi një viktimë në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Megjithatë, qeveria nuk përmbushi standardet minimale në një numër fushash kyçe. Qeveria vazhdoi të penalizonte viktimat për akte të paligjshme kryer si pasojë e drejtpërdrejtë e nënshtrimit ndaj trafikimit njerëzor.

Qeveria raportoi më pak ndjekje penale dhe dënime, dhe autoritetet vazhduan të hetonin dhe ndiqnin penalisht disa trafikantë për veprën më të lehtë të shfrytëzimit të prostitucionit.

Qeveria vonoi financimin për strehat e administruara nga OJQ-të dhe nuk aplikoi me konseguencë hetime dhe ndjekje penale duke pasur viktimën në qendër. Policia nuk identifikoi në mënyrë konseguente viktimat e trafikimit mes individëve në prostitucion dhe inspektoratit të punës i mungonte trajnimi për të identifikuar viktimat e punës së detyruar. Përpjekjet e identifikimit për lypjen e detyruar mbetën të pamjaftueshme, sidomos mes fëmijëve të pashoqëruar, fëmijëve të rrugës dhe fëmijëve që kapërcenin kufirin për të lypur.

REKOMANDIMET PËR SHQIPËRINË

Të zbatohet ligji që përjashton viktimat nga penalitetet për vepra të jashtëligjshme kryer si rezultat i drejtpërdrejtë i nënshtrimit ndaj trafikimit, sidomos viktima të trafikut të seksit shfrytëzuar në prostitucion; të hetojë, ndjekë penalisht dhe dënojë energjikisht trafikantët – përfshi zyrtarë bashkëfajtorë – sipas nenit 110(a) dhe 128(b); të trajnojë hetues, prokurorë dhe gjyqtarë për përqasjen me viktimën në qendër ndaj rasteve të trafikimit dhe të rrisë mbrojtjen e viktimave nga kërcënimet dhe kanosjet gjatë procedurave gjyqësore; të vazhdojë të trajnojë zyrtarë të zbatimit të ligjit, prokurorë dhe gjyqësorë, sidomos prokurorë të rretheve, mbi hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të trafikimit, përfshi udhëzime mbi elementë të mbivendosjes së prostitucionit dhe trafikimit; të alokojë fonde dhe burime të mjaftueshme në mënyrë të rregullt për strehat e administruara nga qeveria dhe nga OJQ-të për viktimat e trafikimit; të përmirësojë qëndrueshmërinë e njësive të lëvizshme të identifikimit; të trajnojë policë, inspektorë të punës, dhe zyrtarë të tjerë të vijës së parë mbi identifikimin proaktiv të viktimave dhe të rrisë përpjekjet për të kontrolluar fëmijët për shenja trafikimi; dhe të adoptojë një plan kombëtar veprimi dhe të alokojë burime të mjaftueshme për planin.

NDJEKJA PENALE

Qeveria uli përpjekjet e ligjzbatimit. Nenet 110(a) dhe 128(b) të kodit penal kriminalizonin trafikimin për qëllime seksi dhe pune dhe parashikonte dënime prej pesë deri 15 vjet burg dhe një gjobë midis dy milionë lekë ($18,080) dhe pesë milionë lekë ($45,210), të cilat ishin mjaftueshëm shtrënguese dhe, për sa i përket trafikimit për qëllime seksuale, në përpjestim me ato të parashikuara për të tjera krime të rënda, të tilla si përdhunimi.

Policia e shtetit hetoi 69 raste me 80 të dyshuar (69 raste me 69 të dyshuar në vitin 2016); 22 nga këta të dyshuar në vitin 2017 u hetuan për trafikim të fëmijëve (22 në vitin 2016) dhe 58 për trafikim të rriturish (47 në vitin 2016).

Zyra e Prokurorit të Krimeve të Rënda (ZPKR) ndoqi penalisht pesë të pandehur (18 në vitin 2016); dy nga këta të dyshuar u ndoqën penalisht për trafikim të fëmijëve (nëntë në vitin 2016) dhe tre për trafikim të të rriturve (nëntë në vitin 2016). Gjykatat dënuan shtatë trafikantë (24 në vitin 2016); një trafikant u dënua për trafikim të fëmijëve (11 në vitin 2016) dhe gjashtë për trafikim të rriturish (13 në vitin 2016).

Të gjithë trafikantët e dënuar morën dënime me burg, të cilat variuan midis tetë vjet e tetë muaj në 17 vjet. Autoritetet vazhduan të hetonin dhe ndiqnin penalisht disa trafikantë për krimin më të lehtë të shfrytëzimit të prostitucionit. Autoritetet raportuan çoroditjen midis elementëve të shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit dhe, hera-herës, aplikuan akuzën më të lehtë sepse kërkonte më pak specializim dhe kohë ose për shkak të besimit të gabuar se krimet e trafikimit kërkonin një element ndërkombëtar.

Qeveria miratoi reforma gjyqësore që eventualisht do të ndryshojnë juridikisionin gjyqësor për rastet e trafikimit; çështjet që nuk lidhen me krimin e organizuar së shpejti do të kalojnë nga Gjykata e Krimeve të Rënda tek ato të rretheve, por autoritetet raportuan se prokurorët e rretheve nuk kishin përvojën dhe kapacitetin për të ndjekur penalisht sa e si duhet çështjet e trafikimit.

Qeveria administronte një task forcë të ngushtë për të shqyrtuar çështjet e suksesshme dhe të pasuksesshme të trafikimit; deri më sot, task forca ka shqyrtuar vetëm dy raste. Vëzhguesit raportuan se burimet e kufizuara dhe ndryshimet konstante brenda organeve ligjzbatuese krijonin pengesa në ruajtjen e kapaciteteve për të hetuar trafikimin. Hera-herës në bashkëpunim me shoqërinë civile, qeveria trajnoi 20 oficerë policie, 100 punonjës ligjzbatues vendor; 40 oficerë policie të kufirit; dhe 127 gjyqtarë, prokurorë dhe oficerët të policisë gjyqësore.

Qeveria nuk raportoi ndonjë hetim, ndjekje penale apo dënim të punonjësve qeveritarë të përfshirë në kundravajtje trafikimi; megjithatë, bashkëfajësia zyrtare dhe korrupsioni ishin shqetësime domethënëse. Qeveria nënshkroi marrëveshje ekstradimi me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut dhe kreu hetime të përbashkëta me agjencitë ligjzbatuese italiane dhe spanjolle.

MBROJTJA

Qeveria vazhdoi përpjekjet për mbrojtjen e viktimave. Qeveria dhe OJQ-të identifikuan 105 viktima të mundshme të trafikimit (95 në 2016). Nga këto, 49 ishin të rritur dhe 56 ishin fëmijë (51 të rritur dhe 44 fëmijë në 2016), dhe nëntë ishin të huaj (tetë në vitin 2016). Shtatëdhjetenëntë u identifikuan si viktima të mundshme dhe 26 u identifikuan zyrtarisht si viktima (62 viktima të mundshme dhe 33 të identifikuar zyrtarisht si viktima në 2016).

Një mekanizëm kombëtar referimi shumëdisiplinor ofronte procedura standarde të funksionimit për identifikimin dhe referimin e viktimave tek shërbimet. Qeveria, me mbështetjen e OJQ-ve, riaktivizoi njësitë e lëvizshme të identifikimit në tri rajone, por qëndrueshmëria e njësisë ishte e pasigurt për shkak të mungesës së personelit të përhershëm, formalizimit dhe burimeve; njësitë e lëvizshme të identifikimit identifikuan 26 viktima të mundshme. Gjithashtu, qeveria referoi 60 viktima të mundshme, shoqëria civile referoi 16 dhe tri u vetë-identifikuan.

Vëzhguesit raportuan se policia nuk identifikonte në mënyrë konseguente viktimat e trafikimit mes individëve në prostitucion dhe inspektorati i punës nuk kishte trajnimin e duhur për të identifikuar vikimat e punës së detyruar. Po kështu, përpjekjet e identifikimit për lypjen e detyruar mbetën të pamjaftueshme, sidomos mes fëmijëve të pashoqërua, fëmijëve të rrugës, dhe fëmijëve që lëviznin mes kufijve për të lypur. Personat në vijën e parë referuan viktimat e mundshme të trafikimit tek shërbimet sociale shtetërore që kryenin një intervistë të përbashkët dhe ofronin statusin zyrtar të viktimës.

Ligji ofronte shërbime të barabarta si për viktimat e mundshme ashtu edhe për viktimat e njohura zyrtarisht. Qeveria administronte një strehë të specializuar dhe mbështeste tri streha të specializuara që administroheshin nga OJQ-të.

Qeveria akordoi 20.2 milionë lekë ($182,640) për strehat e administruara nga OJQ-të për të mbështetur 29 paga personeli, krahasuar me 15.3 milionë lekë ($138,340) për të mbësshtetur 24 paga personeli në vitin 2016. Qeveria përdori 4.7 milionë lekë ($42,500) në vitin 2016 dhe 2017 nga fondi i posaçëm i aseteve kriminale të konfiskuara për të mbështetur shërbimet. Qeveria ofroi 5.5 milionë lekë ($49,730) për mbështjetje ushqimore për strehat e administruara nga OJQ-të, krahasuar me 1.8 milionë lekë ($16,280) në vitin 2016.

Megjithatë, qeveria riorganizoi Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Shërbimin Social Shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social, çka kontribuoi në vonesa në financime, përfshi financim për pagat e personelit dhe mbështetjen ushqimore. Strehat e administruara nga OJQ-të operonin nën kufizime financiare dhe mbështeteshin tek burimet e jashtme për kostot e funksionimit; mekanizmat financiare të qeverisë që synonin të financonin pjesërisht këto streha mbetën të ndërlikuara. Katër strehat përbënin Koalicionin Kombëtar të Strehave Anti-Trafikim dhe viktimat që kërkonin shërbime që nuk ishin në dispoziocion tek njëra qendër referoheshin tek një qendër tjetër brenda koalicionit.

Koalicioni ofronte asistencë për viktimat e trafikimit, përfshi ushqim, këshillim, ndihmë ligjore, kujdes mjekësor, shërbime arsimore, shërbime punësimi, asistencë për fëmijët e viktimave, mbështetje financiare, strehim afatgjatë, veprimtari shoqërore, trajnim profesional, si dhe ndjekje pas ri-integrimit. Qeveria ofronte trajnim profesional falas, tekste për viktimat fëmijë, si dhe kartela shëndetësore që ofronin akses falas në kujdesin shëndetësor; megjithatë, qeveria ofroi mbështetje të kufizuar për ri-integrim dhe nuk ofroi financim për shërbime riintegrimi.

Ekspertët raportuan se personat në vijnë e parë shpesh referonin individë që nuk ishin viktima të trafikimit në strehën e administruar nga qeveria, përfshi individë me probleme të shëndetit mendor apo viktima të krimeve të tjera. Strehat e administruara nga OJQ-të mbështetën 71 viktima dhe viktima të mundshme trafikimi (75 në vitin 2016) dhe streha e administruar nga shteti mbështeti 30 (30 në vitin 2016).

Strehat e administruara nga OJQ-të lejonin viktimat e rritura të largoheshin vullnetarisht nga streha, por ajo e administruar nga shteti kërkonte që viktimat të merrnin miratim nga drejtori i qendrës. Një qendër e administruar nga OJQ ofronte shërbime të specializuara për viktimat fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe viktimave meshkuj iu ofroheshin apartamente me qera, ku merrnin asistencë nga OJQ-të.

Viktimat e huaja kishin akses në të njëjtat shërbime si viktimat vendase dhe ligji ofronte për viktimat e huaja një periudhë tre-mujore reflektimi me status të përkohshëm rezidence dhe autorizim për të punuar për deri në dy vjet. Qeveria akordoi leje qëndrimi për gjashtë viktima të huaja në vitin 2017 (asnjë në 2016). Vëzhguesit raportuan se kishte personel profesionist dhe shërbim me cilësitë mirë në strehat e koalicionit por raportoi nivele të ulëta personeli në strehën e administruar nga qeveria pasi personeli u transferua në qendrën kundër dhunës në familje dhe mjediset kishin nevojë për rinovim.

Qeveria penalizoi një viktimë për një akt të jashtëligjshëm kryer si rezultat i drejtpërdrejtë i nënshtrimit ndaj trafikimit; ashtu si në raste të ngjashme në vitet e kaluara, autoritetet dënuan një viktimë të identifikuar zyrtarisht si viktimë trafikimi për prostitucion dhe e dënuan me tetë muaj shërbim prove. Qeveria mund të ketë deportuar, ndaluar apo kufizuar lëvizjen e disa viktimave të trafikimit për shkak të përpjekjeve të pamjaftueshme të identifikimit.

Prokuroria e krimeve të rënda zotëronte pajisje që lejonin dëshmi me anë të videokonferencave dhe viktimat që dëshmonin kundër trafikantëve kishin akses në programin për mbrojtjen e viktimave; një viktimë trafikimi u përfshi në program. Qeveria adoptoi një numër ligjesh që forconin mbrojtjen e fëmijëve brenda sistemit të drejtësisë penale, të tilla si pjesëmarrja e një psikologu në procedimet penale që përfshijnë fëmijë. Njëzetetre viktima trafikimi bashkëpunuan me agjencitë ligjzbatuese në hetime dhe ndjekje penale; megjithatë, qeveria nuk aplikoi me konseguencë hetime dhe ndjekje penale me viktimat në qendër.

Ligjzbatimi nuk ofronte siguri dhe mbështetje të mjaftueshme konseguente viktimat dhe familjet e tyre merrnin kërcënime gjatë procedurave gjyqësore dhe disa viktima dilnin përpara trafikantëve të tyre në procedurat në gjykatë, duke shkaktuar ritraumatizim. Viktimat mund të merrnin dëmshpërblim nga qeveria ose të ngrinin padi civile kundër trafikantëve; asnjë viktimë nuk kishte marrë ndonjëherë dëmshpërblim. Ligji ofronte asistencë për riatdhesim për qytetarët shqiptarë të identifikuar jashtë; katër viktima të mundshme u riatdhesuan nga Gjermania, Kosova, Holanda dhe Norvegjia (asnjë në vitin 2017).

PARANDALIMI

Qeveria rriti përpjekjet për parandalimin e trafikimit. Qeveria caktoi për Zyrën e Koordinatorit Kombëtar Antitrafikim (ZKKA) 5.7 milionë lekë ($51,540) në 2016 dhe 2017. Plani kombëtar për veprim skadoi në dhjetor 2017, por ZKKA, në bashkëpunim me një organizatë ndërkombëtare, organizoi tre mbledhje me aktorët e përfshirë për ngritjen e një plani të ri.

ZKKA vazhdoi të publikojë rregullisht raporte për veprimtarinë në faqen e internetit dhe organizoi katër mbledhje me aktorët e përfshirë në mekanizmin kombëtar të referimit. Dymbëdhjetë komitete rajonale anti-trafikim (KRAT), përbërë nga zyrtarë vendor dhe OJQ, punuan për parandalim dhe ndihmë për viktimat. Kryeministri nxori një urdhër për të forcuar KRAT duke ngarkuar agjencitë qeveritare që janë të detyruara të marrin pjesë, përfshirë shërbimet sociale, forcat ligjzbatuese, inspektorët e punës dhe përfaqësuesit e shëndetësisë. KRAT dhe koordinatorët kombëtarë anti-trafikim nga Mali i Zi dhe Kosova nënshkruan një deklaratë të përbashkët që siguronte aplikimin e një procedure standarde pune për mbrojtjen dhe riatdhesimin vullnetar të ndihmuar të viktimave.

KRAT, në bashkëpunim me shoqërinë civile, ndërmorri një fushatë ndërgjegjësimi një mujore dhe fushata të tjera ndërgjegjësimi, të cilat synonin studentët dhe mësuesit. KRAT gjithashtu zhvilloi mbledhje informale me përfaqësues të komuniteteve rome dhe egjiptiane. Linjat telefonike morën gjashtë telefonata në lidhje me trafikimin, të cilat iu referuan forcave ligjzbatuese.

Qeveria nuk bëri përpjekje për të rregulluar apo ndëshkuar rekrutët e punës për praktika ilegale, të cilat rrisin mundësinë e shfrytëzimit të emigrantëve jashtë vendit. Inspektorët e punës nuk kishin autoritetin për të inspektuar aktivitetet informale të punës, përfshirë dhe bizneset e parregjistruara. Qeveria ndërmori fushata ndërgjegjësuese mbi turizmin e seksit por nuk ndërmori hapa për të reduktuar kërkesën për punë të detyruar. Qeveria ofroi udhëzime anti-trafikim për personelin e saj diplomatik dhe koordinatori kombëtar informoi diplomatët shqiptarë të vendosur në nëntë qytete mbi rregulloret lidhur me trafikimin njerëzor.

PROFILI I TRAFIKIMIT

Siç është raportuar gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria është një vend burimi, tranziti dhe destinacioni për burra, gra dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar. Femrat dhe fëmijët shqiptarë i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar brenda vendit, sidomos gjatë sezonit turistik. Trafikantët përdorin premtime të rreme të tilla si oferta për martesë apo punësim për t’i detyruar viktimat të përfshihen në trafikimin seksual.

Trafikantët përdorin gjithnjë e më shumë median sociale për rekrutim viktimash. Fëmijët shpesh detyrohen të lypin ose të kryejnë të tjera forma punësh të detyruara, si shitje e artikujve të vegjël. Fëmijët shqiptarë, kryesisht nga komuniteti rom, shfrytëzohen në rajon për punë sezonale.

Pati edhe raste fëmijësh që detyroheshin të punonin në fusha kanabisi në Shqipëri dhe disa trafikantë me gjasë janë të përfshirë në trafik droge.

Viktimat shqiptare i nënshtrohen trafikimit seksual kudo në Europë, sidomos në Kosovë, Greqi, Itali, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Norvegji, Hollandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Viktimat e huaja nga vende europiane dhe Filipinet iu nënshtruan trafikimit seksual dhe punës së detyruar në Shqipëri.

Migrantët e parregullt nga Azia punësohen gjithnjë e më shumë si punëtorë shtëpie nga familje të pasura ku janë të prekshëm nga kushtet e skllavërisë në familje. Migrantët nga Lindja e Mesme, Azia Qendrore dhe Afrika kalojnë tranzit në Shqipëri për të arritur në Europën Perëndimore dhe janë të prekshëm nga trafikimi

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY