TABELA/ Të vetëpunësuarit në krizë, 16 mijë prej tyre dalin të papunë...

TABELA/ Të vetëpunësuarit në krizë, 16 mijë prej tyre dalin të papunë – TVSH nga 1 prilli rrezikon dhe të tjerë

223
0
Shares

Ekonomia shqiptare dominohet nga sipërmarrjet e vogla, ndërsa shqiptarët kanë parë si alternativë punësimi,  vetëpunësimin.

Por, vetëpunësimi në Shqipëri duket se ka filluar të tkurret, duke reflektuar konsumin e dobët, që sipas INSTAT rritet mesatarisht vetëm 2-3% në vit, por edhe ndryshimin e modelit ekonomik në tregtinë me pakicë, (ku mbizotërojnë të vetëpunësuarit), teksa pesha e qendrave tregtare dhe zinxhireve të supermarketeve sa vjen e rritet, duke konkurruar fort dyqanet e vogla.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT, në anketën strukturore 2016, vetëpunësimi në Shqipëri krahasuar me një vit më parë është tkurrur me 13 për qind, apo gati 16 mijë persona në total, që kanë mbetur të papunë.

Rënia e fortë e tyre, një vit pas aksionit antiinformalitet (në 2015-n u formalizuan rreth 30 mijë biznese, kryesisht të vogla) tregon se subjektet e vogla nuk i kanë rezistuar formalizimit dhe kanë dalë sërish nga tregu.

Në total, në vend kishte 108.4 mijë të vetëpunësuar në 2016-n, duke përbërë  23% të të punësuarve në total. Pesha e vetëpunësimit, ka ardhur në ulje, nga rreth 28% që ishte në anketën e vitit të mëparshëm, megjithatë ajo mbetet ndër më të lartat në Europë, së bashku me Turqinë dhe Greqinë, sipas të dhënave nga Eurostat.

Të vetëpunësuarit në vend ndahen në dy kategori të mëdha, në prodhuesit e të mirave dhe në prodhuesit e shërbimeve. Rënien më të mëdha në vlerë për sa i përket vetëpunësimit e ka pasur kategoria e prodhuesve të shërbimeve, konkretisht sektori i tregtisë.

Nga të dhënat e përllogaritura nga Monitor, vetëpunësimi në sektorin e tregtisë u tkurr me 16 për qind. Në këtë sektor rreth kishte 8,900 të vetëpunësuar më pak se një vit më parë. Në total i gjithë grupi i prodhuesve të shërbimeve  numëronte mbi 13 mijë më pak të vetëpunësuar. Rënie të vetëpunësimit ka pasur edhe tek ofruesit e shërbimeve, me rreth 2,200 më pak të vetëpunësuar.

Sektori i tretë më rënien më të lartë në kategorinë e prodhuesit të shërbimeve ishte sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor me rreth 1900 të vetëpunësuar më pak.

Në kategorinë e prodhuesve të të mirave, në 2016-n kishte rreth 2,000 të vetëpunësuar më pak. Sektori me rënien më të madhe të vetëpunësimit ishte ndërtimi. Në 2016-n, në sektor kishte rreth 1500 të vetëpunësuar me pak.

Individët janë të prirë që të krijojnë hapësira për vetëpunësim në ato vende ku pagat janë të ulëta, por edhe papunësia e lartë.

Megjithatë sipas sondazheve të Monitor, të kryer me bizneset e vogla që kishin bërë kërkesë për pezullim, sipërmarrjet e vogla kanë nisur që të ndjejnë krizën për disa arsye: që nga shtimi i konkurrencës, formalizmi dhe fuqia më e ulët blerëse.

Nga rezultatet e sondazheve, 60% e bizneseve të anketuara mbi arsyet e mbylljes operonin në sektorin e tregtisë me pakicë (dyqane ushqimore apo të veshjeve) dhe në sektorin e shërbimit (bar-kafe). Nga 300 biznese shqiptare të anketuara, 62 prej tyre ishin bar-kafe, afërsisht 41% e totalit.

Goditja e radhës nga TVSH

Në 1 prill pritet të hyjë në fuqi ulja e kufirit të regjistrimit të TVSH-së nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë. Në këtë mënyrë, edhe bizneset që kanë një qarkullim ditor minimal prej 5,500 lekë në ditë do të jenë të detyruar të futen në skemë. Përveçse do t’u rriten koston e mbajtjes së kontabilitetit, në rast se nuk do të arrijnë të transferojnë TVSH-në në çmim (për shkak të konkurrencës), atëhere ata do të përballen me rënie të fitimeve. Shumë biznese kanë paralajmëruar se fitimet e tyre janë minimale dhe nuk do të arrijnë t’i mbijetojnë një rritjeje të kostove.

Sipas të dhënave zyrtare të financave e tatimeve janë rreth 9-10 mijë biznese që planifikohen të hyjnë në skemën e TVSH-së, nga rreth 60 mijë biznese në total, që janë jashtë kësaj skeme. Por, duke pasur parasysh kufirin e ulët prej 2 milionë lekësh, që nënkupton një qarkullim ditor prej rreth 5500 lekësh, një shumë minimale që realizohet nga pothuajse kushdo që ka një biznes, numri i të futurve në skemë mund të jetë më i madh, sidomos në sektorin e tregtisë. Sipas INSTAT, vetëm në sektorin e tregtisë ka rreth 42 mijë ndërmarrje me 1-4 të punësuar. Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY