Deputetja Tabaku i përgjigjet Ramës për inceneratorët/Kryeministri nuk pyet për ligjin...

Deputetja Tabaku i përgjigjet Ramës për inceneratorët/Kryeministri nuk pyet për ligjin sepse e konsideron veten përmbi të

98
0
Shares

Deputetja E Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas deklaratës së bërë nga kryeministri Edi Rama për inceneratorët.

Me anë të një postimi në Facebook, Jorida Tabaku thekson se Kryeministri nuk pyet për ligjin sepse e konsideron veten përmbi të, nuk dha llogari për asnjë koncension.

POSTIMI I JORIDA TABAKUT:

“Më në fund, pas deklaratave të shumta për shtyp dhe një interpelance me ministrat përkatës një media që për ne shqiptarët ka qenë zëri i shpresës në errësirën e diktaturës investigoi për to. Ndërkohë që sot, njësoj si krimineli që rikthehet në skenën e krimit për të mbuluar të vërtetën, kryeministri Rama foli. Më saktë gënjeu dhe mbushi ashtu siç përherë vepron, me të pavërteta publikun duke na shitur projektin skandaloz të incenerimit të plehrave si një arritje dhe si një projekt në shërbim të qytetarëve.

Sa e paturpshme është gënjeshtra.

Projekti 128 mln euro është një projekt që nisi si një kontratë e majme për klientin e qeverisë Klodian Zoto dhe mësuesin e tij me theks anglez. Skema e krijimit të firmave që fituan koncesionin, ku e gjithë qeveria u vendos nën urdhërat e Klodian Zotos dhe shefit të tij, janë vetëm maja e ajsbergut të një projekti që u mbajt i fshehur dhe që është në kundërshti me ligjet e Prokurimit Publik.

Kryeministri që nuk pyet për ligjin sepse e konsideron veten përmbi të, nuk dha llogari as për rrugën se si fituesi i koncesionarit të Fierit (Klodian Zoto), fitoi në mënyrë antiligjore edhe koncesionin e inceneratorit të Elbasanit dhe më pas përmes një kompanie fantazëm me seli në Holandë mundi të fitonte edhe koncesionin e inceneratorit të Tiranës. Asnjë fjalë për rrugën se si Klodian Zoto nga ish vartës i Arben Ahmetaj u shndërrua në magjistarin e kompanive që fitojnë koncesionet e inceneratorëve.

Hesht në faj, kryeministri që jeton me gënjeshtrën, se si deri më tani i ka dhuruar Klodian Zotos (pra vetes) 11 mld lekë nga buxheti i shtetit për një incenerator të pavendosur në punë!

Koncesionet e Inceneratorëve janë skema e radhës që kryeministri u bën dhuratë miqve të tij biznesmenë në kurriz të jetës dhe shëndetit të shqiptarëve. Prandaj asnjëherë nuk flet për këshillën që BE dha në Progres Raportin që ai e valvit me krenari dhe fodullëk. Në atë raport, Bashkimi Europian ndër të tjera argumenton se inceneratorët “….përbëjnë shqetësim për respektimin e parimeve të BE-së”.

Kjo sepse ndryshe nga sa pretendon kryeministri Rama inceneratorët nuk do ta shpëtojnë vendin nga plehrat por do ta kthejnë në koshin e plehrave të Europës. Sipas vetë të dhënave që kanë paraqitur rezulton se vetëm inceneratori i Elbasanit do mund të djegë mbetje për një popullsi prej 4 milionë banorësh : që do të thotë se në Elbasan do të digjen plehrat e Shqipërisë dhe e Maqedonisë të marra së bashku. Po në inceneratorin e Tiranës dhe të Fierit sa mbetje do të digjen? Sa njerëz do të shndërrohen në kufoma në zonën e Sharrës dhe Kombinatit për të djegur plehrat e Ballkanit dhe Europës ndërkohë që kryeministri dhe sejmenët e tij pasurohen me to?

Shqiptarët nga ky koncesion do të humbasin 128 mln euro duke pasuruar ministrat dhe vetë kryeministrin, vendi do të shndërrohet në kosh plehrash nga ku përfitim do të kenë vetëm njerëzit e qeverisë ndërsa shqiptarët do të detyrohen të jetojnë nën thundrrën e inceneratorëve. Kjo është e vërteta që Rama fsheh dhe për të cilën është i gatshëm të prodhojë gënjeshtra nga mëngjesi në mbrëmje. Ndaj për këtë të vërtetë ne duhet të ngrihemi të shtunën për të ndëshkuar ata që kanë koncesionuar incenerimin e shqiptarëve.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY