INTERVISTA/ Trafikantët shqiptarë po pushtojnë Europën, lidhjet me bosët e krimit në...

INTERVISTA/ Trafikantët shqiptarë po pushtojnë Europën, lidhjet me bosët e krimit në Shqipëri

163
0
Shares

Grupet kriminale që flasin shqip po marrin drejtimin e shpërndarjes së narkotikëve në tregjet e BE-së, duke shqetësuar dukshëm Europën. Autoritetet europiane nuk e përjashtojnë mundësinë që grupet që veprojnë në Europë të jenë të lidhur me ata në Shqipëri, madje dyshimet janë se bosët e krimit në Shqipëri janë të mbrojtur dhe nuk i gjen gjë. Të gjitha këto aktivitete të paligjshme, si brenda dhe jashtë vendit mund të gjenerojnë potencialisht fluks parash të pista, që mund të hyjë në Shqipëri, çka mund të shtrembërojë ekonominë në Shqipëri…

Nga Lisbona, Ornela Liperi

“Shqipëria është një vend ku ka kultivim të madh kanabisi, ka njerëz që mund të importojnë 613 kilogramë kokainë, ka kriminelë që ka të ngjarë që të dërgojnë paratë e tyre atje. E gjithë Europa po thotë që Shqipëria është një vend i krimit të organizuar”. Me një gjuhë herë diplomatike, e herë të drejtpërdrejtë, të bazuar mbi shembuj konkretë, z. Laurent Laniel, analist shkencor për reduktimin e ofertës së drogës, në Qendrën Europiane të Drogave dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA), me seli në Lisbonë, ka dhënë nga zyra e tij një intervistë ekskluzive për “Monitor”.

Që në fillim, ai thotë se ka pak informacion për atë që ndodh brenda në Shqipëri, por është i mirinformuar për ndikimin që ka Shqipëria në tregjet europiane të narkotikëve dhe sidomos të grupeve kriminale që flasin shqip, të cilët po marrin drejtimin e shpërndarjes së narkotikëve në tregjet e BE-së, duke shqetësuar dukshëm autoritetet europiane.

Laurent Laniel, analist shkencor për reduktimin e ofertës së drogës, në Qendrën Europiane të Drogave dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA)

Ai pohon se, pas vitit 2016, nga Shqipëria nuk raportohet më prodhim masiv i kanabisit, por kapjet e sasive të kanabisit në kufi vazhdojnë, çka të çon dy konkluzione, stok i madh ose prodhimi vazhdon në hapësira të mbyllura.

Një tjetër dukuri që po hetohet së fundmi është trafikimi i vajit të kanabisit nga Shqipëria, kryesisht në Greqi e Turqi, ku dyshohet se në Turqi, trafikantët shqiptarë e këmbejnë atë me heroinë.

Ai pranon që Europa ka qenë e butë me Shqipërinë për historinë e kanabisit, pasi ai nuk konsiderohet si drogë shumë e dëmshme dhe është në proces legalizimi në shumë vende. Por, tani kanabisi është rikthyer sërish si prioritet, pasi ai gjeneron para për kriminelët, të cilët i investojnë pastaj këto para dhe shtrembërojnë ekonominë, shtrembërojnë shoqërinë, korruptojnë zyrtarët lokalë, sektorin privat etj.

Por, më shumë sesa për kanabisin e mbjellë në Shqipëri, autoritetet europiane janë të shqetësuara për grupet kriminale që po veprojnë jashtë Shqipërisë dhe këtë fakt z. Laniel e përsërit disa herë gjatë intervistës. Trafikantët shqiptarë që veprojnë në BE janë forcuar dukshëm së fundi dhe po marrin kontrollin e tregut në Britani, Francën Lindore etj.

“Kolegët në Britani thonë se shqiptarët po marrin tashmë drejtimin e tregut të kokainës dhe shpërndarjes në nivelin e mesëm”, pohon ai. Shqiptarët jashtë po bëhen një kërcënim më i madh, pasi ata duket se janë të përfshirë në tregjet më të mëdha të drogave. Interesant është dhe fakti se si shqiptarët e marrin drejtimin e shpërndarjes së narkotikëve, pasi ata perceptohen se janë eficientë dhe që e mbajnë fjalën e dhënë, -që na kujton traditën shqiptare të besës-, dhe arrijnë të sjellin ngarkesat sipas porosive.

Autoritetet europiane nuk e përjashtojnë mundësinë që grupet që veprojnë në Europë të jenë të lidhur me ata në Shqipëri, madje dyshimet janë se bosët e krimit në Shqipëri janë të mbrojtur dhe nuk i gjen gjë. “Pyetja më e madhe është se si kriminelët shqiptarë, që veprojnë jashtë Shqipërisë, ndërveprojnë me ata që janë në Shqipëri. A janë ata, ashtu siç besojnë oficerët e policisë në disa vende europiane, të lidhur me bosët e krimit, që janë në Shqipëri dhe me sa duket janë të mbrojtur dhe asgjë nuk i gjen ata atje dhe ata organizojnë operacione dhe marrin paratë nga operacione që kryhen jashtë vendit, si trafikimi i kokainës dhe heroinës”, pohon z. Laniel.

Një tjetër fakt, që sipas tij është i sigurt, është që shqiptarët janë përfshirë në sjelljen e kokainës direkt nga Amerika e Jugut, që është një hap tjetër në tregti. Gjithsesi, sipas vlerësimeve të tij, për Europën, Shqipëria nuk është ende një qendër e madhe shpërndarjeje për kokainën, pasi aktiviteti më i madh i importimit dhe shpërndarjes së kokainës për tregjet europiane është nga portet e Belgjikës dhe Holandës.
Z. Laniel. pohon se të gjitha këto aktivitete të paligjshme, si brenda dhe jashtë vendit mund të gjenerojnë potencialisht fluks parash të pista, që mund të hyjë në Shqipëri, çka mund të shtrembërojë ekonominë në Shqipëri.

Por, në fund, ai është optimist se situata do të përmirësohet, pasi vendi është në proces integrimi drejt Bashkimit Europian. “Nëse Shqipëria do të lihej e braktisur, atëherë do të duhet të shqetësoheshit seriozisht shumë. Tani ju mund të shqetësoheni, por ndoshta më pak”.

Më poshtë intervista e plotë:

Shohim që Shqipëria po përmendet gjithnjë e më shumë në raportet tuaja si një vend prodhimi i kanabisit apo transit në trafikimin e lëndëve narkotike…

Shqipëria është, ose të paktën ishte deri përpara pak kohësh, një prodhues kyç i kanabisit siç raportohet nga partnerët italianë, të cilët fluturuan mbi vend dhe konstatuan sasi të mëdha të kanabisit të mbjellë.

Ka pasur gjithashtu dhe një sasi të madhe të kapur në kufijtë me vendet fqinjë me Shqipërinë, veçanërisht në Itali dhe Greqi. Pra është e sigurt, se të paktën deri në vitin 2016, Shqipëria ka qenë një prodhues i madh i kanabisit në bujqësi.

A keni ndonjë vlerësim të sasisë që mund të jetë mbjellë?

Jo, nuk kam ndonjë ide. Kur shkova në Shqipëri kërkova të më jepnin shifrat, por nuk m’u dhanë. Ju mund të pyesni në Universitetin e Napolit për rezultatet që mund të kenë nga vëzhgimet e bëra në terren nga Guardia di Finanza e Italisë. Unë nuk i kam të dhënat.
Në 2017, nga të njëjtat vëzhgime në të njëjtat zona me avion rezultoi se kishte pothuajse një zhdukje të kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Pra, të paktën jashtë nuk ka pasur më mbjellje, ashtu siç ndodhi në vitin 2016, vetëm nëse mbjellja ka vijuar në hapësira të mbyllura.

Pra kështu na është thënë, që nuk ka më kultivim të kanabisit në Shqipëri. Gjithsesi kapjet e sasive të kanabisit në kufi vazhdojnë, pra ka diçka misterioze këtu, ose diçka kundërintuitive. Ndoshta kanabisi u ruajt në Shqipëri, pra sasi të mëdha u ruajtën diku dhe prodhimi ka qenë i madh, ose ai vazhdon në hapësira të mbyllura dhe avionët nuk e kapin dot. Po trafikimi vazhdon. Unë nuk kam informacion për njërën apo tjetrën. Unë them që ka dy hipoteza. Sasitë e mëdha që vazhdojnë dhe kapen na çojnë vetëm në këto dy konkluzione, stok i madh ose prodhimi vazhdon në hapësira të mbyllura.

 

Harta e rrugëve kryesore të trafikimit të kanabisit në Europë, publikuar nga EMCDDA në raportin europian për tregjet e drogave

 

Si e shpjegoni këtë sasi të madhe të mbjellë?

Nuk është se kam ndonjë shpjegim. Kanabisi është mbjellë edhe përpara vitit 2016. 2016-a ishte viti i parë kur u konstatua përmes avionëve kultivimi i sipërfaqeve të mëdha. Edhe më parë është mbjellë në sasi të mëdha. Lazarati p.sh., ka qenë i njohur për kultivimin e kanabisit, deri në vitin 2014, kur një aksion i ashpër i policisë e ndaloi atë.

Të paktën deri në vitin 2014, në Lazarat, por edhe në zona të tjera, sipas raportimeve që ne kemi pasur, kishte sasi të mëdha të kanabisit të mbjellë. Unë kam qenë në Shqipëri dhe kam folur me autoritetet, përfshirë ata të policisë dhe nuk e kam kuptuar ende të qartë dinamikën se si ka ndodhur kultivimi dhe nuk kam lexuar ende një studim, shkrim akademik, apo shpjegim se çfarë ka ndodhur në Shqipëri me kultivimin në male.

Sa problematike është bërë Shqipëria në Europë me kultivimin e kanabisit, pasi dhe ju përmendët që ka ende kapje në kufijtë me Shqipërinë?

Është bërë problem, sidomos për dy vendet fqinjë, Italinë dhe Greqinë. Ne kemi raportime se kanabisi i prodhuar në Shqipëri trafikohet në këto dy vende dhe shitet në rrugë.
Përveç tyre, disa vende në Europën Lindore dhe Perëndimore, p.sh., Austria, raportojnë se një pjesë e kanabisit që ata gjejnë në tregjet e tyre vjen nga Shqipëria. Pra Shqipëria është bërë një furnizues i Europës dhe për këtë e kemi përmendur në raport, pasi këtë na e kanë raportuar shumë shtete.
Megjithatë, ne mendojmë se pjesa më e madhe e kanabisit që konsumohet në Bashkimin Europian prodhohet brenda BE-së dhe Shqipëria nuk është pjesë e BE-së.

Një fakt, që njerëzit që nuk merren me kanabisin nuk e dinë ose nuk e marrin në konsideratë, është që kanabisi që prodhohet në fusha jashtë në Shqipëri ka shumë të ngjarë që të jetë shumë më pak i fuqishëm, sesa kanabisi që prodhohet në hapësira të mbyllura brenda Bashkimit Europian.

Ne mendojnë se pjesa më e madhe e shteteve furnizohen me kanabis të fortë, pasi ne çdo vit marrim informacion se cilësia dhe pastërtia e tij rritet. Ne nuk e kemi mesataren e pastërtisë për kanabisin shqiptar, por normalisht, kanabisi që kultivohet në fusha jashtë është shumë më pak i fuqishëm sesa ai që prodhohet në BE, sepse në kultivimin jashtë nuk mund të kontrollosh kushtet e prodhimit.

Pra nuk është i një cilësie të mirë?

Saktësisht nëse do ta thoshim kështu. Pra ka një mister se pse do ta blinin konsumatorët europianë kanabisin shqiptar, nëse ai nuk është i fortë. Ka një hipotezë, që konstatohet dhe nga raportet tona, që kanabisi i butë shqiptar blihet për t’u përzier me atë të fortë të prodhuar në BE dhe shitet si një kanabis i fortë me çmime të larta, duke sjellë fitime të mëdha për shpërndarësit, pasi shesin një produkt me fuqi, që thonë se është e lartë, kur realisht është më e ulët.

Një tjetër çështje me kanabisin në Shqipëri është prodhimi i vajit të kanabisit. Vaji i kanabisit nuk është kapur në Shqipëri, por ka pasur raportime për kapje të tij në Greqi dhe Turqi dhe ne mendojmë se ky vaj është nga Shqipëria, i prodhuar me kanabis shqiptar. Për të bërë një litër vaj kanabisi duhen sasi të mëdha kanabisi, 10 apo 12 kilogramë, pra vaji është një produkt shumë i koncentruar.

Kjo është dhe një mënyrë për ta eksportuar më lehtë. Mund të kesh një dhomë me kanabis dhe e shndërron në vaj dhe e transporton më lehtë. Kjo është një çështje për të cilën ne po përpiqemi të kemi më shumë informacion, pasi kemi shumë pak për momentin. Dimë që kemi raste të kapjes së tij në Greqi dhe Turqi. Grekët thonë që vjen nga Shqipëria, ndërsa turqit nuk e specifikojnë se nga vjen vaji i kanabisit, por dyshojmë që ai vjen nga Shqipëria dhe ndoshta trafikantët shqiptarë e këmbejnë atë me heroinë. Pra kriminelët shqiptarë shesin vaj kanabisi dhe e këmbejnë atë për heroinë, nuk di të them për normat e këmbimit.

Ku prodhohet ky vaj kanabisi?

Nuk mund ta them. Siç e përmenda kam pak informacion për Shqipërinë, nuk flas shqip, kam qenë në Shqipëri për herë të parë pak muaj më parë. Unë punoj këtu në Lisbonë.

Ne, në fakt, e kërkuam intervistën pasi donim të kishim një ide se si e sheh Europa Shqipërinë…

Europa e njeh Shqipërinë në përgjithësi për çështjen e kanabisit që vite më parë, që kur ai kultivohej në Lazarat. Ka pasur informacion për njerëz që flisnin shqip që trafikonin heroinë kryesisht në -Zvicër, por bëhej fjalë për shqiptarët e Kosovës. Ata ishin furnizues të mëdhenj të heroinës në Zvicër, që e blinin nga turqit pra ka pasur lidhje mes shqiptarëve dhe turqve prej kohësh.

Aktualisht ka raportime nga policia franceze se njerëz që flasin shqip, – nuk e di nëse janë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia -, trafikojnë heroinë dhe janë bërë aktorë të rëndësishëm të trafikimit të heroinës me pakicë në Francën Lindore. Në njëfarë mënyre, ata ia kanë dalë të marrin vendin e atyre që shpërndanin heroinë më parë.

Ka konfuzion tek autoritetet europiane për shqiptarët, nëse janë shqiptarë nga Shqipëria, nga Kosova apo Maqedonia dhe kjo shqetëson edhe autoritetet shqiptare, pasi ata thonë që nuk kanë çfarë t’i bëjnë dikujt që nuk është me kombësi shqiptare.
Pra ka ekzistuar çështja e trafikimit të heroinës në Zvicër, nga shtetasit nga Kosova, tashmë kemi të dhëna për shpërndarje në Francë, nga njerëz që raportohen si shqiptarë.

Policia britanike është shumë e shqetësuar nga trafikimi i kokainës në Mbretërinë e Bashkuar nga shqiptarët dhe ata thonë që janë shqiptarë nga Shqipëria dhe janë pjesë e krimit të organizuar. Shqiptarët njihen dhe për trafikun dhe shfrytëzimin e prostitucionit, ky është rasti në Francë dhe ata kanë reputacion, që janë shumë të dhunshëm.
Nga ajo që më kanë thënë, shqiptarët kanë reputacion gjithashtu që janë të besueshëm. Nëse thonë se do ta bëj këtë, do ta sjell një sasi të madhe narkotike, ata e bëjnë këtë.

Godina e Qendrës Europiane të Drogave dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA) në Lisbonë

Në Shqipëri, ky është zakoni i besës, dhënies së fjalës…

Po dhe në Europë, trafikantët e tjerë e pëlqejnë këtë. Kolegët në Britani thonë se shqiptarët po marrin tashmë drejtimin e tregut të kokainës dhe shpërndarjes në nivelin e mesëm. Pra po ju them shembuj të saktë, të asaj që kam dëgjuar.

Por dua të theksoj se ka dy elemente, nga njëra anë ajo çfarë po ndodh në Shqipëri me prodhimin e kanabisit në vend deri para pak kohësh dhe nga ana tjetër, ajo që po bëjnë shqiptarët jashtë, që shpesh ngatërrohen nëse janë të Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë dhe që shpesh cilësohen thjesht shqiptarë për europianët. Shqiptarët jashtë, janë tani për mendimin tim, një kërcënim më i madh, pasi ata duket se janë të përfshirë në tregjet më të mëdha të drogave.
Ka shqiptarë që rekrutojnë vietnamezë, të cilët janë ekspertë në prodhimin e kanabisit brenda hapësirave të mbyllura, që prodhojnë kanabis të fortë brenda një sipërfaqeje të vogël. Kjo ndodh në Holandë.

Pyetja më e madhe është, nga sa unë kam njohuri – megjithëse theksoj që nuk jam specialist në Shqipëri dhe shpresoj që kjo të jetë e qartë, – se si kriminelët shqiptarë, që veprojnë jashtë Shqipërisë, ndërveprojnë me ata që janë në Shqipëri. A janë ata, ashtu siç besojnë oficerët e policisë në disa vende europiane, të lidhur me bosët e krimit, që janë në Shqipëri dhe me sa duket janë të mbrojtur dhe asgjë nuk i gjen ata atje dhe ata organizojnë operacione dhe marrin paratë nga operacione që kryhen jashtë vendit, si trafikimi i kokainës dhe heroinës?
Ky është një faktor i rëndësishëm. Kjo është diçka për të cilët oficerët europianë të zbatimit të ligjit janë përgjithësisht më të shqetësuar sesa për kultivimin e kanabisit brenda Shqipërisë.

Kjo është në këndvështrimin e zbatimit të ligjit nga policia. Nga ana politike është ndryshe, pasi Shqipëria do të hyjë në negociata për t’u anëtarësuar në BE, pra herët a vonë do të hyjë në BE. Si rrjedhojë do të ketë më shumë konsiderata politike në lojë dhe do të ndikojnë në një mënyrë apo tjetrën.

Mund të ketë më shumë denoncime për aktivitetin kriminal të Shqipërisë nga ata që nuk duan që ajo të hyjë në BE dhe më shumë veprime nga ata që duan që Shqipëria të hyjë në BE dhe që duan të tregojnë se Shqipëria, në të vërtetë, po i zgjidh problemet e veta me kriminalitetin.
Ndoshta kapja e 613 kilogramëve kokainë që ndodhi në mënyrë të mrekullueshme në Shqipëri kohët e fundit mund të interpretohet si një gjë e tillë, ndoshta jo. Problemi, kur kapet një sasi, është se ne nuk e dimë se sa ka kaluar.

Të kapësh kokainë në portet europiane nuk është diçka e pazakontë, apo diçka e jashtëzakonshme, megjithëse ishte hera e parë që u kap një sasi kaq e madhe në Shqipëri. Por, kush e di sa nuk është kapur më parë. Sasi të mëdha janë kapur në shtetin tuaj fqinjë Greqi, sepse ata kanë gjithashtu porte të mëdha, të mos flasim për Italinë ku kapen vazhdimisht, Holandë, Francë, kudo kapet kokainë.

Shqetësimi ishte se nga kanabisi do të kalohej tek kokaina…

Kjo është e mundur. Është gjithashtu e mundur, – diçka që nuk është komentuar shumë brenda në Shqipëri, por ngul këmbë serish – se shqetësimi i forcave të zbatimit të ligjit në Europë janë njerëzit që flasin shqip, aktivë jashtë Shqipërisë në BE, të cilët trafikojnë kokainë dhe heroinë, prostitucion dhe armë në Bashkimin Europian.

A janë të lidhur këta me Shqipërinë?

Këtë po thosha, kjo është pyetja e madhe, nuk e kam këtë informacion, megjithatë sinqerisht nuk do të habitesha në rast se do të kishin.
Sepse shqiptarët e Kosovës, që trafikonin kokainë në Zvicër, dhe ky është për mua shembulli historik prej 15 – 20 vitesh, trafikonin heroinë në Zvicër dhe ndërtonin shtëpi në Kosovë, që dukeshin sikur ishe në Zvicër, për shkak të modelit që ndërtoheshin.
Nuk do të habitesha nëse shqiptarët e Shqipërisë, që janë të përfshirë në aktivitetin e trafikimit në BE të dërgojnë gjithashtu paratë e tyre në Shqipëri, apo i dërgojnë në parajsa fiskale, apo pastrojnë paratë e tyre.

Ajo që është e sigurt është që shqiptarët, kur unë them shqiptarët nuk e di specifikisht nëse janë shqiptarët e Shqipërisë apo të Kosovës, janë përfshirë në sjelljen e kokainës direkt nga Amerika e Jugut, që është një hap tjetër në tregti. Importi me shumicë i kokainës është aty ku fitohet më shumë. Pra në rast se je në gjendje të blesh në Kolumbi me 2-3 mijë euro për kilogramë dhe e shet në Roterdam me 12 mijë euro kilogramin, norma e fitimit është shumë e lartë. Ka fitim edhe kur shitet në tregun brenda Europës, por norma e fitimit është e ulët.

Unë kam informacion për shqiptarët që trafikojnë kokainë dhe heroinë në Europë, kjo është e sigurt. Ky është një problem i madh, sepse ky është një ndryshim që po ndodh në Europë. Në Britani, më parë, shpërndarja bëhej nga vetë britanikët dhe kombësi të tjera dhe nuk ishin shqiptarët lojtarë të rëndësishëm. Tani ata janë.

Pse janë bërë pikërisht tani lojtarë të rëndësishëm?

Sepse ata janë eficientë. Ata nuk bëjnë shaka, kanë lidhje të mira me burimet, janë në gjendje që të sjellin kokainë në Europë pa u kapur dhe ata dorëzojnë, e bëjnë atë që premtojnë dhe të gjithë duan të bëjnë biznes me ta. Ju do të donit të bënit biznes me dikë që është i besueshëm dhe me sa duket, shqiptarët janë të besueshëm.

Kokaina e kapur në Maminas nga Policia

Pra shqiptarët po bëhen më të fuqishëm dhe po blejnë direkt në Amerikën e Jugut?

Po. Por, ajo që unë vazhdoj të ngul këmbë është se ajo që ndodh në Shqipëri është një gjë dhe ajo që ndodh me shqiptarët jashtë Shqipërisë është një gjë tjetër, që është me vlerë të merret në konsideratë. Sepse këto aktivitete mund të gjenerojnë potencialisht fluks parash të pista, që mund të hyjë në Shqipëri, çka mund të shtrembërojë ekonominë në Shqipëri.

Në çdo rast, ato i japin fuqi njerëzve që nuk janë shumë demokratë, ju e shihni që kriminelët nuk e vrasin mendjen për ligjet për jetët e njerëzve dhe nuk janë lloji i qytetarëve që ju do të donit të kishit. Këta njerëz duket se po bëhen më aktivë dhe të fuqishëm në tregjet europiane të drogës.

Si e vlerësoni kapjen e kokainës së fundmi në Portin e Durrësit?

Në Shqipëri u kapën 613 kilogramë, që është sasi e madhe, por jo shumë. Është e madhe, por jo masive. Sasi të mëdha quhen kur janë mbi 2 apo 3 tonë. Ajo që duhet të them është se fenomeni i importimit direkt për shpërndarje në BE është shumë më shqetësues. Ky fenomen është më i rëndësishëm dhe shumë më i madh në Holandë, Belgjikë, Itali, Spanjë.

Për momentin, duke pasur parasysh atë që dimë për krimin e organizuar në Shqipëri dhe nga shqiptarët jashtë Shqipërisë, është shqetësues dhe në njëfarë mënyre është rrezik që Shqipëria mund të bëhet një pikë shpërndarëse për kokainën në Europë, por ka shumë pika të mëdha shpërndarëse ekzistuese brenda në BE, të cilat autoritetet europiane po përpiqen t’i luftojnë. Ka kapje të mëdha pothuajse çdo ditë. Në Belgjikë p.sh., vetëm në një port në Antwerp u kapën vitin e kaluar 20 tonë kokainë. Pra Durrësi, me 613 kilogramë nuk është kaq sasi e madhe.

Belgjika dhe Holanda kanë avantazhin që kanë dy portet më të mëdha në Europë, Roterdamin dhe Antwerp-in (tregon hartën), ku ka kanale të shumta dhe shumë barka që lëvizin. Nëse shkon atje, oficerët të shpjegojnë se kokaina që arrin në Roterdam shërben për të furnizuar gjithë Europën Perëndimore, Francën, Belgjikën, Holandën, Gjermaninë
Shqipëria furnizon Italinë, Greqinë, shtete të tjera jo të BE-së, ku ka konsum të kokainës. Trafikimi i kokainës ndodh në shumë porte në Europë, ku ka kontejnerë, këtu në Lisbonë p.sh., ndodh, në Barcelonë, në Francë, dhe një tjetër që shtohet në listë është dhe Durrësi.

Nga disa tregues indirektë shohim se po hyn shumë para në Shqipëri, që po japin ndikim në tregun e pasurive të paluajtshme…

Është një efekt tipik i parave të pista të drogës, shtrembërimi i ekonomisë, veçanërisht me çmimet e pasurive të paluajtshme. Kjo ka ndodhur shumë në Kolumbi. Në njëfarë mënyre, një pjesë e industrisë së ndërtimit në Spanjë u zhvillua në këtë mënyrë, pasi dhe aty kishte shumë para droge. Në njëfarë mënyre, ky mund të jetë një tregues se trafikantët shqiptarë brenda Shqipërisë po fitojnë shumë para dhe po i investojnë këto para dhe që shqiptarët që veprojnë jashtë po dërgojnë paratë aty dhe po blejnë në Shqipëri.

Ka vlerësime të institucioneve ndërkombëtare se Shqipëria po bëhet Kolumbia e Europës. Si e vlerësoni ju?

Nuk i kam lexuar këto raporte. Opinioni im, është se Shqipëria është më mirë se 20 vjet më parë, kur aty ndodhën skemat piramidalë dhe kur shumë shqiptarë ikën masivisht jashtë. Tani është stabël, megjithëse ka kriminelë. A është Kolumbia e Europës? Nuk e di. Kam qenë në Shqipëri dhe është shumë më e sigurt se në Kolumbi dhe Meksikë dhe unë jam një ekspert në çështjet e Meksikës.

Është e vështirë të krahasohesh me të tjerët, por duke pasur parasysh historinë e vendit, që vjen nga diktatura, ka qenë i varfër, që ligjet nuk zbatohen, nuk është befasues aktiviteti kriminal. Nga ana tjetër, nëse do të hyni në BE do të ketë zbatim më të fortë të ligjit. Unë e di që tani në Shqipëri ka përpjekje për të zbatuar procesin e vetting-ut për gjykatësit e prokurorët, për të ndëshkuar korrupsionin.

Kjo do të ndihmojë në forcimin e shtetit dhe faktin që njerëzit t’i besojnë shtetit dhe t’u binden ligjeve. Hyrja në BE, nuk do të jetë mrekulli, po gradualisht do të ndikojë në forcimin e institucioneve. Pra, ka perspektivë, përveç krimit.
Problemi me krimin është se njerëzit që merren me të nuk duan që të heqin dorë, sepse fitohet shumë. Por, sa më shumë që do t’i afroheni Europës, më pak shanse do të ketë që qeveriseni nga mafia.

Po, por problemi është se paratë e mafies mund të investohen në Shqipëri dhe ne po shohim shumë zhvillime së fundmi, prandaj ka një lloj shqetësimi në vend…

E kuptoj këtë. Edhe unë, nëse do të isha shqiptar, do të isha shumë i shqetësuar. Ky nuk është tamam një rekomandim, por duhet të ketë më shumë bashkëpunim dhe besim mes autoriteteve në Shqipëri dhe autoriteteve në Bashkimin Europian për të luftuar krimin brenda Shqipërisë dhe krimin shqiptar jashtë Shqipërisë.

Pse, nuk bashkëpunojnë shqiptarët, apo nuk bashkëpunon Europa?

Europianët janë të frikësuar se, në rast se ata dërgojnë informacion të saktë, ai do të përdoret për të paralajmëruar kriminelët. Shqiptarët thonë, po mirë ju nuk na dërgoni neve informacion. Për autoritetet europiane, është shumë e vështirë të gjurmojnë shqiptarët për shkak të gjuhës dhe ndoshta ata nuk gjejnë informacionin e duhur për t’ua dërguar autoriteteve.

Por sërish, në rast se Shqipëria do të hapë negociatat, siç po diskutohet tani, mund të jemi të sigurt që do të ketë programe nga Europa që do të ndërtojnë ura mes njerëzve, të punojnë bashkë dhe të zgjidhin çështjet ballë për ballë. Qartazi, ky është basti që Bashkimi Europian po vë për Shqipërinë. Le t’i lëmë të hyjnë, të bëjmë programe, të përfitojnë nga fondet dhe t’i bëjmë ata të përshtasin normat europiane në çdo gjë.

Një pyetje e fundit, duket se ndërkombëtarët nuk kanë qenë shumë të ashpër me Shqipërinë, për shkak se bëhej fjalë kryesisht për kanabisin, i cili është në proces legalizimi në shumë vende?

Po ju thosha që kanabisi në Shqipëri është një problem, por për Europën jo aq shumë, sepse nuk hyn në drogat e rënda dhe ashtu siç thatë dhe ju është në proces legalizimi. Kanabisi në Europë nuk ka qenë prioritet, deri këtë vit, kur është bërë sërish prioritet, për arsye se gjeneron para për kriminelët, të cilët i investojnë pastaj këto para dhe shtrembërojnë ekonominë, shtrembërojnë shoqërinë, korruptojnë zyrtarët lokalë, sektorin privat etj.

Pra, tashmë, kanabisi është sërish një prioritet. Por, nga ana tjetër, mund të shihni se ka një lëvizje drejt liberalizimit, dekriminalizimit.
Për këtë po them dhe është e disata herë që po e përsëris në këtë intervistë, se problemi për Europën nuk është aq shumë kanabisi në Shqipëri, por shqiptarët që trafikojnë heroinë, kokainë e çfarëdo tjetër ku mund të fusin duart, jashtë Shqipërisë. Kjo është ajo që i shqetëson më shumë autoritetet europiane.

Por tani është rreziku që paratë që u fituan nga kanabisi të investohen për të blerë heroinë, kokainë në Amerikën e Jugut, ta sjellin në Shqipëri dhe ta përdorin si qendër për shpërndarjen në Europë, siç tregoi rasti i fundit…

Ndoshta një pjesë e këtyre parave investohet për të bërë këto gjëra. Edhe paratë që gjenerohen jashtë Shqipërisë mund të përdoren për të blerë kokainë. Kjo është ajo bëjnë kriminelët, i marrin paratë dhe i investojnë ato për të bërë më shumë para.

Kamioni që transportonte kokainë me origjinë nga Kolumbia

A mund ta përdorin Shqipërinë si bazë për trafikimin e kokainës?

Kjo mund të ndodhë. Mendoj se është tashmë rasti, ka të ngjarë që të ketë vende ruajtje për kokainën në Shqipëri. Po, nga ajo që ne shohim, për Europën nuk shoh që Shqipëria të jetë ende një qendër e madhe shpërndarjeje për kokainën.

Por unë shoh se ka porte të mëdha të importit të kokainës në Europë që nuk janë në Shqipëri dhe nga ana tjetër ka shqiptarë, që nuk janë të vetmit, që po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm në tregtimin e kokainës, në nivelin e lartë të tregtimit të kokainës në BE. Nëse kjo do të thotë se ata do ta përdorin Shqipërinë më pas si një platformë për Shqipërinë, ndoshta, pse jo.

Kjo do të bënte sens, ata janë nga Shqipëria, ata flasin gjuhën etj. Nëse do të lejohen ta bëjnë këtë, në një vend me 2.8 milionë banorë, ku policia po mobilizohet dhe trajnohet për të luftuar krimin e organizuar, kjo është gjithashtu pjesë e pyetjes. Sepse kjo do të ndodhë në Shqipëri, me negociatat për të hyrë në Europë, trajnime, teknologji, proces vetting-u brenda Shqipërisë.
Pavarësisht kësaj, disa njerëz mund të arrijnë të kryejnë aktivitete kriminale, pasi edhe në vendet me sisteme shumë të mira kontrolli, kriminelët nuk arrijnë të ndalohen.

Megjithatë, tashmë Shqipëria është një vend ku ka kultivim të madh kanabisi, ka njerëz që mund të importojnë 613 kilogramë kokainë, ka kriminelë që ka të ngjarë që të dërgojnë paratë e tyre atje. E gjithë Europa po thotë që Shqipëria është një vend i krimit të organizuar. Dhe është dhe këtë nuk e mohojnë as autoritetet shqiptare.
Megjithatë, dinamika është për më pak krim të organizuar, duke pasur parasysh procesin e integrimit. Nëse Shqipëria do të lihej e braktisur, atëherë do të duhet të shqetësoheshit seriozisht shumë. Tani ju mund të shqetësoheni, por ndoshta më pak. Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY