MARRËVESHJA/ Fluksi emigrimit, Rojet Bregdetare Europiane do të ruajnë kufirin shqiptar

MARRËVESHJA/ Fluksi emigrimit, Rojet Bregdetare Europiane do të ruajnë kufirin shqiptar

113
0
Shares

Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë Dimitris Avramopoulos dhe Fatmir Xhafaj, Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, sigluan sot draft marrëveshjen statusore për bashkëpunim operativ ndërmjet Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare dhe Shqipërisë. Pasi të hyjë në fuqi, marrëveshja do t’i mundësojë Agjencisë të sigurojë asistencë në fushën e menaxhimit të kufirit të jashtëm, si dhe do t’u mundësojë ekipeve të Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare të vendosen me shpejtësi në territorin shqiptar në rast të ndonjë ndryshimi të papritur të flukseve migratore.

Komisioneri Avramopulos tha: “Dëshiroj të falënderoj autoritetet shqiptare për negociatat e frytshme dhe angazhimin e tyre për të arritur një marrëveshje kaq shpejt. Shqipëria është një pararendëse në rajon dhe marrëveshja do të shërbejë si model për marrëveshje të ngjashme që po negociojmë me partnerë të tjerë në Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimi më i ngushtë midis Shqipërisë dhe Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare do të na lejojë të jemi më të shpejtë dhe më fleksibël në mënyrën se si i përgjigjemi çdo sfide të mundshme migratore. Ky është një hap i rëndësishëm përpara dhe është në interesat më të mira si të Shqipërisë, ashtu dhe të Bashkimit Evropian”.

Ministri i Brendshëm Xhafaj tha: “Kjo është një marrëveshje e rëndësishme që do të na ndihmojë të marrim asistencë të kualifikuar në lidhje me menaxhimin e kufijve. Ajo do t’i mundësojë gjithashtu Shqipërisë të përfitojë nga projektet që do të japë Bashkimi Evropian gjatë implementimit të kësaj marrëveshjeje. Kjo është një mundësi e mirë për ne për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe bashkëpunimit me vendet e BE-së. Gjithashtu, shfrytëzoj rastin të falënderoj ekipin negociator shqiptar për profesionalizmin e tij në negocimin dhe përfundimin e kësaj marrëveshjeje. Ne do të ndjekim menjëherë procedurat e kërkuara për të filluar zbatimin e marrëveshjes”.

Njoftuar nga Presidenti Juncker në fjalimin e tij mbi gjendjen e Bashkimit Evropian për vitin 2017 dhe miratuar nga Komisioni javën e kaluar, strategjia “Një perspektivë e besueshme zgjerimi dhe rritja e angazhimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor” nënvizoi progresin e madh të bërë nga Shqipëria në udhën e saj evropiane dhe të ardhmen evropiane të rajonit. Projekt marrëveshja e sotme është negociata e parë që do të përfundohet mes Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare dhe partnerëve të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Forcimi i bashkëpunimit operativ mes vendeve të treta prioritare dhe Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare do të kontribuojë në menaxhimin më të mirë të migracionit të parregullt, do të rrisë më tej sigurinë në kufijtë e jashtëm të BE-së, si dhe do të forcojë aftësinë e Agjencisë për të vepruar në vendet e afërta me BE-në. Marrëveshja statusore me Shqipërinë është një hap tjetër përpara drejt funksionalizimit të plotë të Agjencisë.

Komisioni po negocion aktualisht marrëveshje të ngjashme me Serbinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe shpreson për një përfundim të shpejtë të të dyja negociatave. Tani marrëveshja me Shqipërinë duhet të miratohet nga Shtetet Anëtare dhe do të nënshkruhet zyrtarisht në një datë të mëvonshme, pasi të dyja palët të përfundojnë procedurat e nevojshme ligjore. Pasi Marrëveshja të ketë hyrë në fuqi, Agjencia Evropiane e Rojeve Kufitare dhe Bregdetare do të jetë në gjendje të kryejë aktivitete operative dhe të vendosë ekipe në rajonet e Shqipërisë që kufizojnë BE-në, në marrëveshje me autoritetet shqiptare dhe me autoritetet e atyre Shteteve Anëtare që ndodhen në kufi të zonës së operimeve.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY