AFATET & KRITERET/ Fillojnë spastrimet në administratë

AFATET & KRITERET/ Fillojnë spastrimet në administratë

210
0
Shares

Nuk do të ketë qetësi dhe siguri për rreth 80 mijë punonjës të administratës shtetërore, në të cilën, sipas kryeministrit Edi Rama, ka ende shumë grabitqarë dhe parazitë. Në tremujorin e dytë të vitit 2018, qeveria ka parashikuar përfundimin e procesit të ristrukturimit të ministrive të linjës dhe institucioneve të varësisë, proces ky që ka nisur që nga fundi i vitit 2017, në kuadër të motos ‘të çojmë tepsinë për skrap’.

Shqiptarja.com zbardh një dokument të Departamentit të Administratës Publike, i cili përcakton afatet për përfundimin e procesit të analizës së gjendjes aktuale të administratës, për rishikimin funksional të institucioneve shtetërore dhe për ristrukturimin e ministrive të linjës. Dokumenti gjithashtu parashikon tremujorin e dytë të vitit 2018 si afat për vënien në zbatim të modelit të ri të organizimit të administratës shtetërore, çka pritet të prodhojë largime të punonjësve nga administrata, pikërisht për shkak të ristrukturimit të institucioneve, përshkimit të vendeve të punës dhe shkurtimit të vendeve të panevojshme të punës, të projektuara për parazitët.

Sipas planit, kanë nisur dhe do të përfundojnë brenda muajit qershor të këtij viti edhe dy procese të tjera të rëndësishme. Bëhet fjalë për udhëzimet për menaxhimin e burimeve njerëzore në nivel lokal si dhe për adoptimin e formateve standarde për përshkrimin e punës, procedurat e rekrutimit, dhe vlerësimit të perfomancës për menaxhimin e burimeve njerëzore. Në fokus të ndërhyrjeve dhe reformave do të jetë edhe pushti vendor, i cili është më shumë i pritur drejt abuzimit. Plani parashikon hartimin programeve model të transparencës për pushtetin vendor. Po ashtu, të gjitha bashkitë duhet të miratojnë dhe zbatojnë programet e transparencës sipas ligjit për të drejtën e informimit. 61 njësitë vendore duhet të caktojnë nga një koordinator për të drejtën e informimit.

Rishikimi i pagave
Rishikimi i pagave për punonjësit e administratës publike do të mundësohet vetëm në vitin 2019. Kështu parashikon plani i qeverisë, i cili do të zbatohet përmes Departamentit të Administratës Publike. Hartimi dhe miratimi i një dokumenti për politikat në sistemin e pagave dhe miratimi i strukturës së re të pagave në administratën publike, parashikohet në tremujorin e dytë të vitit 2019, për të vijuar më pas me miratimin e vendimeve të reja për pagat dhe zbatimi i strukturës së re të pagave.

Gjithashtu parashikohet edhe rishikimi i raporteve mes pagës maksimale dhe pagës minimale/mesatare në administratën publike, me qëllim ruajtjen e një piramide objektive të pagave dhe motivimin e pozicioneve drejtuese.

Paralajmërimi i komisionerit
Edhe komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, në raportin e veprimtarisë vjetore për vitin 2017, thotë se ristrukturimi i ministrive të linjës është në fazën finale.

“Aktualisht ky proces ka hyrë në fazën finale të tij, pasi janë administruar propozimet e komisioneve të ristrukturimit në ministritë e linjës, në lidhje me sistemimin e nëpunësve në vendet e mbetura apo të krijuara rishtas, e po kështu edhe vendimet përfundimtare të njësisë përgjegjëse, Departamentit të Administratës Publike, për emërimin përfundimtar të tyre, apo lirimin nga shërbimi civil”, thuhet në raport.

Komisioneri ka dërguar institucioneve një udhëzim me disa procedura që duhet të ndiqen gjatë procesit të ristrukturimit, me qëllim parandalimin e shkeljeve ligjore dhe respektimin e të drejtave të nëpunësve civilë. Pas dërgimit të këtij udhëzuesi në të gjitha ministritë e linjës dhe pranë Departamentit të Administratës Publike, si dhe me përfundimin e procesit të konstituimit të Këshillit të Ministrave, Komisioneri ka nisur monitorimin e procesit të ristrukturimit.

Plani për një Veting në administratën publike
Qeveria ka parashikuar që administrata publike do të testohet për integritetin dhe ndershmërinë, në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Fillimisht, parashikohet që Vetingut për integritetin do t’i nënshtrohen të gjithë kandidatët që aplikojnë për t’u punësuar në administratë. Më pas, testin e ndershmërisë do të duhet që ta kalojë stafi i ambasadave. Procesi do të përfshijë më tej të gjithë drejtorët e administratës. Në vijim, Vetingu do të shtrihet tek të gjithë punonjësit e administratës.

Në planin për vitin 2018, nuk parashikohen masa për ata që nuk do ta kalojnë testin e integritetit, por ndoshta ky proces mund të shoqërohet me ndryshime të nevojshme ligjore, siç po operohet edhe me Vetingun në Polici. Po ashtu, duke iu referuar planit, bashkimi dhe shkrirja e institucioneve, aty ku shihet e nevojshme, do të vijojë edhe gjatë vitit 2018. Gjithashtu, gjatë vitit 2018, është parashikuar rishikimi i organizimit të institucioneve, eliminimi i mbivendosjes funksionale midis strukturave ekzistuese si dhe ndryshimi i funksionit të strukturave.

Gjatë vitit që vjen, Departamenti i Administratës Publike do të fokusohet të përmirësimi i cilësisë së përshkrimeve të punës për punonjësit si dhe tek përmirësimi i testeve të konkurseve për rekrutimin e punonjësve të rinj në administratë, për lëvizje paralele apo për rritje në detyrë.

Drejtoritë dhe bashkitë më problematike për emërimet 
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe bashkitë e vogla kryesojnë listën e institucioneve publike sa i takon numrit të emërimeve të paligjshme (familjare, politike dhe klienteliste), gjatë vitit 2017. Ky është konstatimi i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, në raportin për veprimtarinë e këtij organi gjatë vitit 2017.

Sipas raportit, në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, gjatë vitit 2017, janë bërë 20 emërime të paligjshme, në Bashkinë Bulqizë 28 emërime të paligjshme, në Bashkinë Mat 10 emërime të paligjshme, në Bashkinë Kurbin 10 emërime, në Bashkinë Dibër 28 emërime, Bashkia Përmet 6 emërime, Bashkia Kavajë 4 emërime etj. Kjo listë është prodhuar nga inspektimi i vetëm 28 institucioneve publike.

“Në përfundim të këtij procesi, në të gjitha institucionet e inspektuara, u konstatuan 116 raste të emërimeve në kundërshtim me ligjin, për të cilat nga Komisioneri, është kërkuar nga personat përgjegjës (në këtë rast titullarët e institucioneve të kontrolluara dhe të evidentuara me parregullsi dhe njësia përgjegjëse), nëpërmjet vendimeve paralajmëruese, që të konstatojnë menjëherë pavlefshmërinë absolute të aktit të emërimit”, thuhet në raportin e KMSHC.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY