Lulzim Basha, drastik me klasën politike në Shqipëri dhe Kosovë: Të vetëgjyqësohet...

Lulzim Basha, drastik me klasën politike në Shqipëri dhe Kosovë: Të vetëgjyqësohet ose të lirojë vendin

148
0
Shares

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka komentuar sonte 10 vitet e pavarësisë së Kosovës ndërkohë që ka rrëfyer edhe kujtimet e tij nga viti 1999 deri në vititn 2004 kohë kur ai punoi ën institucionet ndërkombëtare që mbikqyrnin Kosovën. Në një intervistë në TVSH në emisionin ‘Përballë’ të gazetarit Lutfi Dervishi ai tha se klasa politike në Shqipëri dhe Kosovë duhet të vetëgjyqësohet ose ndryshe duhet të lirojë vendin për një klasë tjetër të re.

Dervishi: Zoti Basha 10 vjet më parë Kosova shpalli pavarësinë, 17 shkurti ka qënë një ditë feste, ju keni qënë ministër i Jashtëm. Një ditë që kaloi në dy faza, faza e parë e ditës që kaloi me festimet e kumtimet dhe faza e dytë me disa shqetësime për ngjarjet që po ndodhnin ne very të Kosovës dhe  nëBeogradit. Çfarë mund të risillni sot në vemendjen tuaj nga 17 shkurti i 2008-s?

Basha: Dita në vetvete ka qënë një ditë emocionesh të jashtëzakonshme. Por ka qënë në të njëjtën kohë edhe arritja në finish pas një maratone do të thoja të gjatë plot me sfida, plot me të panjohura dhe plot me lajme të mira por edhe me zhgenjime të cilat kulmuan në përfundim me më arritjen e një objekti kombëtar që ishte shpallja e pavarësisë në kordinim me Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europain dhe njohja e e pavarësisë në një kohë të shkurtër nga shtetet kryesore, fuqitë kryesore të botës.  Prandaj vetë data 17 është një datë emocionesh, është një datë përjetimesh, por është arritja, është etapa finale e një rrugëtimi të gjatë, plot me sfida të lodhshëm do të thoja por të kurorëzuar me sukses. Në këtë kuptim e kujtoj njësoj siç do ta kujtonte një Maratonomak momentin e prerjes së shëritit, më shumë gëzim, me një çlirim të madh, dhe natyrisht këtë 10-vjetor e kujtoj edhe me një ndjesi krenarie të bashkëndare besoj me të gjithë bashkëkombasit tanë.

Dervishi: Rruga e Maratonomakut, ishte nje metarforë e bukur që përdorët, nuk ka qënë e shtruar me dafina, dhe ju folët për të panohura dhe zhgenimet. Mund të flasim konkretisht çfarë të panjohure përmbante deri në këto ditë?

Basha: Të kemi parasysh se kur flas për maratonë nuk flas vetëm për veten time, flas për të gjithë shqiptarët, sigrisht përjetimi im vjen edhe nga fakti që familja e nënës time vjen nga Kosova. Maratona ka nisur me dekada dhe shekuj më përpara. Për familjen time të ngushtë ka nsiur nga një spastrim ektnik të vetë familjes me largimin e gjyshërve të mi nga ana e nënës 100 vjet më parë dhe 100 vjet më vonë unë ekzekutoja përgjegjësitë e Ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë në momentin e deklaraimit të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe njohjes si shtet i pavarur nga komuniteti ndërkombëtar.  Kështu që kjo maratonë është maratona e miliona shqiptarëve. E brezave të mëparshëm yë cilët e kanë vaditur me gjak momentin e arritjes tek një moment i paqtë, tek një moment solemn i shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së pavarësisë. Këtë kam parasysh me maratonë.

Dervishi: Ju keni qënë në Kosovë, përmendët rrënjët tuaja, para së te jeni Ministër i Jashtëm, para se shpallet pavarësia. Cili është emocioni juaj në vizitën e parë në Kosovë si Luzim Basha dhe jo si zyrtat i shtetit Shqiptar?

Basha: Përkon me datëlindjen time. Me 12 qershorin e vitit 1999, në këto momente unë punoja për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Tribunalin e Hagës si Drejtor i Opracioene në zyrën e Tiranës që sapo kisht përfunduar me sukses ndërtimin e padisë kundër Sllobodan Millosheviçit. Dhe ishte kjo që më mundësoi hyrjen në Kosovë në orët e parë të futjes në Kosovë të kontigjenteve të para ushtarake të KFOR-it, të NATO-s, pas marrëveshjes së Kumanovës dhe tërheqjes së trupave serbe. Di që moment i parë i kontaktit i ndodhjes në territorin e Kosovës.

Dervishi: Kaluat nga Morina?

Basha: Jo nga Maqedonia. Disa orë pas futjes së kontigjenit të parë britanik, kam qënë bashkë me dy kolegë. Kemi qënë tre të parët të OKB-së. Dy makinat e vetme të bardha në një mori makinash të gjelbra ushtarake të burkave nepaleze që ishin pararoja. Ajo që mbaj mend është momenti i parë i futjes në pikën kufitare ku akoma nxirrnin tym shtepia të djeguara të shqiptarëve, ku dëgjoheshin me rregullsi krismat e armëve dhe vështirë të dallohej se ku po luftohej e ku po festohej. Por ndjesia e parë ka qënë sikur po zbuloja një pjesë të vendit, të atdheut, të tokës, të cilën mund të mos e kisha parë gjithë jetën. ishte sikur të shkoja në anën tjetër të Hënës. E shikon Hënën nga njëra anë gjithmonë, e di që ka edhe një anë tjetër. E dija që ishte jë Kosovë, nga e cila vjen gjysma e familjes time dhe të qënit aty personalisht ishte një ndjesi e papërshkueshme sot dhe e vështirë për t’ia shpjeguar tjetrit. Një ndjenjësi thellësisht emocionale. Por kjo ka të bëjë me emocionet dhe jam i sigurtë se nuk është vetëm ndjesia ime apo atyre që origjinojnë nga Kosova, por është ndjesia e çdo shqiptari moment i çlirimit të Kosovës dhe i futjes së trupave të para të NATO-s, të britanikëve, amerikanëve, gjermëve francezëve, italianëve, trupave të tjerë. Ka qënë do të thoja një moment ekzaltimi kombëtar. Një moment i realizmit të pjesës më të madhe të ëndrrës së shqiptarëve për të zgjidhur një problem shekullor të të lirisë kombëtare.

Dervishi: Ju keni qënë Ministër i Jashtëm, në krye të diplomacisë, më 17 shkurt. Por para se të ndalem tek kjo ditë, ka qënë një përqasje që qoi në pavarësinë e Kosovës dhe një shqetësim në rajon dhe më gjërë Çështja Shqiptare, Shqipëria e Madhe. Cila ka qënë përgjigja juaj ndaj interlekutorëve të shqëtësuar për këtë realitet të ri në Ballkan?

Basha: Mendoj se 10 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është momenti t’i themi disa gjëra pak më hapur. Unë i përkas një brezi që është rritur me idenë e Shqipërisë së Bashkuar, Kosovës së Bashkuar me Shqipërinë. Me ëndërrën, jo idenë. Ëndërr e cila ka ekzistuar edhe para se të vinte demokracia dhe ne mund të artikulonim dhe të flsinim hapur për çështje të tilla. Vitet ’90 ishte koha e ndërgjegjësimit për domosdoshmërinë e veprimit për të arritur objektivat kombëtare por edhe domoshmërinë e ralizmit se çfarë do të mund të arrinim në veçanti në zgjimin e luftës së përgjakshme në ish-Jugosllavi ku orekset shoviniste Serbe quan nga njëra anë qindra – mijëra jetë të humbura dhe nga ana tjetër në një Serbi se vinte e bëhej më e vogël si ndëshkim për një politikë shfarosëse, shoviste që synonte territoret. Dhe kjo natyrisht gdhendi, nën lidershipin e ibrahim Rugovës, ëndërrën e Kosovës së Pavarur, pra të një shteti të pavarur tjetër të shqiptarëve, përveç Republikës së Shqipërisë, si një zgjidhje e cila do të akomodonte një padrejtësi shekullore, por nga ana tjetër do të përballte shqiptarët me sfidën e të qënit në të njëjtën lartësi si vlerat, parimet, normat dhe vizioni i vendeve euro-perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të amerikës sa i përket të ardhmes së gjithë rajonit dhe jo vetëm Shqipërisë, jo vetëm të shqiptarëve. Dhe ishte pikërisht ky realism që pavarësia e Kosovës nuk do të ishte thjehstë një hap në drejtim të zgjidhjes së problemit kombëtar të shqiptarëve, do të ishte një hap akoma më i madh në drejtim të kthimit një herë e përgjithmonë të shqiptarëve në familjen e vlerave perëndimore, në familjen e vlerave europiane dhe euro-atlantike. ajo që i dha një shtysë të fuqishme përpjekjeve për pavarësinë e Kosovës. Në këtë kuptim nuk ka asnjë dyshim që vetë pavarësia e Kosovës është përqafuar nga shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar jo thjeshtë dhe vetëm si korrektimi i një padrejtësie shekullore ndaj popullit shqiptar dhe kombit shqiptar.

Dervishi: Si përgjigje ndaj spastrimit etnik

Basha: Apo përgjigje ndaj spastrimit ektnik të 1999 që nuk ishte i pari as i dity si spastrim ektnik i ndodhur në Kosovë, por si invetimi më i mirë së pari për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe së dyti për një Ballkan Europian, për një Ballkan euro-atlantik.

Dervishi: Serbët s’e kanë ndarë kurrë këtë opinion që pavarësia e Kosovës është çelësi i paqes

Basha: Sigurisht që jo dhe në këtë kuptim ka qënë një operacion i dhimbshëm dhe një investim për Serbinë europiane. Kurrë nuik do të kishte një Serbi potencialisht europiane sa kohë që Kosova do të ishte e robëruar apo në gjendje luftë ta armatosur siç ndodhi në vitet 1998-1999. Vetë pavarësimi i Kosvës, e kam thënë dhe e përsëris, është një investim për Serbinë Europiane. Ky është natyrisht një vendim që u takon serbëve, por pavarësia e Kosovës është investimi më i madh në tre dekadat e fundit për Serbinë Europiane, pse jo edhe për Serbinë Euro-Atlantike.

Dervishi: Çfarë mund të na thoni sot, që nuk mund të thonit 10 vite më parë? Unë kam pas rastin t’iu intervistoj në studion e Televizionit Publik saktësisht 10 vite më parë në 17 shkurt të 2008-s.

Basha: Ka akoma ggjëra të cilat nuk mund të thuhen për vetë natyrën e komunikimit diplomatik

Dervishi: Pas Ëikileeks që dolën 250 mijë kabllo dhe nuk ndodhi ndonjë gjë e madhe, bota vazhdoi jetën…

Basha: Për fat të mirë apo për fat të keq natyra e diplomacisë personale në takimet që kam pasur me homologë edhe europiane të cilët kanë ndihmuar në mënyrë të drejpërdrejtë shpesh herë duke kaluar kufinjtë e diplomacisë, të tjerë të cilët kanë ngrënë fjalën dhe kanë bërë prapakthehu nga qëndrimet e premtuara. Ndërhyrjet e faktorëve të tretë kryesisht të rusisë. Përballja me ta jo vetëm në forumet shumëkombëshe, multilateral, siç ishin ato të OSBE-së apo OKB-së, por i gjeja edhe aty ku nuk duhet të ishin në disa takime bilateral, dhe çmontimi i të gjithë mekanizmit anti-pavarësi, në kuptimin e argumetave anti-pavarësi ka qënë një përpjekje shumë sfiduese dhe më ka dhënë një sfadisfaksion të jashtëzakonshëm. Nuk duhet të harrojmë se e gjitha kjo është zhvilluar në kontekstin e një ambienti jashtëzakonisht pozitiv, dashamirës dhe mbështetës të krijuar nga mbështetja e Uashingtonit dhe shumicës dërrmuese të vendeve europiane.

Dervishi: A ditëm ne shqiptarët t’ua kthejmë si shpërblim, si mirënjohje aleatëve perëndimorë imnvestimin e madh që bënë për shtetin e dytë shqiptarë në rajon?

Basha: Kjo është një punë në process. Kantieri vazhdon punën. Dhe bën mirë që thua shqiptarëve, se kjo është një detyrë jo thjeshte e Kosovës por edhe e Shqipërisë, natyrisht e shqiptarëve kudo ku jetojnë, në Maqedoni dhe kudo tjetër.

Dervishi: Zoti Basha, çfarë mund të ishte bërë më mirë? 10 vite nuk janë shumë nga pikëpamja historike, janë dy rreshta në histori, por 10 vite janë shumë për jetën  e një brezi. Çfarë mund të ishte bërë më mirë në Kosovë gjatë këtyre 10 viteve?

Basha: Çfarë mund të kishim bërë më mirë si shqiptarë? Unë nuk e ndaj sepse sigurisht ata kanë përgjegjësitë e tyre në raport.

Dervishi: Doja të thota brenda etikës së lidershipit të Kosovës

Basha: Unë nuk i jap vetes të drejtën as sot as kurrë. As si kryetar i opozitës, as nesër si kryetar i qeverisë, në asnjë rol të bëj gjyqtarin klasës politike të Kosovës. Unë mendoj që në tërësi klasa politike e Kosovës i ka kryer detyrat e saj me një sens përkushtimi ndaj vendit dhe kam bindjen e thellë se do të vazhdojë ti kryejë detyra me përkushtim ndaj vendit.

Dervishi: Si ndodh që tashmë lindershipi i Kosovës ndodhet në një përplasje të hapur. Kujtoj 10 vite më parë ju keni thënë saktësisht që “Po të ketë njohje cilësore, pesë vendet Britania e Madhe, Franca, Gjermania, italia dhe SHBA” tashmë ata bëjnë deklarata dhe i thonë lidershipit të Kosovës se “Nëse do të bëni këtë veprim do të keni këto pasoja. Ne jemi miqtë tuaj dhe mos na humbisni” në këtë sens?

Basha: Nuk duhet marrë një episod i veçantë  që është episodi i Gjykatës Speciale

Dervishi: Nuk është i parëndësishëm

Basha: Nuk është i parëndësishëm. Është i rëndësishëm. Pikëpamjet e mia për të i kam thënë qartë dhe kam bindjen që, ashtu siç edhe ka ndodhur, që me përgjegjësi të madhe, njerëzit të cilët kanë luftuar me armë për lirinë e Kosovës, kanë sakrifikuar ata, të afërmit, jetën ë tyre, kanë derdhur gjakun për të arritur tek Kosova e pavarur do të dinë të ngrihen në nivelin e sakrifikimit të interesave të tjera, qofshin këto partiake apo edhe pesonale për Kosovën. E kam bindje të thellë këtë dhe nuk ka sit ë ndodhë ndryshe. Nuk mund të ndodhë ndryshe që dikush që kan vënë në rrezik jetën e tij, të fëmijëve të tij, të familjes së tij për lirinë e Kosovës, që ka flijuar anëtarët e familjes apo të komunitetit duke udhëhequr një beteje për lirinë e Kosovës të tradhëtojë këtë ideal. Kjo nuk mund të ndodhë. Jam i bindur. Shpreh bindjen më të thellë për këtë dhe nuk e kam për një qokë politike sot në këtë emission. E kam bindjen më të thellë. Kjo nuk do të ndodhë. Nuk ka forcë në botë të kthejë prapa sakrificën dhe investimin e bërë tashmë nga kosovarët dhe nga lidershipi i tyre politik, pavarësisht prej krahut politik. Ajo që doja ta thoja është diçka tjetër. Çfarë na ndodhi? Unë e kam thënë, e kam paralajmëruar në një farë mënyre sepse e kam ndjerë si një rrezik dehje nga suksesi. 2008 ishte një vit i madh. Kosova u shpall e pavarur. Shqipëria u ftua në NATO. Vit i madh për Shqipërinë, për shqiptarët. Vit i madh për perëndimin në Ballkan. Vit i zi për kundërshtarët e perëndimit në Ballkan, për mendimin tim, një vit vendimtar për të ardhmen e Serbisë Europiane. Nuk kam parasysh serbët këtu, kam parasysh ata që nuk e duan dhe nuk e shohin Ballkanin si pjesë të Europës apo si pjesë të Aleancës Euroatlantike. Por nëse këtu arritëm falë vendosmërisë tonë të dy dekadave të fundit por në fakt një vendosmërie brezash për të mos e lëshuar Kosovën, për të luftuar deri në fund për të realizuar lirinë e tyre. Pra vendosmërisë dhë mbështetjes të jashtëzakonshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vecanti, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca dhe vende të tjera të Bashkimit Europian. Ajo që na nevoitej dhe na nevoitet është një strategji, një vizion  jo për muajin e ardhshëm, as për vitin e ardhshëm, as për zgjedhjet e ardhshëme, por për 10,15 ,20 apo 30 vitet e ardhshme.

Dervishi:Pse nuk e kemi?

Basha: Sepse jemi në radhë të parë, mendoj sepse arritja e këtyre sukseseve pati një efekt dehës në elitat jo thjeshtë politike por në elitën kombëtare të vendit dhe bashkë me çlirim që  erdhi nga arritja e këtij stacioni të madh kombëtar, erdhën edhe efektet anësore negative të dehjes, indulgjenca, sëmundjet ekzistuese u thelluan në veçanti ato që kanë të bëjnë me qeverisjen jo transparente, me protagonismin që pastaj i hap rrugë fenomeneve të shëmtuara siç janë  korrupsioni, siç është mosluftimi me efikasitet i krimit, personalizimi i shtetit që vjen dorë për dorë me rrënimin në vend, që të jetë ngritja e shtetit ligjor dhe të tjera problem që ndikuan dhe vazhdojnë të ndikojnë negativisht në prespëktivën tonë. Por jam I bindur që është një sëmundje kalimtare që është një dehje kalimtare dhe në qoftë se shohë një sfidë për ne për këtë gjeneratë për gjeneratën e ardhshme , tani eshte koha urgjentisht të shtrojmë rrugën dhe të ndërtojmë së bashku që nuk është detyrë vetëm e Prishtinës apo vetëm e Tiranës por e të dyvë bashkë dhe faktorit Shqipëtarë kudo ku jeton per dekadad e ardhshme. Vizioni është i  qartë, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ku jeton komuniteti më i madh i shqipëtarëve jashtë këtyre dy republikave. Kanë një vision të qartë për Shqipërnë europiane, Kosovën europiane, Maqedoninë europiane dhe kjo i jep pyetjes tuaj përgjigjen. Po ky është bashkimi kombëtar është bashkimi kombëtar në një realitet politik ku kufijtë e humbin domethënien e tyre ku shqipëtarët lëvizin lirshëm ku tregjet apo tregu i tyre është i intëgruar në një të vetëm  dhe ku përpos flamurit kombëtar dhe simboleve kombëtare kemi edhe një flamur tjetër që e  mishëron dhe duhet ta mishërojë bashkimin kombëtarë që është flamuri I Bashkimit Europian dhe flamuri i NATO.

Dervishi: Qëndrojmë një sekond tek flamuri i Bashkimit Europian. Ju folët për vitin 2008 si viti i Perëndimit në Ballkan dhe si Ministër i Jashtëm ju keni artikuluar në atë kohë si përgjigje ndaj shqetësimit për Shqipërinë e madhe apo bashkimin e Shqiptarëve që kemi një plan të qartë do të bashkohemi në Bruksel. Nisur nga strategjia e zgjerimit qe u bë publike ne Strasburg, ne Parlamentin Europian nga Komisioneret Europian për rajonin duket sikur Shqipëtarët do të shkojnë me valë drejtë Brukselit dhe nuk është se janë në një hap për shkak dhe të specifikave. Shqipëtarët në Serbi dhe në Mal të Zi janë në valën e parë për momentin. Shqipëria dhe Maqedonia mbeten  në valën e dytë sipas vlerësimeve të komisionit dhe më mbrapa Kosova dhe Bosnja. 10 vjet më pasë cfarë do të thonit për këtë bashkim të shqiptarëve në Bruksel?

 Basha: Gjithcka  mund të përmbyset sic është përmbysur sepse 10 vjet me parë Serbia nuk dukej fare, nuk ishte as pjesë e trenit. Treni ecte  përpara me Shqipërinë, Kroacine dhe Maqedoninë. Serbia s’ishte fare pjesë e trenit dhe Mali i Zi kërkonte të hipte në këtë tren po nuk ishte akoma në qoftë se marrim një metafore të tillë dhe sot papritur shikojmë këtë realitet të përmbysur, por jo fatal as përfundimtar. Kjo mund të përmbyset përsëri. Shqipëria pra mund të jetë lokomotiva e integrimit Europian të rajonit.

Dervishi: Per 2025?

Basha : Per 2025 apo 2030 ne kemi detyrat tona Bashkimi Europian ka objektivat e veta. A po i bëjmë ne detyrat tona ? A kemi ne një vizion për të shkuar këtu. Shiko para se të shpallej pavarësia e Kosovës,  vizioni për Kosovën e pavarur dhe Shqipëtarët si një faktor i  fuqishëm  europianisus, emancipues rajonit mori forme konkrete , jo thjeshtë  qëndrimet  politike ,jo thjeshtë qëndrimet e diplomacisë shqiptare, ju e dini fare mire që ishtë e preferuara e shtëpisë së bardhë të Xhorxh Bushit, e departamentit të Shtetit të Kondolesa Rais,  apo Hilari Klinton më vonë , e preferuara e Brukselit. Por mori formë në atë që ne bënim ishin shqiptarët ishin vitet ku akoma pa u shpallur pavarësia e Kosovës ne përvijuam shkrirjen sktrukturore dhe infostrukturore të Shqipërisë dhe të Kosovës. Projektuam rrugën e kombit 2009 kjo rrugë përfundoi . Kjo do të thotë të punosh me vizion , jo të punosh thjeshtë se cfarë do të korrë vitin e ardhshëm , por se cfarë do të korrë brezi i ardhshëm cfarë do të korrin dy brezat e ardhshëm, dhe në këtë kuptim.

Dervishi: Si kishit menduar ju në 2008, me investimet infrastrukutore, rruga Ibarim Rugova , rruga e kombit, në pozicionin e 2008 për 10 vitet  ardhshëm që tashme kanë ne i mbërritëm ,a kishit menduar se do të ishin në këtë gjëndje marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës?

Basha: Jo unë  nuk i kisha menduar kështu pasi kisha menduar  se pas heqjes së vizave me Shqipërinë, kisha menduar marrjen e statusit të vendit kantidat në një kohë shumë më të shpejtë , hapjen e negociatave, kisha menduar liberalizimin e vizave për  Kosovën brenda vitit 2013-2014.  C’është e vërteta dhe kam bashkëpunuar në atë kohë gjatë viteve 2009-2010 me autoritet e Kosovës të cilat kishin të njëjtën bindje. Kam besuar se bashkë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës do të fillonte edhe një prespektivë e qartë dhe e prerë për antrësimin e  Kosovës ne NATO por edhe në Bashkimin Europian. Natyrisht qe ka procese eksteme që nuk varen as nga Tirana as nga Prishtina procese globale sic ishte kriza ekonomike e vitit 2008 e cila padyshim pati efekte  politike dhe ngadalësoi edhe oreksin për zgjerim qoftë në NATO qoftë në Bashkimin Europian , pati edhe problem që  u shpalosen  me fuqi të madhe , duke nisur këtu nga shtëpia jone siç ishin problemet e rikthyera dhe të zmadhuara të kriminalitetit të bumit të drogës. Për të cilën le të themi të vërtetën kundërshtarët tanë, rivalët tanë ,armiqtë ne Ballkanin perëndimor kanë bërë gjithëçka qe jo thjeshtë faktet por edhe imazhi të rrënohet dhe Shqipëria të njihet sot siç është njohur para vitit 2005 si një vend trafikantësh, si një vend ku politikanët apo pushtetarët janë në bashkëpunim me kriminelët apo janë vetë kriminelët. Dhe këto nuk  mund ti mendoja ishin të paimagjinueshme  në 2008 për mua. Unë mendoja dhe besoja, isha i bindur se ne vitin 2009 kur bëmë aplikimin për statusin se vitit 2010 do të na gjente mes NATO-s, se viti 2012 do të na gjente në negociata të hapura dhe se e do të vazhdonim të ishim lokomotiva e rajonit bashkë me Kroacinë dhe do të ndihmonim me të gjitha mënyrat që edhe vendet e tjera të rajonit të na ndiqnin. Tani pak rëndësi ka kjo sepse kjo është e kaluara ,rëndësi ka cfarë mund të bëjmë sot për nesër. Është në dorën tonë, gjithçka është në dorën tonë.

Dervishi: Ne vitin 2028 , ndoshta do të jetë një koiçidencë interesante që të bëjmë një intervistë në harkun e tridhjetë viteve dhe pas dhjetë vitesh. Në 2008 në 2018 dhe në 2028 si e shikoni të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kosovës?

Basha : Problemet aktuale janë akute, janë probleme të mprehta , plotësisht  te zgjidhshme në qoftë se ka vullnet politik. Ajo që mund të konfirmojë është që unë e kam këtë vullnet politik, Partia Demokratike e ka këtë vullnet politik dhe unë e di që ka shumë burra dhe gra që e kanë këtë vullnet politik dhe të gjitha partite politike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo tjetër.  Jo drejtuesit aktual të Tiranës dhe ky natyrisht është një problem që duhet zgjidhur, do ta zgjidhin qytetarët shqiptarë. Që ne të jemi në 2028 atje ku unë besoj anëtarë të Bashkimit Europian puna duhet të fillojë sot. Sot ne duhet të kthejmë zgjdhjet e lira në Shqipëri , sot ne duhet të shpallim një ndryshim themelor të politikës dhe pastaj të ekonomisë në Shqipëri dhe ne Kosovë, duke i thënë fund monopoleve politike, që ti japim fund monopoleve ekonomike që  do të mundësojë që cdo shqiptar në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni të ketë mundësi të konkurrojë lirisht në zgjedhje, në  tregje, në universitete, në media dhe kudo tjetër. Pra jemi në fund të një akumulimi të madh i cili nuk mund të vazhdojë më, të problemeve që nuk dua ti përsëris se jemi edhe në intervistë jubilare por qe nuk mund të vazhdojë më. Shqipëria ka nevojë per një ndryshim themelor për një ndryshim të madhë politik dhe ekonomik. Shqiptarët e duan këtë ndryshim dhe jam i  bindur se kanë energjitë për ta bërë këtë ndryshim. I takon klasës poltike të vetëgjyqsohet ose përndryshe kjo klasë politike e ka mbaruar misionin e saj dhe i  takon një klase të re drejtuesish në Shqipëri ndoshta edhe në Kosovë të marrin pishtarin dhe të vazhdojnë stafetën për të arritur në Shqipërinë europiane,  në Kosovën europiane, lufta pa asnjë kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, vendosja e shtetit  ligjor të normave Europiane, çlirimi i konkurrencës në ekonomi, fund monopoleve siç e thashë ekonomike, politike, mediatike janë imperativa të cilat, lufta për të cilat duhet të niset sot  dhe jam  i bindur që në 2028 do të shikojmë se ishte vendimi i duhur beteja e duhur dhe fitorja e çdo Shqiptari dhe çdo Shqiptareje .

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY