Kryetari i Njësisë Administrative Ulëz, Artan Miza, rezulton i dënuar për korrupsion pasiv. Megjithatë, ai vazhdon të mbajë detyrën publike, pavarësisht se ligji i Dekriminalizimit, i cili ka hyrë në fuqi prej më shumë se një viti, ia ndalon një gjë të tillë. Në emisionin investigativ Fiks Fare mbërritën disa informacione se Artan Miza është i dënuar me dy vite burg nga Gjykata e Lartë. Gazetarët shkuan në Ulëz dhe verifikuan fillimisht nëse personi në fjalë ishte apo jo kryetar i kësaj njësie.
Një nga punonjëset e gjendjes civile u thotë ekipit të Fiksit se kryetar është pikërisht Miza. Më pas, Fiksi siguroi një vendim të Gjykatës së Lartë të datës 31 janar 2013, ku thuhet se Artan Miza është shpallur fajtor në vitin 2008 nga Gjykata e Lezhës dhe Apeli i Shkodrës e ka lënë në fuqi në vitin 2010. Rezulton se Artan Miza është arrestuar në fund të vitit 2007 me akuzën “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, neni 259 i Kodit Penal, në kohën kur ishte Drejtor i Shërbimit Pyjor Mirditë.
Sipas gjykatës, ai është denoncuar nga një person.
“I gjykuari Artan Miza i ka thënë kallëzuesit se do t’i jepte një zone prej 2000 m2 të miratuar nga Ministria, por për të miratuar këtë zonë duhen lekë. I pyetur nga kallëzuesi, i gjykuari Artan i është përgjigjur se i duhen 1.000.000 (një milion) lekë sepse do t’i jepte kafe ministrit për të nxjerrë këtë zonë në ankand”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Ndërkohë, Artan Miza është emëruar kryetar i Njësisë Administrative Ulëz në vjeshtën e vitit 2015, pas zgjedhjeve vendore. Nga ana tjetër, në fund të vitit 2015, Kuvendi miratoi ligjin e ashtuquajtur “dekriminalizimi”. Në këtë ligj, në nenin 2, thuhet se ndalohet të kandidojnë ose të zgjidhen në një funksion të lartë publik, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, ndër të tjera edhe për veprën penale të korrupsionit pasiv, neni 259 i Kodit Penal.
Gazetarët e Fiksit tentuan të intervistojnë edhe kryetarin e Njësisë Administrative Ulëz, Artan Miza. Ai tha se ka bërë aplikimin te Vettingu dhe pret përgjigje. Fiksi i bëri me dije z. Miza se është person i dënuar me vendim të formës së prerë.
“Po, e kam mbaruar, e kam kryer, kam bërë procedurat e mia. Kam aplikuar si çdo zyrtar te kryeministria, që është ai ligji që nxori Parlamenti dhe tashti pres përgjigje. Mua nuk më kap me Kod Penal, se janë ato përplasjet Kushtetuese që ndodhën dhe pres përgjigje që do të vijë edhe… Dekriminalizimi pra, kjo është” thotë Artan Miza.
Më tej shton se, “pse e bëmë aplikimin te ligji i Dekriminalizimit, që ata të nxjerrin të gjitha të dhënat që ky duhet të punoj apo s’duhet të punoj. Unë pres përgjigje”.
Fiks Fare pyeti Gëzim Pashën, drejtor i Burimeve Njerëzore në Bashkinë Mat. Thotë se Bashkia nuk kishte vendim gjykate dhe se z. Miza ka dorëzuar Dëshminë e Penalitetit. Sipas tij, Artan Miza ka plotësuar formularin e dekriminalizimit dhe e ka dorëzuar, por bashkia nuk kishte kopje fizike të këtij formulari.
“Sipas ligjit, Bashkia Mat, nuk kontrollon këto formularë, por ligji ia ngarkon Departamentit të Administratës Publike. Artan Miza po pret përgjigje, ndërsa DAP-i i ka kthyer përgjigje Bashkisë, por vetëm për një person tjetër” thotë Pasha. Më tej shton se ligji i dekriminalizimit e kap z. Artan Miza, pra nuk e lejon që të mbajë një post të lartë publik, por verifikimi në këtë rast bëhet nga DAP-i dhe jo nga Bashkia e Matit.
“I takon DAP-it. Mirë apo keq, i takon atyre”, përfundon ai.
Fiks Fare i dërgoi një kërkesë zyrtare Departamentit të Administratës Publike për kryetarin e Njësisë Administrative Ulëz. Kërkuam një informacion nëse Artan Miza preket apo jo nga ligji me numër 138 i vitit 2015.
“Organi përgjegjës DAP ka kryer verifikimin paraprak të të dhënave të deklaruara në formularin e z. Miza. Nga informacioni i dërguar nga organet e përcaktuara, rezulton se z. Miza është subjekt i cili përfshihet në sferën e ndalimeve të parashikuara të ligjit nr. 138 i vitit 2015 dhe ndalimi i ushtrimit të funksionit zgjat 20 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë. Organi përgjegjës DAP, ka përcjellë zyrtarisht pranë Bashkisë Mat të dhënat e konstatuara nga verifikimi paraprak për z. Miza, si dhe i ka kërkuar marrjen e masës së lirimit nga funksioni publik për këtë subjekt” është përgjigjja nga drejtoresha Albana Koçiu.
Sipas saj, në ligjin e qeverisjes vendore parashikohet se administratori emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë dhe është përgjegjës para tij për funksionimin dhe veprimtarinë e administratës. Pra, në këtë rast, është Bashkia Mat që duhet të marrë një vendim. TCH
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/