VIDEO/ Nishani komenton kontrata e lobimit të PD, ka dhe një apel...

VIDEO/ Nishani komenton kontrata e lobimit të PD, ka dhe një apel për Bashën, Topallin, Patozin…, etj

198
0
Shares

Ish-Presidenti i Republikes, Bujar Nishani i cilëson stisje artificiale dyshimet e ngritura nga revista amerikane “Mother Jones” se kompani ruse kanë financuar për lobim për Partinë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe krijimin e trazirave në Ballkan. Duke folur në një intervistë për Tv Klan mbi këtë çështje, artikullin preferon ta cilësojë një investigim bulevardesk, për të cilin thotë se është kthyer në kauzë nga qeveria shqiptare për të larguar vëmendjen nga situata e krimit, drogës dhe korrupsionit që po kalon vendi dhe njëherazi për të asgjësuar opozitën.

“Është stisje e debatit politik që qeveria kërkon të krijojë një kauzë të re për t’i ikur problemeve si varfëria, azili i shqiptarëve, shkatërrimi i institucioneve, trafiku i drogës nga ai i kanabisit tek ai kokainës, dhe korrupsioni. Është një kauzë që nuk ngjit, sepse Partia Demokratike është lindur për të sjellë produkte pro-euroatlantiste deri në aktin më madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Vet zoti Basha kryenegociatori diplomatik i procesit”.

Ish-Presidenti thotë se lobimi nuk është një fenomen i ri për partitë politike shqiptare dhe si një mekanizëm ligjor të dikton bërjen e transprencës, proces që ai thotë se Partia Demokratike e ka bërë, e që sipas tij do të duhet ta përsërisë përballë akuzave në rritje që vijnë nga qeveria.

“Dokumentet që janë depozituar, komunikimi që është kryer i krijon të gjitha hapësirat për të pasur transparencë. Patjetër që këtë PD dhe zyrtarët e saj duhet ta përsërisin”.

Pas mbarimit të mandatit si President i vendit zhvillimet politike në vend dhe veçanërisht ato në Partinë Demokratike i sheh me sy kritik. Si ish-funksionar i lartë i kësaj force politike, Nishani thotë se kthimi në alternativë qeverisëse për Partinë Demokratike duhet të kalojë përmes bashkimit të kontributeve dhe afrimit të figurave që u lanë jashtë listave nga Lulzim Basha, si Imami, Topalli apo Patozi.

“Opozita s’mund të qëndrojë strikt tek identifikimi i problemeve, por duhet të ofrojë modelin se si do të jetë ky ndryshim. Në këtë kontekst ka nevojë për këto zëra. PD ka potencial njerëzor që nga krijimi i saj, njerëz me reputacion, dhekëto janë të nevojshme për Partinë Demokratike. Këshilltarë të mirë do jenë edhe për liderin e PD”.

Por cila është e ardhmja e Bujar Nishanit në Partinë Demokratike?

“Jam rritur, formësuar brenda PD. Kam gëzuar besimin maksimal të PD, deri të qenit President, që është privilegj. I jam mirënjohës dhe besoj tek parimet e së djathtës së qendrës që politika e PD mbart mbi vete, tek alternativa qeverisëse që ka dhënë Partia Demokratike. Do jap ndihmesën time si qytetarë, politikan me synimin që t’i shërbejë të mirës publike”.

Që prej mbarimit të mandatit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani është vendosur në këtë zyrë te shtetit, nga ku ndjek çdo zhvillim në politikën shqiptare, me qëllimin për të vazhduar të japë kontribut në shoqëri, siç shprehet ai.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY