DETAJE/ Vlorë, vrasësi i trefishtë u arrestua pasi “u tradhtua” nga vëllai

DETAJE/ Vlorë, vrasësi i trefishtë u arrestua pasi “u tradhtua” nga vëllai

65
0
Shares

Ka qenë një person shumë i afërt që e ka tradhtuar pa dashje vrasësin e tre plazhistëve në Vlorë. Delin Hajdaraj, 26 vjeç, ka mundur ta shijojë lirinë në arrati për rreth 4 vite pas masakrës, ndërsa ndaj tij është dhënë vendimi në mungesë me burg të përjetshëm.
Për shkak të rrezikshmërisë së këtij personi, operacionit të Policisë së Vlorës i është bashkëngjitur edhe RENEA, ku rreth orës 20:30 kanë ndërhyrë duke e prangosur pa i dhënë asnjë mundësi arratisjeje.

Arrestimi
Forcat RENEA kanë rrethuar pallatin ku i kërkuari jetonte prej disa kohësh, në katin e katërt me qira, në zonën e “Ujit të Ftohtë”.
“Delin Hajdaraj ka qenë shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur më 28 korrik të vitit 2013, ku në bashkëpunim me shtetasin Leo Osmeni, 23 vjeç (i arrestuar në flagrancë dhe i dënuar me 35 vite burg), në lagjen ‘Ujë i Ftohtë’ në plazhin e Kalasë kanë qëlluar me armë zjarri automatike model 56 në prezencë të pushuesve të tjerë, ku mbetën të vrarë 3 shtetas”, bëri të ditur Policia.
Viktimat e masakrës ishin tre plazhistë, Sokol Isufajt, 34 vjeç, nga Fieri, Serdi Bajlozit, 17 vjeç, nga Prrenjasi dhe 53-vjeçarja Diana Ademi, rezidente në Gjermani, që kishte ardhur të kalonte pushimet e saj në Vlorë.
Sipas Policisë, i kërkuari, veç banesës ku u kap, dispononte dhe dy të tjera të marra me qira në zona të ndryshme të Vlorës. Ai nuk flinte çdo natë në të njëjtën shtëpi, ndërsa është ndihmuar gjatë këtyre viteve kryesisht nga të afërmit e tij. Ata i dërgonin ushqime, ndërsa dyshohet se i kërkuari është ndihmuar edhe nga miq të tij, raporton “Panorama”.
Sipas Policisë, rezulton se tri banesat i mbante me qira që prej muajit gusht të vitit 2016 dhe i përdorte për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë. Paratë e qirasë ia dërgonte vëllai i tij, i cili jeton bashkë me familjen në Bruksel.

“Tradhtia”
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se kanë qenë dërgesat e herëpashershme të vëllait ato që “tradhtuan” të shumëkërkuarin. Sipas të dhënave, që pas krimit policia ka mbajtur në vëzhgim edhe dërgesat e familjarëve të tij.
I vëllai rezulton të ketë dërguar disa herë para nga Brukseli, ndërsa agjentë të policisë kanë mbajtur në vëzhgim personin, një i afërm i familjes i cili i tërhiqte paratë. Duke mbajtur në vëzhgim këtë të fundit, agjentët kanë mbërritur te pallati në zonën e “Ujit të Ftohtë”.
Pas hetimeve dhe verifikimeve të kryera, ka rezultuar se i kërkuari fshihej pikërisht në këtë pallat. Prej ditësh ai është mbajtur në vëzhgim me të gjitha lëvizjet që kryente, ku janë zbuluar edhe banesat e tjera.
Policia e Vlorës ka kërkuar ndihmë nga forcat speciale në Tiranë për të kryer ndërhyrjen, operacion që përfundoi me sukses mbrëmjen e së enjtes. Sipas Policisë, në banesën ku ai strehohej i janë gjetur edhe një armë zjarri të llojit pistoletë TT, një silenciator, një krehër i mbushur me fishekë, 37 copë fishekë në total të kalibrit 7.62 mm dhe 2 aparate celularë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY