Fatmir Xhafaj refuzon të japë dorëheqjen nga ministër: Opozita ra pre e...

Fatmir Xhafaj refuzon të japë dorëheqjen nga ministër: Opozita ra pre e grupeve kriminale

175
0
Shares

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj hodhi poshtë sot falsifikimin e kodit të procedurës penale për të mbështetur vëllain e tij dhe shmangur ekstradimin në Itali dhe nuk dha dorëheqjen ashtu si edhe pritej.

Xhafaj tha se nuk ka menduar ne asnje moment te jape doreheqjen, ndersa u takua me gazetare ne nje konference per shtyp kete pasdite. Nuk shoh asnje shkak, asnje arsye per doreheqjen time me kete rast.

“Për ligjin  shqiptar në Shqipëri vendimi penal dhe dënimi penal është parashkruar dhe në asnjë rrethanë Agron Xhafaj nuk do të bënte asnjë ditë burg. Pra në Shqipëri sipas ligjit shqiptar nuk do ta vunate atë pasi periudha prej katër vitesh e mbetur për egzekutim është në ligjin shqiptar dhe ka precedentë. E vlerësoj gjestin e tij”.

Në lidhje me akuzat për falsifikim, Xhafaj tha se kjo ëhstë qesharake duke hedhur pishte cdo akuzë për falsifikim të kodit të procedurës penale. Nuk është risi por thjesht rregullim amendimi i Kodit, tha Xhafaj dhe lidhet tërësisht me procedura të vendeve evropiane. Janë bërë ndryhsime që në vitin 2009. Ndryhsiemt në ligj nuk kanë lidhje me rastin e vëllait tim. Thuhet se mbron vetëm ata që janë dënuar me mungesë. Në rastin konkret vëllai nuk pësoi gjykim në mungesë dhe nuk do të përfitonte nga ky nen. Xhafa tha se me këtë akuzë opozita duket qesharake dhe se nuk ka bërë asnjë analizë para se ta publikonte.

Në lidhje me akuzën  e përfshirjes së vëllait tim në trafik droge, ministri tha se videopërgjimi është i falsifikuar.

“Marr përpsipër cdo përgjegjësi nëse faktohet se ka qoftë edhe një grime përfshirje, jo vetëm për kohën që jam ministër por edhe për gjithë kohën tjetër. Audio përgjimi është sajesë e plotë, një mahstrim, nga fillimi në fund dhe i bërë keq madje.

Unë besoj se nuk e ka bërë opozita këtë sajim skandaloz. Kur janë në opozitë e bëjnë këtë gjë cfarë do të bënin për njerëzit e thjeshtë kur janë pushtet dhe kanë instrumentat e pushtetit. Ata janëprej pre egrupeve kriminale dhe kushdo që është përfshirë në këtë skandal do të marrë dënimin e merituar.

I kërkoj sot publikisht prokurorisë për gjetjen e atyre që janë përfshirë në këtë aferë kriminale dhe dënimin e  tyre”, tha Xhafa.

Në përfundim Xhafaj tha se nuk shantazhohet dhe se do të luftojë pa kompromis krimin dhe se do të vazhdojë punën.

Fjala e plote:

Konferenca e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj:
Përshëndetje,
shumë kanë folur këto ditë në emër të ligjit dhe të moralit, në lidhje me pozicionin tim si Ministër i Brendshëm, në raport me një vendim penal të drejtësisë italiane për vëllain tim Agron Xhafaj, si dhe kundrejt një bisede të tij me një “bashkëpunëtor X” për trafik droge.
Nëse do të ishte për një pjesë të atyre (për të mirën e përbashkët janë të pakët në numër) të cilët këto ditë, në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme,  në lidhje me këtë raport të sipërcituar, janë rrekur të më tregojnë ligjin dhe të më vendosin përballë pasqyrës së moralit, unë sot, sot e gjithherë, nuk do të denjoja të shpenzoja kohë, energji, të paktën kështu si po e bëjë tani.
Sharlatanët politik dhe të çdo lloji tjetër, shpifësit dhe spekulantët politik dhe të çdo lloji tjetër, shantazhuesit politik dhe ata të çdo lloji tjetër, intrigantët politik dhe të çdo lloji tjetër dhe shkelësit e ligjit, të gjithë së bashku, për asnjë shkak dhe për asnjë arsye morale, apo më shumë akoma për arsye ligjore, nuk e meritojnë asnjëherë t’u respektosh kërkesën për shpjegime kundrejt tyre. Bërë kështu edhe kur je funksionar publik dhe i mveshur me detyrimin për shpjegime.
Disa prej kategorive më sipër, meritojnë injorim dhe përbuzje dhe të tjerët ballafaqim të plotë me ligjin dhe përballje me pasojat që prodhon veprimi dhe forca e ligjit kundrejt tyre, për çfarë ata në shkelje të ligjit kanë bërë.
Si funksionar i lartë publik, si përfaqësues politik i interesave publike e qytetare, po e vendos sot veten time në pozicionin natyror të llogaridhënësit, vetëm në respekt të plotë të së drejtës legjitime që kanë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, për t’i kërkuar shpjegime çdo zyrtari publik.
Si Ministër i Brendshëm i akuzuar si “i lidhur përmes vëllait tim me trafikun ndërkombëtar të drogës”, obligimi im për sqarime dhe shpjegime kundrejt opinionit publik, bashkëpunëtorëve të ndryshëm vendas dhe të huaj, bëhet edhe më detyrues.
Ndaj qytetarët e këtij vendi kanë gjithë të drejtën që fort të kërkojnë të dinë kush është Ministri i tyre i Brendshëm? Si qëndron e vërteta për akuzat që bëhen për të?
Serioziteti dhe përgjegjësia institucionale e ligjore që i mvesh vetes sa herë që mbaj një zyrë publike, më detyrojnë që këtë shpjegim ta bëja në mënyrë profesionale bazuar në fakte dhe prova. Vetëm pasi ndërmora të gjitha iniciativat përkatëse ligjore dhe personale dhe përfundova marrjen e çdo informacioni të nevojshëm për këtë shpjegim, i paraqitem sot opinionit publik për sqarime, sa më poshtë vijon :
Lidhur me çështjen e dënimit të vëllait tim Agron Xhafaj.
Sic është e njohur vëllai im ka marrë një dënim penal në Itali. I përgjegjshëm përballë qytetarëve dhe zgjedhësve të mi disa herë kam bërë deklarime publike në lidhje me këtë çështje. Kushdo që dëshiron të verifikoj vërtetësinë dhe koherëncën e tyre në vite mund ta bëj lehtësisht.
Në interes të momentit, por e ri-sjell publikisht këtë çështje.
Ngjarja ka ndodhur në vitet 2002. Vëllai im ka qenë rreth 25 vjeç në atë kohë. Autoritet italiane e kanë ndaluar për rreth 1 muaj dhe e kanë liruar duke urdhëruar largimin e tij nga Italia.
Në atë kohë, unë kam qenë ministër i turizmit në qeverinë me Kryeministër z. Pandeli Majko. I pa detyruar nga ndonjë normë kushtetuese, apo ligjore, në respekt të moralit, i kam kërkuar kryeministrit të kohës dorëheqjen.
Duke vlerësuar qëndrimin tim dhe pozitën time, në lidhje me këtë ngjarje, si dhe pasi u shqyrtuan rrethanat dhe shkalla e implikimit të vëllait tim në këtë ngjarje, përfshi dhe konsultimin me autoritetet përkatëse italiane, Kryeministri Majko nuk e pranoi dhe e refuzoi dorëheqjen time.
Ju garantoj dhe për këtë janë të gjitha faktet, se vëllai im jo vetëm për asnjë çast nuk ju fsheh hetimit dhe gjykimit, por në mënyrë të vazhdueshme, ka kërkuar të marri pjesë në gjykimin e kësaj çështje në të gjitha nivelet  e gjykimit.
Edhe pse vendimi përfundimtar ka vite që është në fuqi, vëllai im asnjëherë nuk ju fshehë autoriteteve. Asnjë veprim imi, jo vetëm sot si ministër, por edhe më parë nuk ka krijuar imunitet, apo favor kundrejt ekzekutimit të vendimit.
Unë asnjëherë si funksionar publik dhe më shumë akoma si Ministër i Brendshëm, nuk kam bërë kompromis me faktin se vëllai im nuk do të duhej të vuante dënimin e dhënë.
Edhe pse ajo çfarë ai bëri shumë vite të shkuara qëndron në një shpërpjesëtim të madh me dënimin e dhënë dhe me gjendjen e sjelljen e tij të re në jetë.
Si një vëlla i përgjegjshëm unë kam bërë gjithë çfarë kam patur në dorë, që im vëlla të kthehej në personin që është i denjë për vlerat e familjes tonë. Vlera për të cilat, unë jam krenar dhe më kanë ndriçuar mua në rrugën time të jetës dhe atë të politikanit. Dhe im vëlla shumë shpejt ju rikthye normalitetit. Mbaroi arsimin e lartë, krijoi familje dhe ndërtoi jetën e vetë bazuar në mund dhe djersën e tij.
Ai as kërkoi, dhe asnjëherë vëllai i tij, politikani Fatmir Xhafaj nuk i krijoi favore, apo privilegje në shkelje të ligjit. ASNJË !
Sot unë dhe gjithë familja ime jemi të goditur shumë fort shpirtërisht.  Dhe vuajtja shpirtërisht peshon më shumë  për faktin se dënimin po shkon ta vuajë një Agron që nuk ka asnjë lloj lidhje me Agronin e 16 viteve të shkuara.
Ne do të gjejmë forcë dhe kurajo për ta përballuar këtë situatë të pazakontë familjare, për tja bërë sa më të lehtë e sa më të përballueshme nënës, bashkëshortes dhe sidomos dy fëmijëve të tij në moshë të vogël, përkatësisht 15 dhe 11 vjec. Faleminderit të gjithë familjarëve dhe miqve tanë të shumë që ju janë gjendur atyre pranë në këto momente të vështira!
Është momenti për të nënvizuar edhe një fakt tjetër ligjor në këtë çështje.
Për ligjin shqiptar në fuqi, ndjekja penale dhe dënimi penal që duhet ekzekutuar në rastin e vëllait  tim është parashkruar. Rrjedhimisht, në Shqipëri për asnjë shkak dhe për asnjë rrethanë ligjore, Agron Xhafaj nuk do të bënte asnjë ditë burg. Pra, e thënë më shkurt, për ata që nuk e njohin të vërtetën ligjore. Nëse im vëlla do të bënte njohjen e vendimit  të tij këtu dhe do të priste ekzekutimin e tij për dënimin në ngarkim të tij, sipas ligjit shqiptar, ai nuk do ta vuante fare atë, pasi periudha prej 4 vjetësh e mbetur për ekzekutim është në afatin 5 vjeçar të parashikuar nga ligji shqiptar. Një precedent ky i zbatuar normalisht në praktikën gjyqësore në Shqipëri.
Unë si vëllai i tij nuk e nxita as atëherë si vëlla dhe as sot që të jem i ndershëm që ai ta kryente këtë akt. Ishte zgjidhja e tij dhe e respektoj dhe e vlerësoj shumë gjestin e tij.
Ai nuk ma dha mundësinë që të provoja Fatmir Xhafën si Ministër i Brendshëm kur të kërkohej që ky vendim të ekzekutohej, nëse ndonjëherë do të kërkohej ekzekutimi i këtij dënimi.
Kjo do të ishte prova e moralit për mua si Ministër.
Dhe në këtë kontekst, a është dikush, që mundet të më tregojë mua dhe qytetarëve:
a. cilin ligj kam shkelur, sot si Ministër i Brendshëm, dhe çdo herë tjetër që kam qenë në funksione publike ?
b. çfarë unë nuk kam bërë fare, apo çfarë edhe nuk e kam bërë mirë në detyrën time si Ministër i Brendshëm?
c. a kanë më shumë besim sot qytetarët se ka rend dhe siguri ? etj, etj.
Por kasta e politikës së baltës, nuk di të bëj gjë tjetër veçse të merret me çfarë bënë vëllai, motra, nëna, babai, bashkëshortja, fëmijët.
Dëshiroj tju them miqve të shumtë të mi që më kanë shkruajtur këto ditë me shumë dashamirësi. Miqtë e mi, mos prisni të merrem me bashkëshortet, djalin,vajzën, motrat, vëllezërit, baxhanakun dhe kunatin e disa prej këtyre të pacipëve që më kanë sulmuar mua gjithë këto ditë, paçka se ka shumë për të thënë dhe bërë ndaj tyre, në këtë aspekt.
Do t’ju zhgënjej për këtë. Nuk mund ta bëj. Nuk e kam bërë në asnjë ditë që jam në politikë dhe as kam ndër mend ta bëj ! Nga familja ime gjithmonë kam një porosi, që edhe pse nuk janë ata të parët që e kanë thënë, por të parët që në fëmijëri mua ata ma kanë thënë: mos i bëj tjetrit, atë që nuk do dëshiroje të ta bënin ty!
E di shumë mirë që, kjo ka vlerë për njerëzit normal të kësaj bote, për njerëzit që kanë cipë dhe përgjegjshmëri kur flasin!
Lidhur me falsifikimin e Kodit të Procedurës Penale:
Është akuza më qesharake që kam dëgjuar për veten time. Edhe sot, nuk ju besoj veshëve kur e dëgjoj këtë akuzë. Qesharak komplet këta lloj njerëzish. Pa pikë personaliteti. E kam të vështirë që të besoj që, edhe pse nuk kam asnjë simpati personale dhe politike për ata që më akuzojnë  për këtë çështje, dhe më duket sinqerisht shumë çudi se si njeriu pranon të jetë dhe të vet shpallet injorant. Në këtë rast nuk mundet t’ju thuash as spekulant politik.
Nuk dua të zgjatem se, besoj të paktën për shumicën që ka tentuar sadopak të mësojë të vërtetën, është i qartë absurditeti i kësaj akuze. Unë akuzohem se si kryetar i komisionit të ligjeve, për të shpëtuar vëllain tim nga burgu, kam ndryshuar draftin e nenit 491 të KPrP, të miratuar në komisionin parlamentar, (pra në çdo rast ka “falsifikuar” një draft dhe për votim Kuvendit i është paraqitur, jo drafti i komisionit parlamentar, por drafti “i falsifikuar” nga unë. Dhe deputetët e kanë votuar “pa e parë”. Se kështu i bie sipas logjikës ‘zhvejkjane’. Dhe tani, pas disa muajve, disa prej këtyre deputetëve pa pikë turpi, duke pranuar që janë sylesh vetëm e vetëm që të arrijnë qëllimin e tyre të mbrapsht politik, thonë që na e hodhi Fatmir Xhafaj. Po këtë e thonë me delikatese. E falsifikoi. Thonë.  Komplet qesharak.
Gjithsesi, unë kam detyrimin që të jem serioz dhe t’ju jap përgjigjen që duhet.
1) Nuk ka asnjë kontribut timin teknik në këtë çështje, si njërin variant të draftit, ashtu edhe në variantin tjetër. Por, e mbroj fort atë, si një nen që është në përputhje me konventat, me kushtetutën dhe të dobishëm për qytetarët shqiptarë;
2) Kjo pikë e nenit 491, është një standard ndërkombëtar. Nuk e kemi shpikur dhe as jemi ne të vetmit. Është mot a mot përcaktimi i nenit 3, të Protokollit të Dytë Shtesë të Konventës Evropiane për Ekstradimin.
Për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, Shqipëria e ka ratifikuar këtë konventë që në vitin 1998, pra ky lloj kushti ishte, gjithsesi i zbatueshëm në sajë të përparësisë që marrëveshjet ndërkombëtare kanë mbi legjislacionin vendas, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Pra, edhe amendimi i Kodit, i cili reflekton protokollin e dytë është thjesht një rregullim; nuk është risi, pasi kjo disiplinë është në fuqi që nga viti 1998. Për më tepër, të njëjtën disiplinë e kanë adoptuar dhe e zbatojnë të gjitha vendet evropiane, duke filluar që nga Austria e duke mbaruar te Zvicra. Në të gjitha këto shtete, në rastet e vendimeve gjyqësore në mungesë, ekstradimi është i mundshëm, vetëm nëse shteti kërkues jep garanci për rigjykim.
E për më tepër, ky parashikim është reflektuar e zeza mbi të bardhë, në ligjin për marrëdhëniet ndërkombëtare juridiksionale, hartuar dhe miratuar në vitin 2009, pikërisht nga këta që sot janë në opozitë dhe që nuk lënë gjë pa thënë për këtë fakt!!
3) Ky rregullim i ri në Kodin e Procedurës, por në fuqi më parë në ligjin e sipërcituar, nuk ka lidhje me rastin e vëllait tim Agron Xhafaj dhe është sërish një mashtrim i rëndë publik.
Dispozita e thotë qartë, mbrohen vetëm ata që janë dënuar në mungesë, pra, në kushtet kur nuk është siguruar e drejta për një proces të rregullt ligjor sipas nenit 6, të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Është e vërtetë që Italia është dënuar shpesh nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, por kjo gjykatë i ka konstatuar si shkelje vetëm ato procese, ku i pandehuri nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka caktuar një mbrojtës, por i është caktuar një mbrojtës kryesisht. Në rastin konkret, im vëlla ka qenë i përfaqësuar nga një mbrojtës jo i caktuar kryesisht dhe teknikisht nuk mund as të konsiderohet, besoj, si gjykim në mungesë, për efektet e ekstradimit dhe për rrjedhojë, nuk jemi në kushtet e nenit aktual 491, të KPrP.
Nuk dëshiroj të marr më shumë kohë për këtë pasi jam i sigurtë që edhe ata që flasin, sikur të ishin vetëm pak fare normal në sjellje dhe qëndrime politike, do të kuptonin se sa qesharakë janë dukur me këtë akuzë.
Lidhur me akuzat për përfshirje të vëllait tim në trafikun e drogës në Shqipëri.
Është komplet një mashtrim dhe shpifje e ulët ajo që thuhet në lidhje me përfshirje të vëllait tim në këtë veprimtari.
Marr të gjitha përgjegjësit ligjore dhe morale nëse ka qoftë edhe një grimcë të vërtetë në lidhje me këto akuza. Prej viti 2002 vëllai im Agron Xhafaj ka jetuar në Shqipëri dhe është një ndër qytetarët e shumtë të këtij vendi, që nuk ka asnjë problem me ligjin. ASNJË!
E verifikuar kjo zyrtarisht në institucionet ligj zbatuese të shtetit, si për këto vite që unë jam Ministër i Brendshëm ashtu edhe në referim të arkivave të këtij shteti, që nga momenti që ai është një person madhor në kuptim të përgjegjësisë së ligjit.
Nuk kam dashur të merrem me retorika me balt-hedhësit profesionist të këtij vendi.
Por tani, që këta intrigantë dhe sharlatanë politikë, apo edhe të tjerë pas tyre, e kaluan cakun duhet të marrin përgjigjen e merituar.
Audio përgjimi i servirur me pompozitet publikut është një sajesë e plotë. Nga fillimi deri fund. Është një manipulim dhe i bërë keq, madje.
Nëse opozita nuk e ka bërë vetë këtë, dhe sinqerisht nuk dua ta besoj se është që është ajo nxitësja dhe realizuesja e këtij akti skandaloz, ajo ka rënë viktimë e të tjerëve.
Edhe pse edhe në këtë rast tregoi, se sa ligësi prodhon një pjesë e kësaj opozite dhe se sa etur për pushtet me çdo kusht dhe me çdo çmim ajo është.
E për fat të keq duhet bëre një pyetje normale: Kur këta në opozitë bëjnë këtë gjë, çfarë do ju bënin njerëzve të thjeshtë e kundërshtarëve të tyre politikë sikur të ishin në pushtet dhe të përdornin instrumentet e shtetit !!! Ruana zot nga kjo racë e papërgjegjshme!
Kjo lloj qasje e kësaj opozite kundrejt pushtetit, e bëri atë të bjeri preh e interesave, ose të intrigantëve e shpifësve ordinerë, ose të grupeve kriminale.
Gjithsesi, kushdo i përfshirë në këtë skandal të madh, do të marri përgjigjen e merituar. Veprimi është tipik mafioz. Fabrikimi i një fakti kriminal të paqenë për Ministrin e Brendshëm dhe familjarë të tij, përbën një shantazh kundër institucioneve publike të sigurisë.
Ndaj, do t’i kërkoj sot publikisht prokurorisë veprime të shpejta dhe energjike për gjetjen të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë aferë kriminale dhe dënimin në mënyrën më të merituar.
Unë nuk e kam patur zakon asnjëherë që të flas kuturu. Por, është e qartë që e gjitha çfarë ka ndodhur këto 3-4 ditët e fundit, ka një orkestrim me një qëllim të caktuar.
Ligësia politike e njerëzore e një pjese të opozitës dhe kryesisht lidershipit të saj, diletantizmi politik i opozitës në tërësi, interesat meskine të kësaj opozite janë bërë bashkë, me interesa të grupeve kriminale dhe subjekteve të caktuara brenda e jashtë sistemit të drejtësisë së kalbur.
Opozita, me keqardhje e them, por ka rënë në batakun e intrigantëve dhe shantazhuesve të rëndomtë. Të errësuar në logjikën e tyre, ata kanë vendosur të bashkëpunojnë edhe me djallin, vetëm e vetëm që kjo qeveri të ikë nga pushteti. Pavarësisht dëmit të pallogaritshëm që mundet t’i shkaktohet në këto momente delikate të procesit te integrimit evropian.
E kuptoj, që shumë janë të frikësuar nga çfarë po ndodh me reformën në drejtësi dhe me punën dhe rezultatet që po arrin Policia e Shtetit. Por, dua ti garantojë të gjithë këta, se edhe nëse unë dje do të kisha ikur nga kjo zyrë, çfarë është bërë nga unë, nga kolegë dhe bashkëpunëtorë të mi, nga partnerët ndërkombëtarë, nuk mundet të zhbëhet.
Shumë shpejt edhe SPAK e BKH do të jenë në funksionim. Kështu, gjithnjë e më shumë, krimi do të humbas terren. Unë jam këtu për ta përmbushur sa më mirë këtë mision që kam marrë përsipër. Dje si ideues dhe drejtues i procesit të Reformës në Drejtësi dhe sot si Ministër i Brendshëm.
Nëse mendoni të më mposhtni me sulmet tuaja, gaboni.
Thjesht nuk kam frikë ! Askush nuk mund të më shantazhojë. Askush nuk do të mund të më pengojë në arritjen e qëllimeve të larta,  të asaj çfarë kam marrë përsipër të bëj sa bashku me bashkëpunëtorët e mi dhe me mbështetjen e partnerëve: luftë pa kompromis me krimin, gjithmonë në zbatim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe vetëm të qytetarëve.
Këtyre të fundit u jam shumë mirënjohës për mesazhet e shumta mbështetëse dhe inkurajuese që kam marrë prej tyre këto ditë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY