I presin veshin, prokuroria e quan plagosje të lehtë. Mjeku ligjor: Bëj...

I presin veshin, prokuroria e quan plagosje të lehtë. Mjeku ligjor: Bëj operacion plastik!

425
0
Shares

“Fiks Fare” denoncoi sorollatjet e një qytetari nga Patosi, i cili, megjithëse është gjymtuar, nuk ka gjetur ende zgjidhje nga institucionet e drejtësisë.

Eduard Dervishaj u ankua se, në muajin shkurt 2018 është goditur me mjete të rënda nga tre persona, në lokalin e tij në fshatin Rërëz në Patos. Ai tha se ka pësuar goditje në kokë, kraharor, në kurriz, madje edhe në sy. Por, dëmtimin më të rëndë e kishte marr në veshin e djathtë, ku një pjesë i është prerë.

“Denoncova rastin në “Fiks Fare” se policia dhe Prokuroria e Fierit po e cilësojnë ngjarjen si plagosje të lehtë. Pas ngjarjes, unë u ekzaminova në Mjekësinë Ligjore në Fier, e cila doli në konkluzionin se dëmtimet janë plagosje e rëndë. Më pas u mjekova në Spitalin Ushtarak dhe në QSUT. Dëmtimet ende i vuaj, pasi në njërin sy shikoj turbull, ndërsa veshi i djathtë më është prerë”, thotë Dervishaj.

Ai shton se, çështja po ndiqet nga prokurori i Fierit, Dorian Tafili, i cili nuk e ka marrë asnjëherë në pyetje. “Të vetëm herë që më kontaktuan ishte momenti kur më kërkuan që të bëja riekspertimin në Mjekësinë Ligjore. Më telefonuan disa herë dhe shkova te IML-ja në Tiranë. U ekzaminova nga mjekoligjori Elmaz Shaqiri. Më priti vetëm 1 minuta dhe, në fund, më tha se nuk kisha asnjë gjë. Më tha të shkuara”, vijon Dervishaj.

Ai thotë se këtë ekzaminim e ka regjistruar, ndërsa doktori e pyet vetëm për disa gjëra të përgjithshme, pa e ekzaminuar. Madje, nuk konstaton as prerjen e veshit.

Qytetari thotë se drejtësia po i manipulon provat dhe për pasojë akuzën ndaj autorëve. Deri më tani çështja është hetuar për plagosje të rëndë, e cila ka një dënim për autorët deri në 10 vite burg. Ndërkohë, me klasifikimin e ri të ngjarjes, siç është plagosje e lehtë, dënimi shkon nga gjobë deri në dy vite burg.

“E gjitha bëhet për shkak të korrupsionit në drejtësi. Kërkoj vetëm drejtësi”, thotë Eduard Dervishaj.

Pas riekzaminimit, Mjekësia Ligjore në Tiranë i dërgoi Prokurorisë së Fierit raportin e akt-ekspertimit ligjor. Në raport thuhet se dëmtimet e konstatuara hyjnë në kategorinë e dëmtimeve që sjellin humbjen e aftësisë për punë mbi 9 ditë. “Por, për të vlerësuar kriterin e “shëmtimit” është e nevojshme ekzaminimi i shtetasit pas ndërhyrjes kirurgjikalo-plastike”.

Pra, Mjekësia Ligjore në Tiranë përcaktoi disa muaj pas ngjarjes se plagosja është e lehtë, duke rrëzuar raportin e Mjekësisë Ligjore në Fier, të bërë menjëherë pas ngjarjes, se dëmtimet konsideroheshin plagosje e rëndë.

Neni 88 i Kodit Penal, që bën fjalë për plagosjen e rëndë me dashje, përcakton se “plagosja e kryer me dashje që ka sjellë si pasojë gjymtimin, shëmtimin ose çdo dëmtim tjetër të përhershëm të shëndetit …, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet”. Ndërkohë, plagosja e lehtë parashikon një dënim nga gjobë deri në 2 vjet burg.

Pas denoncimit, ai shkon të takojë oficerin e policisë Arben Turtulli. OPGJ-ja i thotë se me klasifikimin e ri që ka bërë IML-ja në Tiranë, ngjarja është klasifikuar si plagosje e lehtë. Ai i kërkon që “viktima” të firmosë një procesverbal për ndjekjen penale të autorëve, me akuzën e plagosjes së lehtë.

Sipas OPGJ-së, kjo gjë kërkohet pasi është procedurë ligjore. Ai e fton në zyrë dhe pasi bisedojnë për disa minuta, shkruan edhe procesverbalin. Qytetari i kërkon ta shohë edhe një herë, të konsultohet me një avokat dhe më pas të shkojë ta firmosë. Por, OPGj-ja nuk i lë kohë, madje ia merr nga dora dhe e hedh në kosh. Ai i kërkon të dalë nga zyra dhe, nëse e firmos, ka të drejtë të marrë një kopje. Oficeri i thotë të shkojë të flasë me prokurorin Dorian Tafili.

Qytetari shkon në Prokurorinë e Fierit, dhe pasi merr disa akte, kërkon të takojë prokurorin Tafili. Ai e kërkon disa herë. Fillimisht, punonjësi i bëjnë me dije se prokurori nuk është në zyrë. Por, pas insistimeve, ata i thonë se prokurori nuk do ta takojë.

Dervishaj shkon edhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku takon mjekun Elmaz Shaqiri. Ai i kërkon doktorit si e ka bërë këtë akt ekspertimi, pa e ekzaminuar. Doktori i thotë se nuk mund ta pyesë, pasi çështja ka kaluar në komision. Sipas tij, problemi i tij është pikërisht te “shëmtimi”. Dhe, për frazën se duhet të vijë edhe njëherë për riekspertim pasi të ketë bërë operacionin kirurgjikalo-plastik, doktori i thotë se ashtu është. Qytetari i kërkon llogari përse e ka shkruar në këtë mënyrë, pasi gjendja e tij është kjo aktuale dhe jo ajo pas operacionit dhe se kush duhet ta bëjë operacionin. “Ti duhet ta bësh”, i drejtohet doktori qytetarit, ndërsa kërkon edhe “përforcime”.

Në vendngjarje mbërrin edhe një punonjës policie, i cili e largon qytetarin nga ambientet e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Pra, në të gjitha institucionet që shkoi qytetari, i cili në këtë rast ishte viktima, zyrtarët nuk denjuan ta presin. Ata e nxjerrin përjashtë!

/TCH/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY