Muaji i shenjtë i Ramazanit, Meta shtron Iftar në Pallatin e Brigadave

Muaji i shenjtë i Ramazanit, Meta shtron Iftar në Pallatin e Brigadave

138
0
Shares

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shtruar në Pallatin e Brigadave një darkë Iftari me rastin e Muajit të shenjtë të Ramazanit. Të pranishëm kanë qenë kreu i KMSH, Haxhi Skënder Bruçaj, udhëheqës fetarë të bashkësive shqiptare, ambasadorë e përfaqësues diplomatikë, teologë e personalitete të ndryshme. Presidenti Meta gjithashtu ka uruar besimtarët myslimanë për Ramazanin.

   “Paqe e mirësi në shpirtin dhe familjet tuaja! Agjërim të lehtë për gjithë besimtarët myslimanë! Lumturi për gjithë shqiptarët. Kjo mbrëmje Iftari, për të ndarë së bashku nderimin për Muajin e bekuar të Ramazanit. Muaji Ramazanit një mundësi për të shprehur vlerësimin ndaj Zotit si dhe vëllazërimin, mirëkuptimin dhe harmoninë ndër fetare që ekziston në Shqipëri.

    Ju uroj gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë agjërim të mbarë. Vlerësoj sakrificën e besimtarëve në përkushtimin ndaj Zotit si dhe ndaj vlerave humane. Muaji i bekuar i Ramazanit është muaji i mirëkuptimit, paqes dhe i mëshirës hyjnore.

    Muaji ku dalin në pah cilësitë më të mira njerëzore si bujaria, toleranca, durimi, shpirtmirësia si dhe respekti e dashuria për njëri tjetrin. Muaji i Ramazanit i fton besimtarët për më shumë dhembshuri e bujari sidomos për të varfrit, familjet në nevojë, jetimët, të moshuarit e të vetmuarit.

    Uroj që mesazhet e solidaritetit nga ky Muaj i Shenjtë të vazhdojnë edhe më tej të plotësojnë kërkesat e qytetarëve tanë për më shumë mundësi, paqe, solidaritet e drejtësi sociale. Historia e shqiptarëve është një histori mbijetese, qëndrese dhe lufte për liri dhe identitet.

    Në këtë përpjekje të përbashkët myslimanët e të krishterët shqiptarë janë ndodhur në krah të njeri tjetrit në të gjithë sfidat për pavarësi, emancipim dhe dinjitet shoqëror. Përkulem me nderim të veçantë për kontributin e vetëmohimin e tyre në Rilindjen Kombëtare, Kryengritjet e mëdha të Pavarësisë, qëndresën ndaj diktaturës si dhe në çdo betejë të tyre për lirinë e fesë dhe ndërgjegjes.

    Toleranca tek shqiptarët është jo vetëm fetare dhe gjuhësore, por edhe një tipar i sjelljes ndaj popujve të tjerë. Toleranca dhe harmonia fetare është trashëguar dhe konsoliduar në kohë.

    Kjo tolerancë e harmoni fetare duhet ruajtur e kultivuar vazhdimisht. Është detyra jonë të investohemi gjithnjë e më shumë në të ardhmen për harmoninë fetare të vendit tonë. Modeli shqiptar i harmonisë ndër fetare merr një vlerë të shtuar në sfidën globale mbi nevojën e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës së kulturave dhe qytetërimeve.

    Shqipëria, një nga rastet e rralla të një vendi me besime të ndryshme fetare, ku të gjithë faktorët politikë e shoqërore, përfshirë edhe bashkësitë fetare, janë përkrahës të fuqishëm të integrimit të vendit në BE.  Identiteti ynë kombëtar, fetar e shoqëror është dhe mbetet identitet thellësisht evropian.

    Besimi te Zoti është frymëzim e forcë e pashtershme shpirtërore që na shtyn t’i përkushtohemi edhe më shumë familjes, atdheut e shoqërisë. Njohja e rikthimi i pronave bashkësive fetare, jo vetëm një detyrim që buron nga Kushtetuta por dhe një kontribut real i mëtejshëm në rimëkëmbjen e institucioneve fetare e forcimin e pavarësisë së tyre.

    Dua t’ ju siguroj për mbështetjen time në punën dhe lutjet e tuaja për të mirën e qytetarëve dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Nga ky Iftar do të doja t’u përcillja të gjithë besimtarëve shqiptarë, kudo ndodhen, respektin tim të thellë për përkushtimin e tyre ndaj Atdheut e Zotit”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY