RRËFIMI/ Egërsia e policit, gruaja: Ma mbante kokën në ujë, më hidhte...

RRËFIMI/ Egërsia e policit, gruaja: Ma mbante kokën në ujë, më hidhte nga shkallët derisa më qëlloi me plumb

200
0
Shares

Në gjykimin e ish-policit Artim Gashi, i cili po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj ish-gruas së tij, si dëshmitare u dëgjua vetë e dëmtuara e këtij rasti. Gjatë dëshmisë së saj, e dëmtuara tha se gjatë kohës sa kishte qenë e martuar me të akuzuarin kishte përjetuar një tmerr të vërtetë, të cilin e krahasoi me një film horror.

“Unë për vete martesën time mund ta krahasoj me një tmerr, me një film horror. Nuk mund ta përshkruajë asnjë regjisor jetën time që kam pasur ata tre muaj”, u shpreh ajo. Ajo tha se edhe gjatë kohës sa kishin qëndruar në muajin e mjaltit ish-bashkëshorti edhe gjatë atyre ditëve kishte ushtruar dhunë ndaj saj.

“Kemi qenë në muajin e mjaltit më tmerrues. Ky ka tentuar disa herë të ma fusë kokën në ujë, madje disa herë ma ka mbajtur kokën në ujë dy-tri herë dhe unë jam larguar prej aty sa kam dalë nga uji. Mbasi që kam dalë nga uji, kam shkuar në dhomë dhe jam rrahur mirë prej vrasësit, saqë krejt trupi im ka qenë me shenja”, tha e dëmtuara, e cila gjatë gjithë kohës të akuzuarit i referohej me termin “vrasësi”.

Por në lidhje me dhunën e vazhdueshme që i ushtrohej vazhdimisht nga burri i saj tha se nuk kishte njoftuar asnjë njeri nga familja e saj pasi nuk kishte dashur që t’i shqetësonte ata, sepse i shoqi disa herë e kishte kërcënuar se do t’i vriste dhe vëllanë. Ajo e përmendi edhe një rast për të cilin tha se ai e kishte shtyrë shkallëve ku dhe kishte vrarë krahun. “Pas dy-tri ditësh më ka shtyrë shkallëve aq sa që kam vrarë krahun e majtë. Babi im më ka dërguar te doktori për krahu”, tha e dëmtuara.

Momenti kur kishte vendosur që të largohej nga shtëpia tha se kishte qenë kur ajo, pasi kishte përdorur makinën e bashkëshortit për ta dërguar nënën e tij tek disa të afërm, pa dashje e kishte gërvishtur makinën. Menjëherë e kishte lajmëruar të shoqin, të cilit i kishte thënë se do të shiste një unazë të babait të saj dhe se do t’ia rregullonte makinën por ai i kishte thënë përmes telefonit të largohej nga shtëpia menjëherë.

“Në telefon më ka shkruar mesazh dhe më ka thënë: “Dil hup nga shtëpia, kudër!” Më ka përzënë nga shtëpia.

Kur më ka përzënë nga shtëpia ka qenë me patrullën e policisë, me dy-tre policë para derës së shtëpisë së tij”, shtoi tutje gruaja. Pas kësaj ajo tha se menjëherë kishte shkuar dhe e kishte marrë babai i saj, të cilin më pas i shoqi e kishte telefonuar dhe i ishte drejtuar me fjalët: “A ta shfrytëzova mjaft çikën”, duke përdorur fjalë të pista e duke e ofenduar.

Më pas gruaja mes lotësh e përshkroi edhe momentin e ngjarjes tragjike që i kishte ndodhur. Aty trupi gjykues u detyrua të bënte disa minuta pushim në mënyrë që ajo të qetësohej e të vazhdonin më tutje me dëshminë e saj.

“Atë ditë kam qenë duke shkuar në fakultet me tezën time Kadrie Canolli dhe gjatë rrugës ky idiot ka ardhur dhe ka dashur të më shkelë me makinë. Mbasi e ka ndalur makinën, me dhunë donte të më fuste brenda por unë refuzova.

Kam qenë me tezen time krah për krah kur ai më ka ekzekutuar. Kishte ardhur em synimin që të më vriste, por Zoti më ka dhënë jetë. Ai ka nxjerrë armën zyrtare të Policisë të Kosovës dhe më ka ekzekutuar me një plumb në kokë. Automatikisht kam qenë pa vetëdije dhe nuk kam ditur më asgjë, ndërsa tezja ime u vra shpirtërisht”, tha e dëmtuara e cila e në mes lotësh e tregoi momentin kritik të ngjarjes tragjike që i kishte ndodhur.

Më pas mbrojtësja e të dëmtuarës, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, e pyeti atë nëse pas sulmit kishte pësuar dëmtime në shikim. Gruajatha se ajo e ka humbur syrin e majtë dhe se edhe pas shumë e shumë ndërhyrjeve ka ende probleme me syrin e djathtë. Në lidhje me këto ndërhyrje ajo tha se babai i saj ka shpenzuar rreth 50-60 mijë euro aq sa edhe shtëpinë e ka vendosur për shtije pasi që asaj i duhet të kryejë edhe disa ndërhyrje të tjera kirurgjike.

Kurse avokati i të akuzuarit, avokat Ramiz Krasniqi gjatë marrjes në pyetje kërkoi të dinte nga e dëmtuara nëse i akuzuari kishte qenë xheloz gjatë martesës dhe a e kishte dashur të dëmtuarën. Ajo tha se ai ka qenë një njeri xheloz dhe shumë i pabesë. Madje e dëmtuara në fund deklaroi se pasi  ajo kishte dalë nga spitali kishte marrë një telefonatë kërcënuese, për të cilën pretendon se e kishte marrë nga vetë i akuzuari i cili e ka telefonuar nga burgu.

Sipas aktakuzës, ngjarja kritike ka ndodhur më 2 janar 2017 rreth orës 9:30, në rr. “Xhavit Ahmeti”, në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se i akuzuari pas një përgatitje paraprake e kishte përcjellë nga shtëpia të dëmtuarën, e cila ishte nisur për provim në Fakultet. Më tej, aktakuza shpjegon se Gashi fillimisht e kishte ndaluar dhe ishte munduar që me dhunë ta fuste në veturë, mirëpo pasi e dëmtuara kishte refuzuar, ai me qëllim që ta privojë nga jeta, me armën zyrtare, të llojit “Glock”, e ka goditur atë me një plumb në kokë, saktësisht në syrin e majtë, goditje kjo nga e cila të dëmtuarës ia këputë indet e syrit të majtë, plumbi depërton në tru duke ia shqyer cipën trunore, me ç‘rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë me pasoja të përhershme për shëndetin.

Më pas, i shoqi ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Me këtë, ai ngarkohet me veprën penale vrasje e rëndë në tentativë si dhe i është konfiskuar arma e përmendur në dispozitivin e kësaj aktakuze. I pandehuri në deklaratën e tij të dhënë në prokurori më 30 mars 2017, e kishte shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje. Express

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY