DETAJE/ Vrasja e paralajmëruar, pse Xhuljeta nuk e mori urdhrin e mbrojtjes...

DETAJE/ Vrasja e paralajmëruar, pse Xhuljeta nuk e mori urdhrin e mbrojtjes dhe si Xhaferi i kishte shpëtuar arrestimit

176
0
Shares

Vrasja e maturantes Xhuljeta Çuni mëngjesin e së premtes në Tiranë, ishte krimi i radhës i paralajmëruar nga vetë ajo një muaj më parë. Megjithatë, edhe pse i ishte drejtuar Policisë duke denoncuar përndjekjen dhe dhunën psikologjike që ushtronte ish-i dashuri Xhafer Mata, për 19-vjeçaren nuk mund të lëshohej urdhër mbrojtjeje.

Duke qenë se ajo nuk ishte në një marrëdhënie familjare apo bashkëjetuese e autorit, ligji nuk parashikon lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Por megjithatë, parashikon që në rastet kur përndjekja është e përsëritur dhe i shkakton ankth e frikë të dëmtuarës, autori duhet të arrestohet. Por në rastin e 19-vjeçares Xhuljeta Çuni nuk kishte ndodhur kështu. Policia një muaj më parë ka proceduar në gjendje të lirë autorin Xhafer Mata, duke referuar materialet në Prokurori.

Por siç ndodh rëndom, çështja ishte mbyllur aty, pa asnjë veprim të mëtejshëm. Ndërsa viktima, disa ditë më vonë, e shtyrë nga familja dhe mentaliteti, kishte tërhequr denoncimin. Burime nga Policia thanë se në kushtet kur autori i vrasjes ka kryer edhe vetëvrasje, dosja shkon drejt mbylljes. Megjithatë, për zbardhjen e plotë të rrethanave e motiveve të ngjarjes, priten dëshmitë e familjarëve të vajzës dhe djalit, të cilët ende nuk janë pyetur nga Policia.

Të shtunën, dy të rinjtë janë përcjellë në banesën e fundit. Njoftimet e vdekjes së tyre ishin vendosur pranë njëri-tjetrit, në të njëjtën shtyllë, në rrugën “Jordan Misja”. Por ceremonia e varrimit për Xhafer Matën është zhvilluar në Kukës, ndërsa për Xhuljeta Çunin, në Tiranë.

Ngjarja

Rreth orës 08:10 të së premtes, në zonën e “Don Boskos”, në rrugën “Eshref Frashëri”, Xhafer Mata, 31 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri, një pistoletë “TT”, ish-të dashurën e tij, Xhuljeta Çuni, 18 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në vendngjarje. Autori më pas ka qëlluar dhe veten me armë zjarri dhe është transportuar në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë, ku ka ndërruar jetë rreth një orë më vonë.

Nga provat e gjetura, dëshmitë dhe pamjet e disa kamerave në biznese të ndryshme rreth vendngjarjes, oficerët e Policisë kanë rindërtuar skenën e krimit. Burimet thanë se viktima Xhuljeta Çuni ishte nisur nga shtëpia e saj që ndodhet pranë shinave të trenit në fund të rrugës “Jordan Misja”, drejt shkollës “Qazim Turdiu”, që ndodhet në “Don Bosko”. Ajo do të jepte provimin e dytë të Maturës, atë të Letërsisë.

Në rrugën “Eshref Frashëri”, që ndodhet mes një blloku pallatesh, pak metra larg shkollës ku ajo do të shkonte, është përballur me Xhafer Matën, i cili i ka ardhur nga pas, pasi kishte dalë për ta pritur në rrugë. Kur e ka parë që mbante një pistoletë në dorë, vajza ka tentuar të largohet me vrap duke kaluar rrugën, por autori e ka arritur dhe e ka qëlluar. Për pak sekonda dy të rinjtë kanë debatuar dhe në këtë kohë 31- vjeçari ka qëlluar vajzën nga afër. Më pas, kur ajo ishte ende në jetë, është përkulur në gjunjë pranë saj dhe e ka qëlluar edhe një herë nga afër. Plumbi i dytë i ka marrë jetën menjëherë 18-vjeçares.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY