GRAFIKU/ Bashkitë ku paguhen më shumë taksa për banor, kryeson Tirana me...

GRAFIKU/ Bashkitë ku paguhen më shumë taksa për banor, kryeson Tirana me trefishin e mesatares së vendit

254
0
Shares

61 bashkitë në vend kanë arkëtuar 17.5 miliardë lekë (130 milionë euro) si taksa dhe tarifa nga bizneset dhe individët për 9 muajt e parë të vitit 2017, me një rritje prej gati 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të portalit financatvendore.al. Gjysma e këtyre të ardhurave (51%) është mbledhur nga bashkia Tiranë.

E dyta është Bashkia e Durrësit me 6.4% të totalit dhe më pas vijon Elbasani, me gati 3% të totalit.

Por, cilat janë ato bashki që mbledhin më shumë të ardhura në raport me banorët e tyre dhe cilat zërat kryesorë nga i sigurojnë ato. “Monitor”, ka përpunuar të dhënat e portalit të financave vendore për të ardhurat nga taksat dhe tarifat dhe numrin e banorëve sipas bashkive kryesore (popullsia për Bashki është marrë nga të dhënat që përdoren për përllogaritjen e granteve të pakushtëzuara nga Buxheti, i vetmi informacion i disponueshëm).

Në vend të parë është Tirana, ku taksat dhe tarifat e mbledhura nga bizneset dhe individët, të llogaritura për frymë arrijnë në 14.5 mijë lekë për 9-mujorin (pa përfshirë grantet e pakushtëzuara nga qeveria).

Për periudhën janar-shtator, Bashkia e Tiranës ka arkëtuar gati 9 miliardë lekë, me një rritje prej 54% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të portalit të financave vendore. 35% e të ardhurave të Bashkisë kanë ardhur nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, që ndonëse mblidhet nga bizneset e ndërtimit paguhet indirekt nga qytetarët, pasi ajo transferohet direkt në çmimin e shitjes së apartamenteve (ndërtuesit kanë pohuar se efekti i kësaj takse ka qenë një shtrenjtim i apartamenteve me 50-100 euro për metër katror në varësi të zonës).

17% të të ardhurave të bashkisë kanë ardhur nga taksa e ndërtesës dhe 16% nga Tarifa të shërbimeve publike vendore (mbetje, gjelbërim etj.) Taksat dhe tarifat për frymë që paguhen në Bashkinë Tiranë janë gati sa trefishi i mesatares së vendit, që është rreth 5,000/lekë për frymë.

Në vend të dytë është Bashkia e Vorës, ku të ardhurat për frymë janë 10.6 mijë lekë, ose dyfishi i mesatares së vendit. Bashkia e Vorës “përfiton” nga fakti që një sërë biznesesh të mëdha ushtrojnë aktivitetin në territorin e saj. 21% e të ardhurave të saj vijnë nga taksa e ndërtesës dhe 19% nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

E treta është Saranda, me rreth 8,500 lekë të ardhura për frymë. Bashkia bregdetare ka një shpërndarje më të barabartë mes të ardhurave, e kryesuar nga taksa mbi ndërtesat, tarifa të shërbimeve publike vendore (mbetje, gjelbërim), tarifa për zënien e hapësirave publike dhe fasadave, tarifa për shërbime administrative etj.

Kavaja, që renditet e katërta (5.3 mijë lekë për frymë), i siguron të ardhurat kryesore nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë, teksa kjo bashki jep lejet në një zonë të lakmuar bregdetare. Të ardhurat nga taksa e infrastrukturës përbënin gati 40% të totalit për 9 mujorin.

Edhe në Durrës (po rreth 5.3 mijë lekë për frymë) mbizotërojnë të ardhurat që merren nga lejet e ndërtimit. Taksa e infrastrukturës zë gati 28% të totalit të të ardhurave, e ndjekur nga taksa mbi ndërtesat me 21%.

Bashkitë që mbledhin më pak taksa janë ato të veriut e verilindjes, si Kukësi, Dibra, Mirdita, Tropoja. Për kompensim ato kanë dhe grante më të larta nga qeveria qendrore, ku më e dukshme është kjo për Kukësin, për të cilin grantet e pakushtëzuara për 9-mujorin ishin 6 herë më të larta sesa të ardhurat e veta, ndërsa në Dibër rreth 9 herë më shumë.

Ekspertët kanë pohuar se heqja e taksës së biznesit të vogël disa vjet më parë ka shtrembëruar strukturën e të ardhurave të bashkive, teksa ato në kërkim të burimeve të tjera të të ardhurave kanë rritur taksat dhe tarifat për shërbime të tjera.

Në fund të vitit 2015, qeveria shqiptare vendosi që të heqë taksën e biznesit të vogël për xhiro deri në 5 milionë lekë (që ishte 25 mijë lekë në vit), ndërsa për fashën nga 5 në 8 milionë lekë tatimi u ul në 5%. Të ardhurat nga taksa e biznesit të vogël administroheshin nga bashkitë. Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY