Sali Berisha, ish-Kryeministër, është pyetur mbrëmjen e sotme mbi rrezikun rus në Rajon. Berisha tha se rreziku rus është një rrezik real për Ballkanin, por më pak se kudo është në Shqipëri. Gjithsesi Berisha solli në vëmendjen e publikut se Ramiz Alia, e ndjera bashkëshorte e tij dhe Kristaq Rama që të tre kanë qënë celulë e KGB në Shqipëri. “E vërteta kjo është, e them me siguri. Mund të thoja për Nexhmijen por nuk e them. Ajo ka qënë agjente e Mugoshës, kurse këta kanë qënë agjentë të KGB”, theksoi Berisha në studion e Faxnews.
Bledian Koka: Eshtë ndryshe politika e jashtme që duket se bën Rama. Si e gjykoni politikën e sotme rajonale të Shqipërisë? Raporti me Vucic që duket mbështetet nga Merkel, a mendoni që BE është duke ndjekur një praktikë stabilokracie në Ballkan?
Sali Berisha: Unë besoj se stabiliteti gjithmonë vlerësohet. Besoj se BE është i interesuar për stabilitetin por ndërkohë është i interesuar dhe për standartet. Se kush predominon kjo është për tu diskutuar. Po marr rastin e Shqipërisë. opozita është shprehur publikisht që ne mbështesim hapjen e negociatave dhe se opozita nuk do bëj një raport siç ka ndodhur, të veçantë, për t’iu çuar vendeve anëtare se cila është situata e vërtetë. Opozita ka përshtatur qëndrimin që kushtet nuk janë plotësuar por negociatat duhet të hapen si rruga e vetme për të mbikqyryr progresin e këtij vendi.
Bledian Koka: Po ju e mbështesni këtë tezë?
Sali Berisha: E mbështesë plotësisht sepse nëse edhe kësaj here nuk do hapeshin negociatat Shqipëria do mbetej jashtëzakonisht e ndëshkuar.
Bledian Koka: Zoti Rama deklaroi në vizitën e fundit në Bruksel se Serbia nuk do integrohet përpara Shqipërisë dhe se refuzimi i BE rrezikon ta ekspozojë Shqipërinë tek Rusia . Sa realiste është kjo tezë?
Sali Berisha: Sigurisht që rreziku rus është një rrezik real për Ballkanin, por më pak se kudo është në Shqipëri. Mos harro trashëgiminë e Ramës në raport me Rusinë. Ramiz Alia, e ndjera bashkëshorte e tij dhe Kristaq Rama që të tre kanë qënë celulë e KGB në Shqipëri. E vërteta kjo është, e them me siguri. Mund të thoja për Nexhmijen por nuk e them. Ajo ka qënë agjente e Mugoshës, kurse këta kanë qënë agjentë të KGB. Kjo në atë kohë ka qënë fare e njohur, plus dhe të dhëna të tjera. Kështuqë në këtë kontekst nuk mund të them se i ka lënë kodin Edi Ramës por predispozita është e madhe, që PS dhe lidershipi i saj të jetë kontigjent i ndikimit rus në Shqipëri. Ka dhe të dhëna të tjera paraprake të cilat janë në shqyrtim e sipër.
Bledian Koka: Përtej kësaj qeveria Rama ka firmosur shpalljen non grata të dy zyrtarëve rus të lartë duke u rreshtuar kështu qartazi në krah të vendeve anëtare të NATOs që kanë marrë këtë nismë kundër Rusisë..
Sali Berisha: Duhet të përshëndes Aleancën e Atlantikut të Veriut për solidaritetin që tregoi ndaj qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Akti i Moskës është një atak shumë i rëndë në sovranitetin e MB, njërit prej vendeve më kryesore të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe botës perendimore. Në këtë kontekst, siç jam informuar, ka qënë një sugjerim i NATO-s dhe në këtë rast qeveria shqiptare fillimisht sipas mediave ka refuzuar të zbatojë këtë direktivë por që pastaj është pajtuar dhe ka marrë vendimin e drejtë. Këtë e thanë mediat dje, unë nuk kam informacion personal.
Bledian Koka: Aktin në vetvete si e gjykoni?
Sali Berisha: Akti është në kuadrin e një qëndrimi në një anë solidariteti ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe ndëshkimor ndaj Moskës, e cila i ka lejuar vetes një akt kriminal të përmasave terroriste ndërkombëtare. Dhe në këtë kontekst është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kremlini të marrë mesazhin e duhur nga mbarë vendet e lira, se akte të tilla të paimagjinueshme nuk mund të bëhen. Edhe veprime apo përshkallëzime të tjera mendoj se janë plotësisht të justifikueshme.
Bledian Koka: Meqë jemi te çështja ruse, PD është nën akuzë për financime ruse gjatë fushatës elektorale. Duket sikur një kompani me dy pronarë rus, Binniata, e ka ndihmuar zotin Basha të lobojë në SHBA dhe ka bërë pagesa në emër të PD. A keni një koment për këtë çështje?
Sali Berisha: Komenti im është ky. Fushata për gjoja lidhje ruse elektorale të PD, është një trillim fund e krye i Ramës për të krijuar ngjashmëri me atë fushatë që është sot në SHBA kundër Trump, për të maskuar lidhjet e tij të cilat dora dorës do dalin në dritë, nafta dhe lidhje të tjera. Por qëndrojmë këtu. Ajo që mund të them unë për këtë pyetje është se u them shqiptarëve me përgjegjësi të plotë se PD nuk ka patur asnjë kontratë me asnjë kompani ruse. PD nuk ka marrë asnjë qindrakë nga rusët. Dhe së fundi, PD nuk ka patur asnjë kontakt me rus biznesmenë apo të çfarëdo lloji tjetër. Kjo është e vërteta. Tjetra është një zhurmë me të cilën Edi Rama kërkoi të mbulonte 613 kg kokainë të ardhur tek klani e shumë gjëra të tjera. Kush i fryn fushatës pro ruse? Eshtë Soros një nga më kryesorët. Sepse Soros, për të justifikuar sulmet e egra që i bëhen thotë se këto mi nxit Putin. Nga i di unë këto? Po jua tregoj. Eshtë një deputet gjerman që quhet Flickenstein. Kam patur muhabet me të dhe prap ruaj një lloj respekti. Ky vjen një ditë në Tiranë dhe deklaron se Berisha me këto deklaratat që bën për Soros është e habitshme se ai është personalitet i fortë dhe jo i dobët që të bëj deklarata të tilla. Ky kishte dalë në listën e konfidentëve të Soros në Parlamentin Europian, dhe unë i përgjigjem dhe i them se Georgen mik mbaje por mos e dëgjo. Ky thërret dhe bën një takim me pesë shoqata të shoqërisë civile, që të pesta sorosiane, dhe u thotë të mos bëhen merak se ato deklarata që bën Berisha kundër Soros e shtyn rusët. Pra çfarë kuptova unë me këtë. Kuptova që kjo ishte një stisje sorosiane për të mbuluar veprimtaritë e tij antidemokratike që ai zhvillon në vendet ish komuniste.
Bledian Koka: Përtej stisjes sorosiane do të ketë një hetim federal për këtë..dhe nëse ky hetim nxjerr të kundërtën a duhet zoti Basha të shikojë pozicionin e tij në parti?
Sali Berisha: Hetimi federal është gjëja më e mirë. Edhe një herë them se PD nuk ka marrë asnjë qindarkë, rubël apo dollarë nga rusët kurrë.
Bledian Koka: i keni informacione personale këto?
Sali Berisha: Këto derisa i them ata që duan të besojnë, t’i besojnë. Nuk ka patur asnjë kontakt me asnjë rus. Nuk ka kontratë me asnjë kompani ruse.
Bledian Koka: As me kompani me aksionerë rusë?
Sali Berisha: Asnjë kompani ruse. PD nuk ka kontratë me asnjë kompani ruse. Unë kaq po them tani. Më vonë mund të dalin të dhëna të tjera të cilat do faktojnë të gjitha këtë fushatë të stisur nga Rama për të shpëtuar veten, që në të vërtetë e në thelb është kontigjent kryesor i politikës ruse në Shqipëri dhe rajon.
Bledian Koka: A duhet të dalë zoti Basha të bëj një sqarim zyrtar për tu distancuar nga këto akuza që janë publikuar në mediat më prestigjioze të cilat sigurisht e afektojnë Shqipërinë?
Sali Berisha: Problemi është se Mother Jones është një gazetë e financuar nga Soros, e cila mendoj unë se duhet hedhur në gjyq. Duhet konsultuar me juristë të shquar amerikanë dhe në rast se rezulton se mund të paditet për shpifje, ajo meriton të shkojë në gjykatë. Byroja federale dhe prokuroria të bëjnë hetimet më të thelluara dhe do dalë prap se PD nuk ka marrë asnjë qindarke nga kompani ruse, do dalë se PD nuk ka patur asnjë kontratë apo kontakt me kompani ruse dhe shërbimet e tyre. Se çfarë mund të jetë thurrur ato pastaj hetimi do i sqarojë dhe PD është e interesuar për hetimin.
LIVE ne Fax News, intervista me Bledian Koken! sb
Publié par Sali Berisha sur mardi 27 mars 2018
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/