Fatmir Xhafaj e pyesin në SHBA për Klement Balilin dhe bosin e...

Fatmir Xhafaj e pyesin në SHBA për Klement Balilin dhe bosin e kokainës

124
0
Shares

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi sot në një intervistë për Zërin e  Amerikës se ka dikstuara me zyrtarët amerikanë për Klement Balilin dhe për bosin e kokainës së kapur në Shqipëri si dhe për arrestimet në Lezhë.

Ministri tha se nuk kishte dyhsime se kokaina kishte një bos politik ndërsa hezitoi të fliste për stadin e hetimeve të Balilit. Në vijim ai tha se arrestimet për pronat nuk kanë njëanshmëri politike por në fakt harroi të thoshte se kryetari i djathtë i Lezhës u mbërthye me pranga ndërsa socialisti i Rrogozhinës dhe ish socialisti i Kavajës u lanë në shtëpi.

Pjesë nga intervista:

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit në Shqipëri u kap mbi gjysmë toni kokainë, sasia më e madhe që është kapur ndonjëherë. Duket se nuk është hera e parë që Shqipëria përdoret si rrugëkalimi për kokainën, madje ky rast lë të kuptosh dhe tregon se kemi të bëjmë me grupe të mirorganizuara. A mendoni se ka lidhje mes këtyre grupeve të organizuara, ose këtij grupi që ka bërë këtë dërgesë dhe niveleve të larta?

Fatmir Xhafaj: Së pari, duhet të them se ky ishte një operacion i zbatuar tërësisht nga agjencitë ligjzbatuese shqiptare. Për këtë mora vlerësimet më të mira nga të dy agjencitë, edhe nga FBI edhe nga drejtues të lartë të DEA-s, edhe nga drejtues të rëndësishëm në departamentin amerikan të shtetit. E gjithë kjo dëshmon pjekurinë profesionale dhe vullnetin e policisë së shtetit për t’u përballur me fenomene të tilla edhe me organizata të tilla të fuqishme, të cilat qarkullojnë vlera të mëdha monetare, të përkthyera këto në një trafik të paligjshëm, siç është edhe rasti konkret i kokainës në portin e Durrësit.

Kjo çështje është në hetim nga prokuroria e krimeve të rënda, së bashku me policinë e shtetit, me drejtorinë e luftës kundër drogës dhe, me kërkesën e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, janë atashuar në mbështetje të këtij hetimi agjentë të DEA-s, të ministrisë së brenshme të Gjermanisë si dhe të disa vendeve të tjera, ku ne mendojmë që ky grup kriminal ka kontaktet, ka lidhjet dhe ku ishte destinuar për t’u shpërndarë lënda narkotike.

Zëri i Amerikës: A ka shenja për lidhje me nivele të larta në Shqipëri, me zyrtarë, me politikanë, nga kanë marrë mbështetje?

Fatmir Xhafa: Mua personalisht, në cilësinë time si ministër, nuk më rezulton, por mbetet për të parë se çfarë do të nxjerrë hetimi. Ajo që shpesh bëjmë gabim në Shqipëri, është që flasim ne më shumë, se sa ata që u takon të bëjnë detyrën e tyre dhe që, në këtë rast, janë prokurorët e krimeve të rënda. Unë shpresoj që ata do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje dhe kjo ishte arsyeja që në pikat e bisedimit unë e vura theksin tek nevoja për një asistencë të drejtpërdrejtë edhe në çështjen konkrete dhe sa jam unë në dijeni, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit ka diskutuar konkretisht edhe me DEA-n edhe me FBI-në për këtë.

Zëri i Amerikës: Po ua bëj pyetjen më në përgjithësi. Jo për këtë rast konkret, por në përgjithësi, në raste të tjera që kanë të bëjnë me drogën në Shqipëri, kjo përhapje kaq e madhe e krimit të organizuar, a është e mundur, a vihen re lidhje midis kësaj bote kriminale dhe shtetit?

Fatmir Xhafaj: Absolutisht po. Nuk mund të mos e pranoj një gjë të tillë, sepse pa mbështetjen, ose pa blerë së paku heshtjen e zyrtarëve të shtetit, është e vështirë për të kryer veprimtari të kësaj natyre dhe sidomos këtu bëhet fjalë për zyrtarë që janë në agjencitë ligjzbatuese dhe që mund ta pengojnë, apo mund t’i favorizojnë veprimtari të tilla kriminale. Kjo është arsyeja që në vijimësi dhe, në mënyrë të veçantë, këtë vitin e fundit ne kemi bërë disa ndërhyrje të forta në radhët e strukturave drejtuese të policisë së shtetit, duke larguar prej tyre disa prej drejtuesve të lartë të policisë së shtetit, për të cilët ne mendonim që më së paku, kishin dijeni dhe me heshtjen e tyre dhe me mosveprimin e tyre, kishin favorizuar veprimtarinë kriminale në kultivimin e kanabisit gjatë vitit 2016.

Zëri i Amerikës: Me ardhjen tuaj në detyrë ju keni zëvendësuar shumicën e drejtuesve lokalë të policisë së shtetit…

Fatmir Xhafaj: Po, është e vërtetë.

Zëri i Amerikës: …Megjithatë, ka pak raste hetimesh ndaj tyre. Përse ndodh kështu?

Fatmir Xhafaj: Kjo është një pyetje e drejtë, por përgjigja e saj nuk mund të jepet nga unë. Besoj se do të duhet t’i bëhet prokurorisë dhe posaçërisht prokurorisë së krimeve të rënda. Ajo që dua të them unë është, që nga ana e policisë së shtetit ka referime…

Zëri i Amerikës: Ju, a i keni kallzuar ata?

Fatmir Xhafaj: Absolutisht, po. Ka referime konkrete për punonjës, për zyrtarë të policisë së shtetit, të cilët, sipas nesh, kanë qenë të implikuar në veprimtari kriminale. Mbetet që prokuroria e krimeve të rënda të bëjë hetimet e nevojshme dhe të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Në një shtet të së drejtës përgjegjësitë janë të ndara: detyra e policisë është detyra e policisë, detyra e prokurorisë i përket prokurorisë dhe detyra e gjykatës është detyrë e gjykatës. Asnjëri nga këto tre institucione nuk mund të dublojë apo të marrë përgjegjësitë e institucionit tjetër.

Zëri i Amerikës: Një nga aksionet më të fundit dhe nga më të mëdhatë e policisë ishte ai në bashkinë e Lezhës, ku u ndaluan ose u arrestuan një pjesë e madhe e drejtuesve të kësaj bashkie. Probleme me tokat, abuzime me tokat, si në Lezhë, kanë ndodhur edhe në qytete të Shqipërisë. A pritet të zgjerohet kjo edhe më tej?

Fatmir Xhafaj: Po. Bazuar në disa informacione që ka vetë qeveria, bazuar edhe në disa fakte që janë bërë publike herë pas here, si dhe në zbulime të vetë policisë, por edhe në informacione që kanë ardhur gjatë kësaj periudhe, struktura përkatëse përgjegjëse të policisë së shtetit, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e prokurorive të rretheve gjyqësore respektive, kanë hapur disa procese të tjera, që kanë të bëjnë me abuzimet me pronën publike.

Zëri i Amerikës: Ka zëra kritikë që thonë se këto goditje po bëhen në mënyrë selektive, se janë vënë në shënjestër bashki, ose ish-zyrtarë, që i përkasin opozitës. Si iu përgjigjeni ju këtyre kritikave?

Fatmir Xhafaj: Është e thjeshtë fare. Mjaft të shikoni njerëzit që i janë referuar pokurorisë, do të shihni që mes tyre ka njerëz nga të tre partitë kryesore, që janë sot në vend, apo lidhje të afërta të të tre partive si në Kavajë, edhe në Rrogozhinë ashtu edhe në Lezhë.

Zëri i Amerikës: Nëse një qeveri do të tregojë se ka tolerancë zero, ose që është serioze në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, a nuk do të ishte më i fortë mesazhi drejtuar publikut, duke filluar nga zyrtarët e saj, të cilët mund të dyshohen për afera korruptive?

Fatmir Xhafaj: Nëse do të kishte raste konkrete dhe nëse qeveria e policia do të tërhiqeshin nga hetimi i tyre, kjo do të dëshmonte këtë që ju po flisni. Në çështjet konkrete kjo nuk qëndron për një arsye fare të thjeshtë: njerëzit të cilët janë investiguar, të cilët janë hetuar për këtë veprimtari kriminale janë përfaqësues, apo lidhje të afërta me zyrtarëve të tre forcave politike. Në këtë rast nuk është bërë asnjë përjashtim: askush nuk mund të më provojë mua se ka një rast që është përjashtuar nga ky proces hetimi vetëm për faktin se ka lidhje apo se është pjesë e strukturave të partisë socialiste. Kjo gjë nuk ekziston, të paktën në çështjet, për të cilat po flasim.

Zëri i Amerikës: Ju keni përmendur ekzistencën e 40 grupeve të krimit të organizuar dhe rrjete kriminale. Nga të dhënat që keni ju, a kanë investuar këto grupe edhe në biznese të ligjshme, si një formë për pastrimin e parave, nëse po, çfarë biznesesh?

Fatmir Xhafaj: Besoj që po. Kemi përfunduar identifikimin e këtyre grupeve kriminale, profilet kriminale të drejtuesve të këtyre grupeve kriminale dhe njëkohësisht edhe procesin e skanimit dhe identifikimit të aseteve të tyre që rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale.

Shohim që një pjesë e tyre i kanë investuar të ardhurat e krijuara nga veprimtaria kriminale në një sërë aktivitetesh të paligjshme siç janë investime në fushën e turizmit, në krijimin e shoqërive të ndryshme tregtare me objekte që i shërbejnë për të rritur fitimet dhe për të pastruar paratë, dhe këto janë pjesë e një sërë procesesh, që ne kemi hapur në këtë fushë.

Kjo ishte edhe një nga temat, që e diskutova gjerësisht edhe me zyrtarët e lartë të FBI-së dhe DEA-s për shkak se, pavarësisht vullnetit të mirë dhe dëshirës së mirë që ne kemi, është shumë e rëndësishme që të sigurojmë edhe mbështetjen e nevojshme për të ndjekur rrugën e parasë, për të patur hetime shumë më të suksesshme, lidhur me pastrimin e parave apo pastrimin e produkteve, që rrjedhin nga një veprimtari kriminale. Në këtë kontekst është shumë e nevojshme shkëmbimi i informacioneve me agjenci të tilla ligjzbatuese edhe me agjenci të vendeve të tjera. Kemi rënë dakord që FBI dhe DEA, secila në fushën e vet, të japin më shumë mbështetje në këtë aspekt, duke ndihmuar në hetimet pasurore për këto grupe kriminale.

Zëri i Amerikës: Një nga emrat më të përfolur që ka dalë si rezultat i DEA-s ka qenë Klement Balili. Ç’po bëhet me rastin e tij?

Fatmir Xhafaj: Jemi duke u marrë seriozisht edhe ne, edhe vetë DEA, por edhe disa agjenci homologe të vendeve europiane. Së pari kemi hapur një proces hetimor lidhur me pasurinë e këtij grupi kriminal dhe nga ana tjetër jemi duke u marrë fort me kërkime për të identifikuar dhe zbuluar vendndodhjen e tij dhe për ta vënë përpara drejësisë.

Zëri i Amerikës: A ndodhet ai brenda në Shqipëri, apo jashtë Shqipërie?

Fatmir Xhafaj: Kjo është një çështje që nuk më takon ta them këtu në studio. U takon agjentëve të policisë kriminale dhe agjentëve të DEA-s, të cilët gjithashtu po punojnë fort për këtë gjë.

Zëri i Amerikës: Nëse i kthehem edhe një herë sasisë së madhe të kokainës që u kap në Durrës, janë arrestuar shoferi, administratori dhe është shpallur në kërkim pronari i firmës. Për një sasi aq të madhe këta duket se janë fundi i këtij rrjeti trafiku. A kanë nxjerrë hetimet diçka më të madhe se kaq?

Fatmir Xhafaj: Po. Për aq sa më lejohet mua të marr informacion, për aq sa më lejohet mua të di lidhur me informacione të kësaj natyre, jam në dijeni se hetimet po përparojnë, dhe unë besoj se shumë shpejt prokuroria e krimeve të rënda do të arrijë të identifikojë se cilët kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Zëri i Amerikës: Kur flitet për krimin e organizuar në Shqipëri, fakti që është një nga përparësitë kryesore dhe fakti që sektori i drejtësisë ka qenë kaq i kapur nga bota e korrupsionit dhe e krimit të organizuar, që shkojnë paralel me njëra tjetrën, natyrshëm lind pyetja: A është shteti shqiptar i kapur nga krimi i organizuar sot?

Fatmir Xhafaj: Jo. Besoj se kjo nuk do të ishte përgjigja e drejtë. Por që ka struktura të shtetit në nivele të ndryshme, që janë nën influencën apo nën peshën e ndikimit të botës kriminale, këtë nuk mund ta mohoj. Fakti që shpesh herë agjencitë tona ligjzbatuese nuk kanë qenë në pozita reaguese, për të mos pretenduar se duhet të ishin në pozita proaktive, apo që shpesh herë gjyqtarë e prokurorë të caktuar janë bërë mburojë apo mbështetje e grupeve të caktuara kriminale është një dëshmi e faktit që ka patur dhe ka një lidhje ndërmjet strukturave të caktuara, individëve të caktuar dhe botës kriminale.

Është kjo arsyeja që qeveria e ka konsideruar luftën kundër krimit të organizuar një prioritet thelbësor të saj, dhe në nëntor qeveria miratoi një plan veprimi për luftën kundër veprimtarisë kriminale. Ne kemi miratuar një plan operacional të quajtur “Forca e ligjit”, i cili ka marrë përsipër jo vetëm t’i godasë këto grupe kriminale, por edhe t’i dobësojë ato, duke i prerë burimet e tyre ekonomike. Ky është paraparë që të jetë një operacion, i cili përmbledh energjitë dhe kontributet jo vetëm të policisë së shtetit, por edhe të agjencive ligjzbatuese në vend.

Janë ngritur Task Forcat Speciale në nivel qendror dhe ato rajonal, në funksion të të cilave janë vendosur prokurorët e dedikuar për këtë operacion, si dhe agjenci të tjera, si shërbimi sekret, hetimi doganor, pastrimi i parave etj., të cilat janë të përfshira në këtë proces.

Ne tani kemi mundësinë që secila agjenci të mos punojë vetëm ngastrën e vet, por me burimet njerëzore dhe teknike, që nuk i kemi në nivelin e duhur, duhet të bashkërendojmë përpjekjet për të qenë sa më eficentë përballë disa strukutrave, që janë shumë më të organizuara shpesh herë edhe se vetë shteti.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit. Në cilin moment ju mund ta quani luftën kundër krimit të organizuar të fituar?

Fatmir Xhafaj: Përgjigja është e vështirë sepse ky është një proces, që zhvillohet për vite e vite jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtete me demokraci dhe shtet të së drejtës të konsoliduar si SHBA, por unë nga pikëpamja e asaj që do ta konsideroja realisht sukses është fakti kur të shoh që realisht agjencitë përgjegjëse për këtë luftë së pari të kenë në radhët e tyre njerëz profesionistë, me integritet dhe të vendosur për t’u përballur me këto fenomene.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY