Dy ditë më parë 57-vjeçari Marko Silo tentoi t’i japë fund jetës duke u vetëdjegur me benzinë në ambientet e Zyrës së Shërbimit për Qytetarët në policinë e Fierit, ndërsa sot nga shtrati i spitalit në QSUT, ai tregon për News 24 dhe BalkanWeb arsyet e këtij akti ekstrem.
Silo shprehet se vajza e tij është zhdukur prej tre vitesh dhe për këtë ai ka denoncuar 3 persona, pasi dyshon që mund ta kenë trafikuar si prostitutë dhe akuzon shtetin se nuk ka bërë asgjë për ta ndihmuar.
“Akti im ishte protestë për indiferencën e shtetit. Unë shkova në polici për vajzën time të zhdukur Armela, ata u treguan indiferentë. Kam denoncuar 3 persona që më morën vajzën. Një nga rrëmbyesit ishte i kërkuar edhe nga Interpoli. Vajza para një viti kërkoi të tërhiqnim denoncimin, besoj se vajza ime është nën presionin e rrëmbyesve”, thotë ai.
Ndërsa ka frikë për jetën e familjarëve, Silo kërkon mbrojtje nga ministrat Tahiri e Manjani.
Informacioni i Policisë së Fierit
Më datën 19. 01. 2017, rreth orës 13:00, ka hyrë në ambientet të Zyrës së Pritjes së Qytetarëve në Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shtetasi M. S., 57 vjeç, banues në Levan, Fier, dhe pa komunikuar me personelin e shërbimit, ka tentuar të djegë veten me benzinë.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të Shefit të Sektorit të SHÇBA, dhe personelit të zyrës së shërbimit të qytetarëve u bë e mundur fikja në kohë e flakëve duke shpëtuar kështu jetën e këtij shtetasi, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Lidhur me këtë ngjarje ju sqarojmë se bashkëshortja e shtetasit të lartë përmendur, më datën 20. 09. 2016 ka kallëzuar pranë DVP Fier se në vitin 2014 i është larguar vajza nga banesa dhe dyshon se mund të shfrytëzohet për prostitucion jashtë shtetit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/