“Ujku” i naftës, skema e radhës së grabitjes së ARMO

“Ujku” i naftës, skema e radhës së grabitjes së ARMO

238
0
Shares

Historia e rafinerisë së përpunimit të naftës së ARMO-s, që prej vitit 2008, kur u privatizua, është e denjë për një film me fokus mashtrimin financiar. Skenari është i njëjtë, vetëm aktorët, të njohur dhe të panjohur, ndryshojnë: Rafineria merret me qira nga një kompani misterioze, shfrytëzohet, nuk paguhen taksat, më pas braktiset duke i lënë radhën një tjetri, që bën të njëjtën gjë.

Aktori më i fundit që ka hyrë në skenën e ARMO-s është “Allum Enterprises”, i cili është në proces të blerjes së rafinerisë së naftës. “Allum Enteprises” sipas ekstraktit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit është krijuar në gusht në vitit 2017 dhe pronari i saj është “ALLUM ENTERPRISES LIMITED”, një kompani e regjistruar në Angli në qershor të vitit 2017, një sipërmarrje guackë, e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, që fsheh aksionerin e vërtetë.

“Allum Enterprises” po zëvendëson “Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A” (IRTC) një tjetër guackë, e regjistruar në Ishujt Virgin, që e shfrytëzoi rafinerinë e naftës deri në nëntor 2017, u largua duke lënë punonjësit pa punë (të cilët filluan protestat), ndërsa rezultoi që nuk kishte paguar as taksat.

Detyrimi fiskal i ITRC, i krijuar në 2017, ishte rreth 4.7 miliardë lekë (rreth 35 milionë euro), kryesisht taksë qarkullimi, sipas burimeve zyrtare nga tatimet. Fillimisht u deklarua që investitori ishte një kompani amerikane, por më pas rezultoi që pas IRTC qëndronte sipërmarrësi shqiptar Besnik Sulaj, i cili e ka mbrojtur publikisht aktivitetin e IRTC.

Përpara IRTC, ARMO shfrytëzohej nga Deveron, sërish një kompani guackë, e lidhur me zotëruesit e aksioneve të shoqërisë ARMO dhe TPD e lidhur me administratorët e IRTC.

Në hije qëndrojnë dhe aktorët e vjetër, të cilët ende drejtojnë lojën. Njëri prej tyre është Cristophe François Bernard Darbord, i cili është bërë administrator i ARMO-S në mars të vitit 2015, (pasi kompaninë e morën Heaney Assets Corporation nga Taçi Oil, i cili e shiti në mes të vitit 2013, rafinerinë që kishte blerë nga shteti në 2008-n).

Dabord, i cili figuron ende si administrator i ARMO në QKB është aksioneri i kompanisë mëmë të TOSK ENERGJI, të quajtur CFD Conseils Sarl, të regjistruar në Gjenevë. Tosk Energji është krijuar në qershor të vitit 2015 me aktivitet në fushën e tregtimit me shumicë të karburanteve. Në 2016-n, ajo u rendit mes 200 kompanive më të mëdha në vend dhe ka deklaruar të ardhura prej 2.2 miliardë lekësh në 2016-n, sipas të dhënave zyrtare të bilancit.

Kompania ka bërë financimin e blerjeve te naftës bruto tek Bankers Petroleum dhe ARMO për llogari të IRTC. Darbord, ndonëse në hije, mbetet aktori kryesor që drejton gjithë skenarin e shfrytëzimit të ARMO.

Skema e shkëputjes së aseteve nga ARMO

Sot ARMO dhe nënkontraktorët e saj janë të zhytur në borxhe, të krijuara në vite që vetëm ndaj tatimeve arrijnë në 240 milionë euro (sipas burimeve zyrtare të tatimeve, pa llogaritur fshirjet nga falja fiskale). Në total detyrimi, përfshirë furnitorët, ujësjellës, energji dhe bankat e huaja arrin në 600 milionë euro, sipas vlerësimeve të mëparshme nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë. Këta kreditorë kanë zënë radhën në përmbarim për të marrë një copë nga pronat e ARMO-s.

Prapaskenat nuk mungojnë në skenarin e komplikuar të ARMO-s. Ato synojnë që të heqin qafe këta debitorë, teksa përmes shitjes së fundit të ARMO-s tek Allum Enterprises, asaj po i merren asetet (rafineria e naftës) dhe ARMO-s po i lihen të gjitha borxhet pa asnjë aset. Në këtë mënyrë, asetet po shkëputen përfundimisht nga ARMO, duke mos i dhënë mundësi debitorëve që të marrin pjesë në likuidimin e pasurisë.

Dhe akti i radhës rifillon aty ku mbeti. Kompania e re do të marrë asetet e ARMO-s në shfrytëzim, ndoshta dhe me bekimin e shtetit (kujtojmë se IRTC-në një vit më parë e mbështetën hapur ministri i financave dhe kryeministri) në emër të rifillimit të punës të 1200 punonjësve. Nëse rafineria do të fillojë të shfrytëzohet sërish do të rezultojë pa fitime (ekspertët e sektorit pohojnë se nafta vendase është shumë e rëndë dhe me kosto të larta për t’u përpunuar) dhe pronarët e rinj do të ankohen se nuk u del të paguajnë taksat. Qeveritarët do të thotë që ne nuk kemi punë, sepse kjo është kompani privati…

Vazhdimin e skenarit e kemi mësuar tashmë, me fundin, që do të jetë sërish i hidhur për punonjësit dhe taksapaguesit…monitor.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY