Këshilla e Mustafajt për Patozin dhe Topallin

Këshilla e Mustafajt për Patozin dhe Topallin

128
0
Shares

Ish deputeti dhe ministri i PD, Besnik Mustafaj ka komentuar sot situatën në PD në një analizë publikuar në Panorama, duke këshilluar Astrit Patozin dhe Jozefina Topallin të qartësojnë qëndrimet e tyre tashmë jo vetëm në lidhje me Bashën por edhe me PD. Ai ka në fakt dy sugjerime të ndryshme për të dy. Për Astrit Patozin ai këshillon një rrugë që nuk do të jetë e lehtë për të por ama do të jetë e qartë ndërsa për Topallin këshilla është krejt tjetër.

Analiza e plotë nga BESNIK MUSTAFAJ

Posaçërisht qysh nga zgjedhjet e vitit të kaluar, rezultati i të cilave dihet tashmë botërisht, Partia Demokratike po jeton një gjendje vorbullore, e cila, po të zgjasë shumë, rrezikon të bëhet fatale për këtë forcë politike. Rrjedhimisht, dëmi do të ishte shumë i madh për mbarë vendin, i cili, të paktën për një kohë të papërcaktuar, do të mbetej pa opozitë, gjë që do të cenonte në zemër demokracinë. Për hir të së vërtetës, do thënë se të gjithë faktorët brenda demokratëve shfaqen të vetëdijshëm për këtë rrezik. Dhe po kërkohen zgjidhje.

Më të zëshmit paraqiten kritikët e Bashës, ndër të cilët kam qenë qysh në krye të herës dhe vazhdoj të jem edhe unë. Sjellja jonë politike meriton një analizë politikisht të thelluar. Koha nuk pret më. Çdo ditë që kalon, është në të vërtetë një ditë e humbur për kauzën e demokratëve. Dy profilet më të spikatura janë pa dyshim Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, të cilët, në dallim nga unë, janë të dëshiruar për ta vazhduar karrierën politike. Ata qëndrojnë qartësisht përballë shumicës qeverisëse, duke treguar njëherësh energji dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi në procesin e ringritjes së të djathtës.

Duke lënë mënjanë kriticizmin pa dyshim konsekuent, që i bëjnë të dy qeverisë, ligjërimi i tyre publik përkitazi me zhvillimet brenda Partisë Demokratike, sado që është njësoj me ashpërsi personalisht ndaj Bashës, paraqitet i pakoordinuar midis tyre, edhe pse kanë kaluar më shumë se nëntë muaj, duke nxjerrë më së paku në pah një gjë: ata nuk kanë një strategji të përbashkët për të ardhmen. Jozefina Topalli ka sqaruar sidoqoftë se vendin e vet e sheh në Partinë Demokratike dhe askund tjetër.

Astrit Patozi nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë e krijimit të një force të re politike, por gjithnjë djathtas. Të dy, bashkë me mbështetësit, janë në të drejtën e tyre për zgjedhjet e veta. Problemi nuk është aspak këtu. Problemi është se ligjërimi i tyre publik, me qëllim që t’i shërbejë interesit publik, duhet të mbajë parasysh fort kalendarin elektoral kombëtar. Në fund të pranverës së vitit të ardhshëm, ne kemi zgjedhjet për pushtetin vendor. Zgjedhjet e mëparshme, ato të viti 2015, mbahen mend si një humbje e madhe për ne demokratët.

Zgjedhjet e përgjithshme vitin e kaluar shkuan edhe më keq, duke shënuar një katastrofë të vërtetë po për ne demokratët. Lulzim Basha, si udhëheqës i këtyre dy palë zgjedhjeve, dështoi. Për më keq, ai përdori metoda aspak demokratike për të shmangur përgjegjësinë e tij politike, duke e rrënuar edhe më tej shpresën e shqiptarëve tek opozita. Sipas sondazheve sado pak të besueshme, gremisja vazhdon, gjë që vetëm ia zgjat jetën pushtetit të dëmshëm të Edi Ramës.

Po ju drejtohem në këtë rast nominalisht Zonjës Topalli dhe Zotit Patozi, duke nënkuptuar edhe dhjetëra personalitete të tjera demokrate, të cilët bashkohen me bindje me kritikat në adresë të Lulzim Bashës. Këto kritika deri tani janë parimore nga ana e tyre. Por masa e demokratëve dhe një pjesë e madhe e opinionit të shëndoshë publik që zien nga pakënaqësia ndaj qeverisjes socialiste, kërkon zgjidhje, domethënë kërkon ndaljen e gremisjes së opozitës për të filluar ngjitjen.

Të dy miqtë e mi, si Topalli, edhe Patozi, e dinë mirë se kjo nevojë e demokratëve nuk plotësohet vetëm përmes kriticizmit sado i arsyetuar të jetë ai. Kërkohet me urgjencë aksion politik nga ana e tyre, kërkohet që ata të tregojnë aftësitë e tyre udhëheqëse, aftësi që ne demokratët besojmë se ata i kanë e për të cilat i kemi votuar shumë herë. Astrit Patozi me mbështetësit e tij duhet ta marrin sa më shpejt vendimin lidhur me vazhdimin e aktivitetit të tyre politik. Unë personalisht nuk shoh asnjë dramë pse ata mund të shkëputeshin për të krijuar një forcë të re politike, mjafton që kjo forcë e re të përqafonte kauzën e qendrës se djathtë.

Përkundrazi, në situatën elektorale të së djathtës, një vendim i tillë do të ishte ndoshta i dobishëm, për të ndikuar në zgjimin e shpresës, duke bashkuar rreth vetes të atyre mijëra demokratë të vjetër e të rinj, të cilët, siç e treguan edhe në zgjedhjet e fundit, kur nuk shkuan të votojnë, as nuk e shesin votën e as nuk i besojnë më udhëheqjes së Bashës. Kjo do të ishte prova më e madhe historike e Patozit si politikan dhe kontribut i çmuar nga ana e tij për Shqipërinë.

Por ai duhet ta kuptojë se nuk ka kohë për të humbur. Një vit që na ndan nga zgjedhjet e ardhshme, është një kohë relativisht shumë e shkurtër që një forcë e re politike të organizohet në mbarë vendin. Nga ana tjetër, përkushtimi ndaj një force të re politike do t’i sqaronte përfundimisht edhe marrëdhëniet e Patozit me Bashën. Ai do të përqendrohej kështu tek objektivi kryesor politik, që do të ishte paraqitja e alternativës së tij përballë Ramës dhe qeverisë së tij, duke i kursyer dhe energjitë e veta, të cilat gjatë këtyre muajve kanë shkuar kryesisht për të bërë kriticizmin ndaj Bashës.

Do të ishte vetëm e dëmshme po të parashikohej që një forcë e re politike në opozitë rritet dhe konsolidohet si alternativë për të ardhmen e vendit duke dobësuar dhe brejtur më tej Partinë Demokratike. Unë besoj se Patozi, me kulturën e vet politike dhe më përvojën e gjatë që ka, e di mirë një gjë të tillë dhe do të tregohet i aftë t’i fokusojë energjitë e veta politike dhe ato të mbështetësve të tij për çmontimin e sistemit të mbrapshtë, që po na qeveris. Si Patozi dhe forca politike që do të krijonte, ashtu edhe Partia Demokratike e personalisht Basha do të çliroheshin nga një presion destruktiv që ushtrojnë mbi njëri – tjetrin, duke ndihmuar që vëmendja e tyre dhe e opinionit publik të kthehej te qeverisja e keqe e Ramës.

Ndryshe paraqitet rasti i Zonjës Topalli dhe shumë të tjerëve, që mendojnë si ajo. Ata besojnë me sa duket se ringritja e së djathtës nuk ndihmohet përmes shkëputjes së tyre nga Partia Demokratike. Ata kanë njoftuar publikisht, më shumë se një herë, se vendin e tyre e shohin edhe në të ardhmen vetëm brenda Partisë Demokratike, ku edhe do ta vazhdojnë karrierën e tyre politike të ndërprerë brutalisht nga Basha, në maj 2017. Kritikat e tyre ndaj Bashës edhe mënyrës si po e udhëheq ai Partinë Demokratike deri tani, kanë qenë parimore, pra, doemos edhe të shëndetshme.

Zonja Topalli është plotë- sisht në të drejtën e saj të vazhdojë kriticizmin edhe në të ardhmen, lidhur me çfarë ka ndodhur apo do të ndodhë brenda Partisë Demokratike. Por kaq nuk mjafton që ajo të shlyejë detyrimin që ka ndaj demokratëve dhe mbarë Shqipërisë, siç nuk mjafton as që ajo t’i japë realisht një hovje të re karrierës së vet. Në gjykimin tim, Jozefina Topalli është në moshën më të mirë për të marrë përgjegjësi të reja në Partinë Demokratike.

Ajo ka një përvojë jashtëzakonisht të pasur në nivelet e larta të drejtimit të Partisë Demokratike, atëherë kur kjo parti ishte në opozitë (1997 – 2005), edhe kur ishte në pushtet (2005 – 2013), ka po ashtu një përvojë shumë të çmuar në drejtimin e shtetit si kryetare e Parlamentit për dy mandate, ka një karakter të spikatur luftarak dhe është ende e re. Ma merr mendja se ajo e di shumë mirë se kriticizmi, sado parimor qoftë ai, është i pamjaftueshëm për një “fillim të ri” nga ana e saj. Kriticizmi duhet shoqëruar edhe me kontribut ndërtues, madje duke i dhënë përparësi këtij të fundit.

Nga përvoja ime në aksionin politik për njëzet vjet, por edhe nga leximet e shumta lidhur me shkencën e politikës, kam mësuar se suksesi arrihet duke synuar maksimumin e së mundshmes. Synimi i së pamundshmes nuk është më politikë, është utopi, që na shkon ne, poetëve, por jo politikanëve me rol kombëtar. Kjo do të thotë se politikani i vërtetë duhet t’i përcaktojë objektivat dhe strategjitë e tij duke u mbështetur fort në faktet e realitetit. Fakti më i rëndësishëm në kontekstin për të cilin po flasim, është që Lulzim Basha mban kryesimin e Partisë Demokratike.

Jam i bindur se të gjitha kritikat tona lidhur me rrugën që ndoqi ai në korrik të vitit të kaluar për ta rimarrë postin e kryetarit, janë të drejta. Nga ana tjetër, unë shoh qartë se kritikat tona nuk e kanë shtyrë Bashën të verë në pikëpyetje legjitimitetin e vet e aq më pak të dorëhiqet për të filluar nga e para procesin e zgjidhjes se kryetarit, siç ia kërkojnë shumë nga kritikët. Rrjedhimisht, edhe zgjatja pa fund e kritikave ndaj tij pa kaluar në aksion politik rrezikon edhe zhvlerësimin e thelbit parimor të kritikës, por ndikon edhe në përkeqë- simin mëtejshëm të imazhit të krejt opozitës, gjë që është e dëshirueshme nga Rama dhe shpura e tij në pushtet, por jo nga masa e demokratëve.

Prandaj, mendoj se duhet të kalojnë në aksion politik si ata që besojnë te dobia e krijimit të një force të re politike, edhe ata që e shohin veten brenda Partisë Demokratike për të vazhduar karrierën e tyre individuale në politikë. Vetëm kështu do të sqarohen formacionet politike brenda së djathtës dhe do të ndërpritet lufta brenda vetes për të synuar, me realizëm, maksimumin e të mundshmes. Nisur nga përvoja ime, unë jam bindur me kohë se vetëm njerëzit ambiciozë mund të bëjnë rrugë të gjatë në politikë. Nuk e di çfarë hapash do të hedhin as Patozi e as Topalli.

Por në fund të prillit mblidhet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike. Dhe ky është një fakt që do të ndodhë, pavarësisht kritikave tona. Unë gjykoj se deri atëherë si Topalli, edhe Patozi duhet ta kenë bërë të njohur si për demokratët, edhe për mbarë opinionin publik perspektivën e aksionit të tyre politik. Unë për veten time si demokrat, që nuk kam përpara asnjë aksion politik përveç votës sime në zgjedhjet e radhës, këtë gjë pres si nga njëri, edhe nga tjetri dhe të gjithë mbështetësit e tyre.

Përfytyroj se nga ana emocionale, Zonja Topalli e ka më të vështirë marrjen e vendimit për t’u hedhur në veprim. Ajo ka megjithatë në favor një simpati të gjerë ndër demokratët e bazës, si nga ata që nuk morën pjesë në rizgjedhjen e Bashës si kryetar i Partisë, edhe nga ata që morën pjesë. Këtë gjë me siguri Basha, si kundërshtar i Topallit, e di. Por kjo simpati nuk është një minierë e pashtershme.

Po ashtu, Zonja Topalli e di mirë se një parti e madhe siç është Partia Demokratike nuk është medoemos një bashkim shokësh e miqsh, por një bashkim i lirë njerëzish rreth një kauze politike në interesin e përbashkët të mbarë shoqërisë. Me këtë filozofi, rikthimi i saj aktiv brenda Partisë Demokratike, pa humbur kohë, do të ishte një gjë fare e natyrshme, por do të ishte edhe një triumf moral ndaj Bashës, që u përpoq ta shtynte jashtë. Unë kështu i shoh zhvillimet e ardhshme, me qëllim që ato të jenë në shërbim të idealit të demokratëve.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY