Debati për Teatrin, të gjithë kundër Ramës: Projekt mafioz që duhet ndalur

Debati për Teatrin, të gjithë kundër Ramës: Projekt mafioz që duhet ndalur

117
0
Shares

Tentativa e qeverisë dhe Bashkisë Tiranë për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar, përmes një ligji të posaçëm i cili do të kalojë tinëz në Kuvend me votat e mazhorancës, po gjen kundërshti të madhe jo vetëm nga artistët, por edhe nga opinionistët në vend.

Lapsi.al sjell përmbledhtazi qëndrimet e Artan Fugës, Mark Markut, Agron Gjekmarkajt, Andi Bejtes dhe Mustafa Nanos.

Në shkrimin ‘Teatri i turpit kombëtar’ te ‘Panorama’, Mark Marku e cilëson tipik mafioz projektin e qeverisë. Ai thotë se Rama dhe Kumbaro e dinë shumë mirë se shembja e godinës së teatrit është një marrëzi, teksa sjell shembullin e Teatrit të Komedisë në Paris, një godinë modeste, që vazhdon të qëndrojë aty mes kullave të larta.

“Të shembësh Teatrin Kombëtar dhe t’ia japësh për të ndërtuar kulla një ndërtuesi është thjesht një krim, një rrugaçëri kulturore, një bjerrje e vetëdijes intelektuale, një degradim moral e s’di çfarë të them tjetër, pasi gjuha shqipe është ende e varfër për t’i shënjuar lapërdhi të tilla”, thotë Marku. Ndërsa për kryebashkiakun Erion Veliaj, shprehet se ai hyn në atë takëm njerëzish që “s’ka as thelb, as përmbajtje” dhe se jeta për të është ‘pema që mbjell vetë përpara kamerës’.

“Ata e dinë ç’po bëjnë dhe s’kanë as një dyshim për këtë: në i lëntë shoqëria shqiptare, do ta bëjnë”, shkruan Marku, teksa po bën thirrje për rezistencë dhe rrethim të Parlamentit, në mënyrë që deputetët të mos kenë nga të futen. “Dhe nëse qytetarët nuk i mbështesin, atëherë bëhet e qartë se kjo shoqëri nuk e meriton Teatrin, le ta gëzojë estradën qeveritare”, e mbyll shkrimin Mark Marku.

Për Agron Gjekmarkajn kjo që po ndodh me Tetarin Kombëtar është një tragjikomedi që po luhet në oborrin e asaj godine. Njësoj si Mark Marku, edhe Gjekmarkaj drejton gishtin nga kryeministri Edi Rama, ministrja Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Këta dy të fundit thotë Gjekmarkaj, përgatitën projektligjin famëkeq “që i saldon ata në krah të interesave të Edi Ramës dhe i vendos si askend tjetër kundër artistëve, njerëzve të kultures e kujdo që respekton dicka nga tradita e këtij vendi”

“Edi Rama nuk ka fuqi ta mbajë mbi vete këtë. Ai do ta ndajë këtë përgjegjësi të turpshme me parlamentin duke i bërë të gjithë, bashkëfajtorë! Edi Rames i intereson nomadizmi, një vend pa kujtesë, pa kritikë që ti sundojë më lehtë shqiptarët. Si mund të pretendosh integrimin ne Europe kur shemb të vetmin Teatër Kombëtar?”, thotë Gjekmarkaj në analizën e tij të botuar te ‘Panorama’.

Gjekmarkaj, përveç reagimit qytetar kërkon edhe politizim maksimpal të kësaj çështje prej opozitës, për t’i dalë në mbrojtje Teatrit Kombëtar. “Opozita duhet të mobilizojë qytetarët. Këtu nuk kemi një audiopergjim që pret ekspertizë, kemi një grabitje, një dhunë të hapur e cila me vendosmëri mund të ndalet”, shprehet Gjekmarkaj.

Profesor Artan Fuga, tentativën për prishjen e Teatrit Kombëtar e shikon në një kënd më të gjerë sesa thjesht prishja e një godine. Sipas tij, Teatri Kombëtar si përmbajtje është i marrë fund për shkaqe të ndryshme që ai i analizon në shkrimin me titull ‘Shkallmimi i Teatrit: Psikanaliza e një vetëvrasje kolektive’, botuar te ‘Panorama’. Fuga shkruan se radha e shkallmimit të ndërtesës së teatrit, po vjen pasi janë shkatërruar një sërë vlerash paraprake.

“Ndërtesa e teatrit është hallka e fundit simbolike e një sistemi shkatërrues që na ka pllakosur ndër vite. Ndërtesa e teatrit është rënia e fundit. Shkallmimi i fundit. Ra arti shqiptar, ra drama shqiptare, ra trupa e aktorëve, ra kultura artistike e popullsisë, ra qyteti duke u kthyer në fjetore e vend ndihmash sociale, ra arkitektura dhe vlerat e së kaluarës, ra trashëgimia kulturore. Tani duhet të bjerë edhe ndërtesa e teatrit, sikurse bie një kokërr mollë pasi ke prerë trungun e pemës dhe degët që e mbanin”, shkruan Fuga, duke theksuar se ndërtesa e teatrit paguan haraçet e dramës së teatrit, e teatrit si art skenik”

Në vijim të analizës së tij, Fuga shikon një urrejtje të politikës ndaj teatrit.

“Ndërtesa e teatrit tërheq mbi vete inatin me teatrin, sepse arti skenik prodhon plastikë individësh të adhuruar nga turmat. Inkoshienca e politikanit e do këtë, të luajë vetëm në skenat e vendit. Skena e mitingut të mos konkurrohet nga skena e tetarit, nga auditorët, të mos brohorasë tifozi futbollistin në fushë. E gjitha do të ishte një energji e ikur kot politikisht. Prandaj ka një urrejtje simbolike që përplaset te muret e dobëta të ndërtesës së teatrit, e cila në fakt paguan inatin kolektiv politik kundër teatrit”, vijon shkrimi i tij.

E megjithatë në fund ai tregohet optimist duke thënë se pavarësisht të gjithave askush nuk do të jetë në gjendje ta shkallmojë ndërtesën e teatrit. Në dallim nga Marku dhe Gjekmarkaj, Fuga nuk bën thirrje për rezistencë apo protesta.

“Unë nuk besoj se ka nga ata që e përballojnë fajësimin që sjell kënaqësia e çastit për ta fshirë nga fusha pamore diçka që sjell trauma të papërballueshme. Me gisht do të shënohej kushdo që do ta ndërmerrte atë akt jashtë kontrollit të arsyes. Dhe në gjunjë do të binte duke qarë me lot, pa mundur më të riparonte atë që u shkatërrua, pikërisht se ka ngjizur kombin dhe që simbolizon demokracinë. Atë që me heshtjen, ndoshta me amiantin e vet, na tregon se kush jemi e nga se vuajmë”, përfundon Fuga.

Gazetari Andi Bejtja, në shkrimin me titull “Beteja për teatrin, betejë mes civilizimit dhe barbarisë”,botuar te Lapsi.al shkruan ndër të tjera se rezistenca për të ndaluar prishjen e teatrit është më shumë sesa prishja apo rindërtimi i një godine. Ai thotë se kemi të bëjmë me një betejë midis civilizimit dhe barbarisë.

“Sot, kjo betejë, edhe pse deri tani ka pak njerëz të përshfshirë në të, është një betejë historike dhe historia ka vetëm dy anë: o me civilizimin o me barbarët. Sot Sqhipëria nuk ka as të majtë, as të djthatë, as qendër, sot o je me civilizmin o je me barbarinë. Mund t’i shpëtosh gjykimit të historisë sot, por askush nuk ka për t’i shpëtuar nesër. Sot ke vetëm dy rrugë për të zgjedhur o të jesh qytetar o barbar”, shkruan Bejtja.

Mustafa Nano është i mendimit që Rama e ka ndarë mendjen për ta çuar deri në fund idenë e tij për shembjen e godinës së teatrit dhe ndërtimin e dy kullave, por ai i sugjeron se duke e tepëruar me skemën e partneritetit publik-privat, do të thyejë qafën. Për Nanon ideja e ndërtimit të një teatri të ri është tërësisht jo transparente.

“E gjithë kjo punë po bëhet me ngut, si fshehurazi, si për inat, si për një karshillëk. Kështu ka nisur qysh në krye të herës, qysh me lajmin se ndërtesa e Teatrit Kombëtar do shembet e në vend të saj do ndërtohet një tjetër. Pastaj erdhi konferenca për shtypin që organizoi Kryeministri Rama, në të cilën publikut iu hodh syve një projekt i Teatrit të ri. Nuk u mor vesh se nga mbiu ai projekt, pse ish bërë, për sa kohë që askush nuk e kish kërkuar. Nuk u mor vesh se ku është ai projekt, pasi askush nuk e ka parë me sy, nëse përjashtojmë një karabiná që është parë nëpër portale”, thotë Nano në një intervistë për ‘Tema Tv’, duke theksuar gjithashtu se deri më tani Edi Rama s’ka denjuar as të presë në një takim protestuesit për teatrin.

Formën e PPP-ve, thotë Nano, njerëzit e perceptojnë si një “ortakëri ilegale mes qeverisë e biznesit për të bërë një shpërndarje të pilotuar të ca parave publike në duar private”. Duke komentuar kullat që do të ngrihen në atë zonë, Nano shprehet se “Rama kërkon të mbetet në histori si krijuesi i një qyteti tjetër, i një monstre në fakt, sepse e tillë është Tirana e krijuar prej tij, një monstër, një Frenkenshtein që të kall datën. Po t’i shtojmë këtij qyteti edhe shtatë kullat, Frenkenshteini bëhet edhe më i frikshëm. Është qyteti më i shpifur në Europë”

Sa i përket rolit të Erion Veliajt, në shembjen e teatrit, Nano thotë se ‘ai i atashohet vullnetit të Ramës. Verbazi. Me entuziazëm’, kur vjen puna tek vendimet e mëdha. Sipas Nanos, Veliaj as që e çon në mend t’i kundërvihet Edi Ramës. Në dallim nga Gjekmarkaj që i bënte thirrje opozitës ta politizonte këtë çështje, Nano është i mendimit se opozita mund të jetë e “përfshirë kokë e këmbë në këtë biznes dhe për ta fshehur këtë gjë, bëjnë sikur janë të shqetësuar”. Ai shton se qëndrimet e opozitës vetëm sa kanë bërë pis protestën e aktorëve, duke mbajtur larg protestës shumë njerëz.

Nano bashkohet me Gjekmarkajn kur thotë se kjo është një bëmë e madhe, përgjegjësinë e së cilës Rama nuk do ta mbajë vetë, prandaj po e çon ligjin në Kuvend. Ai shprehet i bindur që deputetët e PS-së do ta votojnë dhe se kjo është tashmë një çështje e mbyllur.

“Vetëm një protestë e madhe civile, qytetare, mund ta bëjë Ramën ta kthejë mbrapsht vendimin e tij. Mirëpo, nuk shoh që një protestë e tillë të ndodhë. Këtu është vrarë njëherë e mirë ideja e protestës civile”, shprehet Nano./lapsi

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY