GRAFIKU/ Hyrja e TVSH-së, rritet 45% numri i bizneseve të mbyllura në...

GRAFIKU/ Hyrja e TVSH-së, rritet 45% numri i bizneseve të mbyllura në tre muajt e parë të vitit 2018

158
0
Shares

Në tre muajt e parë të vitit (nga 3 janari deri në 30 mars) kanë kaluar në status pasiv 3652 biznese, sipas listës së përditësuar nga tatimet të subjekteve me status pasiv në vend. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një rritje të ndjeshme me 45% të subjekteve të mbylluara. (Në tre muajt e parë të një viti më parë, numri i subjekteve të mbyllura ishte 2523). Ndërsa në krahasim me tre muajt e parë të 2016-n, numri i subjekteve është dyfishuar (shih grafikun).

Rritja e numrit të bizneseve të mbyllura lidhet me pasojat e krizës dhe formatimit të ekonomisë drejt zinxhirëve të mëdhenj tregtarë, çka po godet subjektet e vogla, por edhe me uljen e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, efektiv që nga 1 prilli. Tatimet njoftuan pak kohë më parë se është konstatuar shtimi i numrit të aplikimeve pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, për çregjistrim apo pezullim të aktivitetit, nga tatimpagues që janë penalizuar për shkelje të ndryshme nga administrata tatimore, që kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore si dhe tatimpagues të cilët, për herë të parë, hyjnë në skemën e TVSH-së dhe regjistrime të menjëhershme në po të njëjtën njësi nga persona të lidhur me tatimpaguesit që e zotëronin më parë këtë aktivitet.

Ndërsa nga një sondazh që Monitor zhvilloi me 100 biznese që kishin kaluar në status pasiv në shkurt 2018, rezultoi se 67% e të anketuarve dhanë krizën si arsye kryesore të mbylljes së biznesit të tyre, duke e argumentuar me rënien e fuqisë blerëse, rritjen e konkurrencës, kostove të larta operative, etj. Prej tyre, 20% e të pyeturve, ose 14% e totalit, u përgjigjën se do të emigronin ose ishin jashtë vendit aktualisht.

Pjesa tjetër e të anketuarve, rreth 33%, dhanë arsye të tjera mbi mbylljen e aktivitetit, nga të cilat mbizotëronin problemet shëndetësore. (Rreth 27% e atyre që dhanë një arsye tjetër përveç krizës, që përbënte 9% të totalit të subjekteve të anketuara, thanë se ishin problemet shëndetësore që i kishin detyruar të mbyllnin aktivitetin).
Në krahasim me katër sondazhet e zhvilluara vitin e kaluar, ka një rritje të lartë të përqindjes së atyre që dhanë si arsye emigracionin dhe sëmundjet si shkak për mbylljen e biznesit. http://www.monitor.al/sondazhi-kriza-emigrimi-dhe-semundjet-po-mbyllin-bizneset-frike-nga-tvsh/

Të vendosur përballë mungesave të alternativave në vend, shumë të rinj, dikur me biznes, kanë gjetur rrugën e emigracionit. Sikurse biznesi, rruga drejt emigracionit nuk merret nga kushdo, prandaj dhe nuk është çudi që individë me shpirtin e sipërmarrjes ndërmarrin nismën për të filluar një jetë të re larg Shqipërisë.
Në tre muajt e parë të vitit, rrethi që ka pasur më shumë subjekte që kanë kaluar në status pasiv ishte Tirana, me 1302 biznese ose 35% të totalit. Kryeqyteti ka dhe numrin më të lartë që bizneseve që ushtrojnë aktivitet në vend, me rreth 40% të totalit. Më pas renditet Durrësi, me 489 subjekte të kaluara në status pasiv dhe në vend të tretë është Korça, me 280 ndërmarrje të mbylluara (shih grafikun).

Sipas tatimeve, një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:
-nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
-nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
– deklaron në QKR pezullim veprimtarie tregtare për një periudhë më shumë se 12 muaj të njëpasnjëshëm apo pa afat të përcaktuar. Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY