Ekspertët zgjedhorë nuk kanë asnjë dyshim, se nëse Kolegji Zgjedhor ia pranon opozitës kërkesën për të çregjistruar kandidatët për deputetë, 18 qershori nuk do të jetë më dita e zgjedhjeve parlamentare dhe situata më pas do jetë e paprecedentë.
Por çfarë ndodh më pas, nëse ky vendim merret? Kur zhvillohen zgjedhje dhe kush e shpall datën e tyre? Këtu ekspertët, të gjithë ish-kryetarë të KQZ, me të cilët Top Channel u konsultua, ndahen.
Ata që afrojnë më shumë me njëri-tjetrin janë Çlirim Gjata dhe Kristaq Kume. Në kushtet kur Kodi Zgjedhor nuk ka parashikuar zgjedhje me datë të caktuar, por pa kandidatë, secili prej tyre sheh si skenarin më të mundshëm rishikimin e Kodit Zgjedhor.
Për këtë, ata sugjerojnë mbledhjen e Parlamentit për të miratuar një rregull të ri për caktimin e datës së zgjedhjeve. Kuvendin e sheh si zgjidhje edhe Ilirjan Celibashi.
Por, ndryshe nga të tjerët, ish-kryetari i KQZ-së është i mendimit se KQZ-ja ka hapësirë ligjore për ta caktuar vetë datën e zgjedhjeve.
Por që kjo të ndodhe duhet pritur konsumimi formal i procesit më 18 qershor dhe KQZ-ja, me shumicë të cilësuar, pra me pesë vota, të caktojë datën e zgjedhjeve jo më vonë se 4 javë pas shpalljes së pavlefshmërisë së procesit.
Por Arben Ristani i Partisë Demokratike ka një opsion tjetër. Nëse Kolegji vendos në favor të opozitës, ish-kryetari i KQZ-së mendon se është presidenti ai që e zgjidh situatën duke caktuar një datë tjetër për zgjedhjet.
Në çdo rast, secili prej opsioneve të çon në një skenar: rrëzimi ligjor i 18 qershorit i hap rrugën, ose më saktë lë vetëm një rrugë: që dy palët të detyrohen të ulen përballë njëra-tjetrës. Një rrugë që Partia Demokratike duket se e dëshiron.
“Kolegji Zgjedhor do të ballafaqohet së shpejti me kërkesën për të hedhur poshtë 18 Qershorin dhe listat e paligjshme. Duke i hedhur poshtë me ligjin e Republikës së vjetër do t’i japë një shans Republikës së vjetër ta përfundojë misionin e saj përmes konsensusit dhe negociatave”, deklaroi këtë të mërkurë kryetari i PD, Lulzim Basha.
Kjo rrugë do ta kthejë edhe PD në Kuvend, formalisht për të ndryshuar Kodin, por do të detyrojë edhe maxhorancën të mos mbajë zgjedhje në 18 qershor.
Të dyja palët tërhiqen nga pozicionet aktuale, por pa u akuzuar nga mbështetësit se po tradhtojnë kauzat e tyre. Dhe në fund, kur s’mbetet vlefshëm asnjë afat ligjor që lidhet me 18 Qershorin, t’u japë palëve edhe një shans për marrëveshje.
/ Top Channel
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/