FOTO GALERI/ “Kursal” dhe “Europa” kafet që frekuentonte dikur elita e Tironës

FOTO GALERI/ “Kursal” dhe “Europa” kafet që frekuentonte dikur elita e Tironës

887
0
Shares
Nga Uvil Zajmi – Tirona Website
Uvil Zajmi

Nga Tirona vjetër sot ka mbetur pak ose aspak. Kanë mbetur vetëm emra në kujtesë. Që nga “Kursali”, lokali i famshëm në nyjen që lidhte Rrugën e Durrësit me të Kavajës, ku shkonte elita e kryeqytetit, e veshur shik dhe flokë të lyer me brilantinë, tek hotelet dhe restorantet me famë, përpara vitit 1945.

Si kanë qenë, kush i frekuentonte e si u zhdukën nga harta e Tironës. Një kthim pas në kohë për nostalgjikët por edhe brezat e rinj që do të donin të dinin më shumë për kryeqytetin e fillimshekullit. XX.

“Europa” e pëlqyer nga familja e Mbretit

Shumë i njohur për kohën, restorant-kafe-hotel “Europa”, me pronar Lluka Papadhopullin, ka qenë një ndërtesë dykatëshe thuajse në pjesën jugore të Pazarit të Vjetër, në krah të Xhamisë e Sahatit. Ndonëse Lluka, miqtë e shokët e tij ishin frekuentues të rregullt të “Kursalit”, në mjediset e “Europës” shërbej dhe gatuhej shumë mirë, madje personeli i “Kursalit” vinin aty për dreka e darka.

Lluka fillimisht kishte punuar kuzhinier tek “Internacionali”, më pas te Pallati i Zogut, pasi kishte shumë miqësi me Princeshën Sanije, motrën e Mbretit. Ishte ai që gatuante dhe shërbente për banketet e familjes mbretërore, madje edhe drekën e familjes ua dërgonte ai.

Pas Zogut, Llukën e morën italianët, ndërsa në vitet e socializmit ka shërbyer në ish-Bllok. Njeri i ndershëm, nga Amerika, Austria, ku mësoi artin e gatimit, pastaj në Francë para se të vinte në Shqipëri me gjirokastritin Habibi, ndërtoi hotelkafe- restorant “Europa”.

“Bella Venezia”, tjetër preferencë

Kafe “Bella Venezia”, në bulevardin kryesor, ka qenë një lokal me një frekuentim intensiv në mes vitet ’60-’70, kur mori edhe emrin kafe pastiçeri “Tirana”. Me hapësirë, mirarreduar, ajo kishte një mjedis komod e modern ku shërbehej vetëm në katin e parë, pasi sipër ishte banesë.

Kafe “Qendra”, “Iliria”, “Durrësi”, Shtëpia e Oficerëve

Ishin në qendër, përballë Bashkisë, dhe ndërsa dy të parat ishin kafe, “Durrësi” ishte hotelrestorant, ku për shumë vite para e pas lufte grumbulloheshin skuadrat e futbollit, kryesisht ato të klubit të Tironës, sportistët e të cilit e kanë frekuentuar sistematikisht atë dhe më vonë ato të cirkut dhe estradës si T. Agolli, vëllezërit Arjan dhe Don Miluka etj.

Ndërkohë, në Tironë, një frekuentim të mirë kishte Shtëpia e Oficerëve, ku në bodrumet- salla të saj për shumë kohë është luajtur bixhoz, por masivisht është preferuar barkafe- restoranti për oficerët madhorë, më pas për shtresën e mesme qytetare dhe artistët kur ajo u transformua në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Është periudha kur të tjera kafe hapën në bulevard, në qendër dhe në rrugët kryesore të Tironës bashkë me “Florën”, atë në katin e tretë të Pallatit të Kulturës, të hotel “Arbërisë” e “Arbanës”, të 15-katëshit, si dhe “Vollga”, që mbeti klasike me bar-sahatin pranë saj, për të ardhurit te kafe “Rinia” (“Tajvani” sot). Sidoqoftë, ndryshimeve dhe preferencave që solli koha, “Kursali” mbetet i pari lokal-kazino dhe modern i Tironës.

Prishjet drastike pas ’45

Të pakta ishin ato emërtime që u ruajtën pas ‘45-s. Rrugë, sheshe, lokale morën emra heronjsh, liderësh komunistë, ngjarjesh dhe datash të shënuara nga Lufta Nacionalçlirimtare, duke marrë shembull nga Bashkimi Sovjetik. Goditjen e parë e dha prishja e Pazarit të Vjetër me lokalet e gjithçka që e rrethonte, pasi në vitin 1959-’60 filloi ndërtimi i Pallatit të madh të Kulturës, madje gurin e parë e vendosi vetë Hrushovi.

Dhjetë vjet më pas, për ndërtimin e 15-katëshit u prishën të gjitha ndërtesat, lokalet restorantet në bulevard dhe në Rrugën e Dibrës, për t’u ndjekur nga shembja e godinës së Bashkisë. Për ngritjen e kësaj ndërtese (më pas, Komiteti Ekzekutiv i Tironës), filluan punimet më 12 maj 1930, kur kryebashkiaku Rexhep Jella bashkë me prefektin Rauf Fico vendosën gurin e parë në themelin e godinës.

Punimet përfunduan më 1 shtator 1931, datë kur u përurua në prani të princeshave me një ceremoni në veçantë. Ajo ishte një ndërtesë stil perëndimor, dykatëshe, në harmoni me arkitekturën italiane të ndërtesave përreth. Si Bashkia, edhe “Kursal-Rinia” mbijetuan deri në vitin 1980, kur për të ndërtuar Muzeun Historik, Bashkia-Komitet u hodh në erë me dinamit, përfshirë gjithçka në pjesën lindore, duke lënë një hapësirë deri te pallati i kulturës “Ali Kelmendi”, ndërtesa e të cilit sot ka marrë të tjera funksione.

Pas viteve ’90, në Tironë janë hapur disa lokale me emrin “Kursal”, por pa strukturën, apo arkitekturën e ish-lokalit të famshëm. Duket se ideuesit janë mjaftuar të trashëgojë vetëm emrin, me shpresë që lokali të ketë famën dhe frekuentimin e atij mitik.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY