Prokuroria e Tiranës vendos pushimin e procedimit penal për çështjen e byzylykëve elektronikë. Ministrja e Drejtësisë kishte kërkuar rihapjen e çështjes. Çështja ishte rikthyer për hetim me vendim të gjykatës. Ministria e Drejtësisë vuri në dispozicion të hetimit gjithë aktet e nevojshme. Prokuroria brenda 3 muajsh vendosi pushimin e çështjes. Burime konfidenciale nga MD thonë se Ministrja Gjonaj do të vazhdojë rrugën ligjore për zbardhjen e çështjes dhe vënien para përgjegjësisë të autoreve.
Edhe më herët, në fundvitin që shkoi, Prokuroria kishte refuzuar të niste hetimet dhe të fillonte procedimin penal për skandalin e byzylykëve. Por Gjykata e Tiranës urdhëroi Prokurorinë e Tiranës që të regjistrojë procedimin penal për këtë çështje, pas ankimit nga ministria e Drejtësisë. Në “përmbushje” të këtij “detyrimi” të gjykatës, Prokuroria hetoi “sa për sy e faqe” dhe sërish vendosi pushimin procedimit penal.
Skandali me tenderin e byzylykëve pranë mbikëqyrjes elektronike të të dënuarve, u denoncua disa muaj më parë nga ish-ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi. Pas plasjes së këtij skandali, ai depozitoi në Prokurorinë e Tiranës kallëzim penal për bashkimin e operatorëve fitues të tenderit dhe ish sekretaren e përgjithshme të ministrisë së Drejtësisë. Sipas ministrisë kallëzimi penal është bërë ndaj firmave “Fastech”, “Ratech” dhe “Soft Solution” si dhe ndaj ish-sekretares së kësaj ministrie Juliana Hoxha pasi është personi që ka firmosur kontratën me kompaninë fituese. Ky kallëzim i ministrisë erdhi në përfundim të hetimit administrativ të kryer nga ministria e cila prej dy ditësh ka marrë në dorëzim byzylykët e dorëzuar nga kompanitë fituese. Më herët vetë ministria ka sqaruar se firmat fituese “Fastech”, “Ratech” dhe “Soft Solution” nuk ishin paraqitur për të kryer testimin e këtyre pajisjeve të dorëzuar ministrisë.
Tenderi për këtë shërbim dhe 300 byzylykët u bë në fillim të vitit 2017 ku në një vlerë prej afro 2 milion euro u shpallën fitues tre operatorët ekonomik. Në këtë tender rezulton se janë shkelur një sërë procedurash dhe është favorizuar bashkimi i operatorëve fitues. Pas kaq ditësh ende mungon një përgjigje zyrtare për procesverbalin e marrjes në dorëzim apo funksionimit të byzylykëve për të kuptuar sa prej tyre janë funksional vendosur tek të burgosurit, sa prej tyre janë të dëmtuar dhe sa prej tyre u kthyen nga firma tek ministria e drejtësisë. DRONI.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/