Për sa po shitet tek kompania Fusha toka e Teatrit?

Për sa po shitet tek kompania Fusha toka e Teatrit?

154
0
Shares

Gjergj Erebara/Birn/ Qeveria shqiptare dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë “me procedurë të përshpejtuar” një projektligj kontrovers që anashkalon kuadrin ligjor ekzistues për të dhënë me koncesion jashtë procedurave konkurruese 8,465 metra katrorë tokë publike në qendër të Tiranës. Tokaështë vlerësuar sipas një vendimi gjithashtu kontrovers të qeverisë “Rama” për 500 milionë lekë, ose më pak se 470 euro për metër katror, në një zonë ku një apartament i zakonshëm kushton mbi 2500 euro për metër katror, ndërsa një dyqan për 5 apo 6 mijë euro për metër katror.

Projektligji i qeverisë nuk ndryshon fare nga varianti fillestar, pavarësisht se kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, pas një turi takimesh të cilat ai i quajti “konsultime”, deklaroi të mërkurën se kishte arritur një marrëveshje me artistët protestues, e cila sipas tij do të reflektohej në dokument.

Projektligji parashikon ngritjen e një grupi negociatorësh të udhëhequr nga kryebashkiaku Veliaj, i cili do të shqyrtojë propozimin e kompanisë “Fusha” sh.p.k për të zhvilluar zonën e Teatrit Kombëtar dhe do të hartojë një projekt-kontratë me të.

“Kontrata ndërmjet pronarit-shtet dhe partnerit privat duhet të përmbajë propozimin e paraqitur nga shoqëria “Fusha”, sh.p.k.,sipas këtij ligji, i cili është vlerësuar nga komisioni negociator dhe do të jetë pjesë e pandashme e kontratës,” thuhet në projektligj.

Relacioni i projektligjit, i cili është dërguar nga qeveria “me procedurë të përshpejtuar” argumenton mjetin esktraligjor të përdorur, “procedurë e veçantë”, me tre precedentë ligjorë të vendosur gjithashtu nga qeveria “Rama”, dy nga të cilët janë praktikate dështuara për ndërtimine Rrugës së Arbrit nga një kompani kineze si dhe ndërtimi i portit të Karpenit nga një kompani fantazmë. Shembulli i tretëështë ndërtimi me negocim të veçantë i Aeroportit të Vlorës, i cili është në negocim e sipër.

Çmimi prej 470 eurosh për metër katrorë për tokën më të shtrenjtë në Tiranë është nxjerrë nga një vendim qeverie, përmes të cilit, qeveria synoi të ulë vlerën e kompensimit për tokat e sekuestruara pa të drejtë gjatë kohës së komunizmit. Ndërsa pronarët u ankuan për këtë ulje çmimi që nuk reflekton vlerën e tregut, qeveria përdor të njëjtin çmim për të privatizuar një pronë të rëndësishme publike.

Kërkesë e pakërkuar nga Fusha

Në 8 shkurt të këtij viti, artistët e Teatrit Kombëtar protestuan ndaj një kërkese të drejtorit Hervin Çuli për të braktisur ndërtesën historike dhe për t’u zhvendosur në një ndërtesë ende të papërfunduar. Artistët refuzuan të lëvizin dhe kërkuan transparencë.

Autoritetet mbajtën përkohësisht të fshehtë planin e tyre për Teatrin, ndërkohë qënë publik u shtuan zërat për atë që u quajt “domosdoshmëri e shembjes” së Teatrit. Kjo fushatë u udhëhoq nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili deklaroi mes të tjerash se godina e Teatrit “shkakton kancer” apo ishte e “rrezikuar nga zjarri”.

Relacioni zbulon se “kërkesa e pakërkuar” e kompanisë Fusha sh.p.k për të zhvilluar zonën e Teatrit Kombëtar i është dorëzuar në Bashkinë Tiranë në nj datë të pacaktuar ndërsa bashkia e ka dërguar në Ministrinë e Kulturës kërkesën më 23 shkurt të këtij viti. Kërkesa e kompanisë Fusha, e njohur për fitimin e disa tenderëve nga Bashkia e Tiranës dhe nga qeveria mbahet sekret. Ajo që dihet është që me mbërritjen e kërkesës, Bashkia e Tiranës ia nisi një sërë institucionesh, përfshirë Ministrinë e Kulturës.

Relacioni thotë se ndërtesat e Teatrit Kombëtar “nuk mbartin vlerë historike”, ndërsa vlera e tyre kontabël është 95 milionë lekë (rreth 760 mijë euro). Projektligji rreket gjithashtu të argumentojë se pse kërkesa e Fushës duhet të trajtohet jashtë kuadrit ligjor të ligjit “Për Partneritetin Publik Privat”, një ligj që, ndonëse lejon formën e shumëkritikuar të “kërkesave të pakërkuara”, imponon gjithsesi që kjo kërkesë të hidhet në garë publike ku mund të marrin pjesë kompanitë e tjera të interesuara.

Ligji i Partneritetit Publik-Privat thotë: “Propozuesi i propozimit të pakërkuar mund të marrë pjesë në procedurën e koncesionit/partneritetit publik privat me të njëjtat kushte si të gjithë operatorët e tjerë ekonomikë dhe nuk i jepet asnjë trajtim preferencial”.

“Modeli ekonomik i propozuarmbështetet në disa praktika të aplikuara më parë nga qeveria, përgjatë tri viteve të fundit 2016-2018, si mënyra inovative dhe që i japin zgjidhje optimale nevojave/kërkesave të palëve të përfshira,” thuhet në relacion.

Relacioni jep tre ligje të mëparshme, që të gjitha të qeverisë aktuale, si precedentë për projektligjin e jashtëzakonshëm. Ligjin për negocimin e rrugës së Arbrit me një kompani kineze, ligjin për negocimin e Portit të Karpenit me një kompani anonime dhe ligjin për aeroportin e Vlorës me disa kompani turke. Është ironike që dy nga tre nismat në fjalë kanë dështuar tashmë ndërsa e treta, aeroporti i Vlorës, është ende “në negocim”.

Argumenti se pse duhet një ligj i jashtëzakonshëm i dhënë nga qeveria në relacion është se “asnjë institucion publik “nuk do të shpenzojnë asnjë lek nga buxheti i shtetit dhe nga fondet publike”. Relacioni harron të thotë se toka e teatrit kombëtar është pronë publike, e cila i nënshtrohet mbrojtjes ligjore të pronës publike.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi shpalli në seancën e ditës së enjte (28 qershor), kërkesën e qeverisë për “procedurë të përshpejtuar” për miratimin e këtij projektligji. Kjo procedurë i jep mundësi qeverisë të marrë miratimin e projektligjit në parlament brenda “jo më pak se një jave” ndërkohë që procedura e zakonshme kërkon së paku tre javë.

Qeveria ka të drejtë të kërkojë shqyrtim me procedurë të përshpejtuar, por kjo zakonisht kërkon një situatë emergjence, ndërsa një projekt i tillë nuk duket se justifikohet me “situatë emergjence”.

Miratimi i projektligjit në qeveri u bë të mërkurën në darkë. Kryeministri Edi Rama shmangu vënien e firmës së vet, duke ia ngarkuar firmosjen e propozimit zëvendëskryeministres Senida Mesi.

Para miratimit në qeveri, Ministria e Kulturës publikoi një dokument në bazë së së cilit, një numër artistësh kanë shprehur mbështetjen e tyre për planin e qeverisë. Por i pari në listë, aktori i mirënjohur Pirro Mani, rezultoi se nuk gjendej në Shqipëri por në Shtetet e Bashkuara.

Pyetur nga gazeta Shekulli, bashkëshortja e tij, aktorja e mirënjohur Pavlina Mani mohoi që i shoqi të ketë firmosur një dokument për shembjen e teatrit ndërsa theksoi se Pirro Mani nuk e ka firmosur dokumentin.

“Pirro Mani ka rreth dhjetë vjet që s’ka lëvizur nga Amerika, e çfarë firme mund të ketë vënë ai, në qoftë se ai është këtu në Amerikë. Lëreni të qetë se është në fund të viteve të jetës së vet, është i sëmurë,” citohet të ketë thënë ajo.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY