Nga FAKTOJE
MERXHAN DACI & ANXHELA RUÇI
Prej dekadash dibranët presin që të vijnë në Tiranë për më pak se një orë. “Rruga e Arbrit”, projekti që do t’ua bënte realitet këtë ëndërr ende nuk ka marrë jetë.
Ndërtimi i kësaj rruge pritet të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme distancat e transportit që lidhin kryeqytetin shqiptar dhe portin e Durrësit me Dibrën, Shkupin dhe trevat e tjera në Maqedoni.
Por, për këtë rrugë ka pasur më shumë deklarata dhe premtime sesa punë. Historia e premtimeve të pambajtura daton që nga koha e “Qeverisë Berisha”. Dy vitet e fundit për këtë rrugë të shtyrë deri në pafundësi ka pasur dhjetra premtime të pambajtura dhe gënjeshtra.
Shpeshherë kjo rrugë është përdorur politikisht, sidomos në fushata elektorale.
Së fundi, më 12 qershor, nga Durrësi kryeministri Rama u shpreh se këtë të dielë më në fund do të nisë kantieri i ndërtimit.
Kjo është një retrospektivë e “Faktoje” me disa prej deklaratave dhe premtimeve të pambajtura për Rrugën e Arbrit:
8 qershor 2015, Shkëlqim Cani: Nga vjeshta fillon Rruga e Arbrit me tunelin e dytë (Murrizi) pastaj dhe me urën e Vashës që është shumë e lartë dhe nga veprat e rralla në Shqipëri, ky është premtimi kryesor që kemi dhënë për Qarkun e Dibrës.
30 dhjetor 2016, Rama: Do ta mbaroj unë si kryeministër, Rruga e Arbrit është në proces, ka filluar procedura dhe sipas llogarive të bëra në pranverë do të kemi kontratën me fituesin e garës dhe do të çelim punimet për Rrugën e Arbrit. Nga do që të shkojmë viti i ardhëm do të jetë viti i fillimit të punës, gjysma e parë e vitit të ardhshëm, shpresoj shumë.
12 prill 2017, Rama në Facebook: Projekti i parë i Programit Kombëtar 1 Miliardë për Rindërtim hyri sot në fazën finale: RRUGA E ARBERIT. Pas 25 vjetësh premtime boshe e zhgënjime pas çdo votimi, viti 2017 është viti i nisjes së punës për këtë aks, që e bën Dibrën fqinje të afërt të Tiranës dhe do t’i japë hov zhvillimit ekonomik, social e turistik të një zone të tërë bukurish e burimesh të jashtëzakonshme natyrore, që për çerekshekulli u la në rrënimin e harresës.
30 maj 2017, Rama: Në gusht mbyllim kontratën, në shtator fillon puna
14 qershor 2017, Rama në Peshkopi: Rruga e Arbrit që është një zotim solemn i yni do të nisë nga puna me të përfunduar kontrata, procedura është drejt përfundimit dhe brenda shtatorit ne do të fillojmë punën.
30 tetor 2017, Rama: Ministria ka nisur negociatat për termat e kontratës me kompaninë që rezultoi fituese në garë dhe ne jemi shpresplotë që në harkun e 30-45 ditëve maksimumi kontrata do të finalizohet dhe puna për rrugën e Arbërit do të fillojë për të mos u ndalur më deri në përfundimin e këtij aksi të rëndësishëm.
11 nëntor 2017, Gjiknuri në Bulqizë: Vitin tjetër fillojnë punimet dhe në krye të 3 vjetëve maksimumi Dibra do të jetë e lidhur me Tiranën.
7 maj 2018, Rama në Lezhë: Them se brenda majit ne do të çelim më në fund kantierin e Rrugës së Arbrit që do të fillojë dhe nuk do të ndalet më puna deri kur të ketë mbaruar përfundimisht.
15 maj 2018, Xhaçka: Më në fund kanë ardhur mjetet, për dy javë fillon puna për rrugën e Arbrit, dhe ambicja jonë është që brenda tre viteve Tiranë-Bulqizë që do të lidhet për vetëm 30 minuta të ketë përfunduar.
9 qershor 2018, Rama: Së shpejti nis puna për një sërë veprash të reja infrastrukturore, Rruga e Arbrit shkurton distancën mes Tiranës dhe Bllatës në vetëm 74 km.
12 qershor 2018, Rama në Durrës: Më në fund do ti japim fund 100 viteve ëndrra, heshtje, pritje, premtime, zotime, betime për rrugën e Arbrit jo më larg sesa të dielën e ardhshme ku hapet kantieri i parë i madh i programit tonë “1 miliardë për rindërtim” i cili do të pasohet nga të tjera kantiere dhe do të realizohet ajo që kemi thënë në fushatën e kaluar.
Meqë kompania fituese është shpallur, “Faktoje” pyeti në rrugë zyrtare Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë nëse ka një datë për fillimin e punimeve për rrugën por nuk mori asnjë përgjigje.
Pas kaq shumë premtimesh dhe pas deklaratës së fundit të kryeministrit Rama, le të presim nëse e diela do ti japë fund 100 viteve ëndrra, heshtje, pritje, premtime, zotime, betime për rrugën e Arbrit, ashtu siç u shpreh kreu i qeverisë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/