ZYRTARE/Zbardhet rezoluta gjermane me kushtet e reja për Shqipërinë

ZYRTARE/Zbardhet rezoluta gjermane me kushtet e reja për Shqipërinë

144
0
Shares

Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel do ta informojë të enjten në një deklaratë qeveritare Bundestagun për samitin e 28 dhe 29 qershorit të BE.

Në këtë samit do të kërkohet konsensus për reformën e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit (GEAS) dhe veçanërisht për direktivën Dublin III. Në samit do të flitet edhe për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë me BE.

Qeveria gjermane është shprehur në mbështetje të vendimit të Komisionit Evropian për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë. Në projektrezolutën përkatëse të përgatitur Bundestagu e mbështet qeverinë.

Dritë dhe hije në përparime

Në projektrezolutën për Shqipërinë, Bundestagu e mbështet perspektivën e Shqipërisë për në BE dhe “vlerëson përpjekjet për reforma të Shqipërisë”. “Gjermania dhe BE kanë interes të veçantë për stabilizimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon”, shkruhet në projektrezolutë. “Zbatimi i reformës së gjerë në drejtësi ka nisur”, vetingu “po jep rezultate konkrete”. Po të zbatohet me sukses kjo procedurë “Shqipëria do të jepte një kontribut të pashembullt paraprak”. Rëndësi të veçantë merr edhe vazhdimi i ngritjes së autoritetit për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar (SPAK).

Por njëkohësisht Bundestagu konstaton se megjithë sukseset, ka ende deficite. Në këtë kuadër projektrezoluta kujton rrethanën se “deri në mes të 2018-ës duhet ta kenë kaluar procesin e vetingut më shumë se gjysma e rasteve të përcaktuara si prioritare”.

Korrupsioni në të gjithë sistemin juridik vazhdon të jetë problem. “Përparime të ndjeshme janë bërë” në luftimin e “kultivimin dhe tregtinë me kanabis”, konstaton Bundestagu.

Në projektrezolutë konstatohet vazhdimi i parregullsive në administratën publike. Citohet i Ngarkuari për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil në Shqipëri me shifrën 30 për qind të rasteve si punësime të kundraligjshme në administratën publike.

Kërkesa shtesë për reformën e ligjit zgjedhor

Bundestagu konsideron “të nevojshme” zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIR-it dhe të Komisionit të Venecias të 2013 dhe 2015 për reformën e ligjit zgjedhor, “edhe nëse kjo nuk është pjesë e katalogut evropian të kërkesave”.

Në këtë sfond, Bundestagu Gjerman është i pikëpamjes se vendimi për nisjen e negociatave me Shqipërinë duhet të merret vetëm me “kushte të formuluara qartë”.

Bundestagu shpreh dakordimin që qeveria gjermane “ta miratojë një vendim të Këshillit Evropian për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.

Veç kësaj, në pikën 1 të projektrezolutës, Bundestagu i kërkon qeverisë që ta miratojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin Evropian vetëm

a) nëse ‘konferenca e parë e anëtarësimit’ zhvillohet kur qeveria gjermane të ketë ‘konstatuar plotësimin e këtyre kushteve nga Shqipëria’:

– plotësimin e përfundimit të rivlerësimit të 57 gjykatësve dhe prokurorëve të gjykatave më të larta të përcaktuar si prioritarë në kuadër të vetingut dhe largimin nga shërbimi të personave me përfundime negative

– kur qeveria shqiptare të ketë paraqitur një ligj për një reformë të ligjit zgjedhor

b) konferenca e dytë e anëtarësimit të zhvillohet vetëm atëherë kur Këshilli të ketë konstatuar se janë plotësuar këto kushte:

– zbatimi i ligjit për reformën e nisur të ligjit zgjedhor

– të kenë nisur ndjekje penale për gjykatë e prokurorë të konstatuar në veting se kanë bërë shkelje penale

– të jetë angazhuar një strukturë speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar (SPAK)

– të jenë shtuar përpjekjet për të garantuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të SPAK përmes pajisjes së tyre me numër të mjaftueshëm gjykatësish e prokurorësh të verifikuar

– të ketë përparime solide në luftimin e kriminalitetit dhe të korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe nëpunësit e lartë civilë dhe politikanët. Këtu bëjnë pjesë ‘hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar’.

– rezultate të prekshme në reformën e administratës…duke përfshirë edhe ‘verifikimin e punësimit të nëpunësve civilë të rangut të lartë dhe të drejtorëve’.

– të vazhdojë me intensitet luftimin e tregtisë dhe të kultivimit të drogës në Shqipëri.

Në pikën 2, projektrezoluta e Bundestagut kërkon që ‘nëse Shqipëria pas hapjes së negociatave për anëtarësim e zvarrit, ndërpret ose e kthen mbrapsht plotësimin e detyrimeve, të ndalen negociatat e anëtarësimit’.

Ndërsa në pikën 3, projektrezoluta i kërkon qeverisë që të bëjë të qartë se Shqipëria duhet të ndërmarrë ‘përpjekje shtesë të konsiderueshme’ për ta garantuar sundimin e ligjit dhe vazhdimin e Vetingut.

‘Zbulimi dhe konfiskimi i mjeteve financiare në lidhje me korrupsionin’ kërkohet shprehimisht në këtë kuadër.

Kapituj që të shoqërojnë të gjitha negociatat

Bundestagu Gjerman kërkon në pikën 4 të projekt-rezolutës për Shqipërinë që marrja me fushat me rëndësi qendrore “(para së gjithash kapitulli 23 Pushteti gjyqësor dhe të Drejtat Bazë, 24 Drejtësia, Liria dhe Siguria) “të kryhet që në fillim të negociatave dhe të përfundojë vetëm në mbyllje të negociatave”.

Planet e veprimit të propozuara nga Komisioni për këtë ‘të kenë afate dhe objektiva të qarta’.

Veç elementëve të përmendur më lart, në pikën 5 të projektrezolutës kërkohet që të mbeten ‘pikërëndesa të negociatave” edhe “liria e mediave dhe e shtypit’, ‘të drejtat e personave në nevojë për mbrojtje dhe e pjesëtarëve të minoriteteve’, si dhe ‘një shoqëri e gjallë civile’.

Bundestagu kujton në pikën 6 të projektrezolutës se nuk duhet të ketë një anëtarësim automatik të Shqipërisë, ‘për shembull duke përmendur një datë anëtarësimi pa përfunduar negociatat’.

Ndërsa në pikën 7 Bundestagu i kërkon qeverisë gjermane që të luftojë që për ‘aquis communitaire’ të miratohen ‘sa më pak dispozita kalimtare dhe përjashtime’.

Bundestagu kërkon në pikën 8 që qeveria gjermane të angazhohet që ‘Shqipëria t’i plotësojë që në procesin e anëtarësimit kërkesat e Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes së BE si dhe kriteret e stabilitetit të Marrëveshjes së Mastrihtit përpara se të anëtarësohet edhe zyrtarisht në bashkimin monetar’.

Së fundi, në pikën 9 Bundestagu kërkon që të informohet në vazhdimësi për stadin e negociatave dhe që përparimet e Shqipërisë drejt anëtarësimit të mos vlerësohen vetëm nga Komisioni, por ‘rregullisht edhe nga qeveria gjermane, duke angazhuar përfaqësitë diplomatike’.

/DW

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY