Klement Balili është sot në fokus të emisionit “Studio e Hapur” në “Neës24”. Përballë gazetares Eni Vasili, pjesë e emisionit është bërë Idajet Faskaj, drejtori për Hetimin e Narkotikeve në Drejtorinë e Përgjithshme në Policinë e Shtetit, i cili ka rrëfyer disa të pathëna rreth operacionit për kërkimin e të shumëkërkuarit Klemend Balili, i cilësuar nga mediat greke si ‘Eskobari i Ballkanit’.
Nga një studio paralele, Faskaj pohoi se kur Policia e Shtetit ‘zbarkoi’ në hotelin e shumëpërfolur të Balilit në Sarandë, pajisjet ishin zhdukur para se të bënin kontrolle.
Në studion e emisionit gazetarët e analistët Ilir Kulla, Artan Hoxha, Lorenc Vangjeli dhe Arjan Çani do përpiqen t’i japin përgjigje pyetjeve për Balilin dhe akuzave për lidhjet e tij me politikën.
Intervista
Eni Vasili: Zoti Faskaj, pse nuk është arrestuar deri më tani Klement Balili?
Idajet Faskaj: Para se të bëhej kjo pyetje, se pse nuk është arrestuar, doja të thoja disa gjëra më parë.
Vasili: Pse nuk u ekzekutua urdhri?
Faskaj: Në 17 maj ka mbërritur në Interpol Tirana kërkesa për kërkim ndërkombëtar të shtetasit Klement Balilit, për implikimin në trafik droge në shtetin greke. Në mbërritje të kërkesës iu përcoll Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë. Siç e përcakton dhe procedura dhe ekstradimi, ka një përjashtim kur bëhet fjalë për një shtetas shqiptar.
Vasili: Pse nuk u arrestua në momentin kur morët këtë urdhër?
Faskaj: Nuk mund të sqaroj pyetjen se pse nuk u arrestua, pasi duhet të flas për ekstradimin. Çështja penale ka nisur nga shteti grek. E kemi çuar materialin në Krimet e Rënda dhe pas ndërhyrjes së policisë greke, që ka arrestuar 15 persona, ka nisur dhe hetimi për Balilin. Balili ka qenë i implikuar në këtë çështje. Në momentin që kishim procedimin, nuk kishim materiale për këtë person. I kërkuam autoriteteve greke se çfarë materialesh kanë pasur për të.
Vasili: Balili ndodhet në Shqipëri apo jashtë saj?
Faskaj: Nuk e kemi informacionin se ku ndodhet shtetasi Klement Balili. Kemi bërë kërkime dhe kemi informacionet tona, po i përpunojmë.
Vasili: Ju nuk kemi asnjë informacion ku ndodhet?
Faskaj: Nuk e dimë se ku ndodhet, nëse do e dinim do e arrestonim.
Vasili: Pse nuk ka shpërblim për çështjen Balili?
Faskaj: Nuk ka të bëjë fare ky fakt, nëse të ofrohet shpërblim apo jo. Janë shumë persona të tjerë të shpallur në kërkim.
Vasili: Për Balilin po mblidhet Këshilli Kombëtar i Sigurisë….
Faskaj: Ka pasur dhe kërkesa të tjera ndërkombëtare, ku është kërkuar që të arrestohen shtetas shqiptarë. Janë ekstraduar apo janë gjykuar këtu.
Vasili: Ju po thoni se nuk ka nevojë për shpërblim, pasi po punoni ju?
Faskaj: Nuk ka lidhje fare kjo.
Vasili: A ka pasur dekonspirim?
Faskaj: Janë kryer disa operacione. Ka pasur momente ku kemi dyshimet tona se ka pasur rrjedhje informacioni. I janë çuar prokurorisë për t’u hetuar.
Vasili: A ka punonjës policie të dyshuar për këtë çështje?
Faskaj: Thashë edhe njëherë, se kemi dyshimet tona dhe po hetojmë.
Vasili: Fakti se Balili nuk është arrestuar, a është notë jo kaluese për Policinë e Shtetit?
Faskaj: Nuk do e konsideroja të tillë, pasi Policia e Shtetit ka kapur 111 persona të shpallur në kërkim për trafik droge. Klement Balili i është shmangur policisë. Ka dhe shumë persona të tjerë që janë në kërkim, që janë quajtur ‘baronë të drogës’. Por kjo nuk do të thotë se policia ka notë ngelëse.
Vasili: Ju po i vlerësoni akuzat e bëra nga ish-ministri Manjani?
Faskaj: Unë nuk e di se çfarë akuzash bëjnë qarqet politike. Politikanët mund t’i shikojnë me ngjyra, kurse policia nëse janë shkelës të ligjit apo jo.
Vasili: A keni dijeni për përgjime në hotelin e Balilit?
Faskaj: Ne nuk administrojmë hotelet e Balilit e se dimë çfarë kanë kamerat. Është bërë kontroll por nuk ka pasur pajisje të kamerave filmike.
Vasili: Pra ju nuk keni gjetur kamera, nuk kishte sistem sigurie?
Faskaj: Kamerat ishin por pajisja është hequr më para se të bënim kontrolle. Me sa duket i kanë marrë masat para se të shkonim ne.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/