DRAMA/Motra është me kancer por vëllai i mori shtëpinë deri sa të...

DRAMA/Motra është me kancer por vëllai i mori shtëpinë deri sa të shlyejë borxhin

197
0
Shares

Valentina Stefani nga Borshi ka sjellë në rubrikën “Shihemi në gjyq” në emisionin “E Diela Shqiptare”  vëllain e saj, Arqilenë, pasi ky i fundit i ka marrë çelësat e shtëpisë dhe nuk ia kthen derisa t’i shlyejë borxhin, duke e kërcënuar madje se do t’i marrë shtëpinë, e cila në fakt nuk është as e të motrës.

“Isha e martuar në Konispol, më vdiq burri, e shita shtëpinë në Konispol dhe isha pa shtëpi. Kam qenë në Greqi. Në Dhjetor të vitit 2009 unë operohem për herë të parë për kancer sepse kam patur edhe herë të dytë. Bëja kimitoterapinë, me paruke në kokë dhe kam ardhur në Sarandë se ndihesha më mirë. Më thotë djali të më ndihmonte të bëja një shtëpi e të qëndroja në Borsh. Bëj kërkesën në komunë se tokë në Borsh nuk kisha”.

 

Arqilea e ndërpret duke i kërkuar të thotë të vërtetën se kush e ka ndihmuar nga ana ekonomike si për operacionet që ka kryer, ashtu edhe për shtëpinë dhe ajo i përgjigjet: “Edhe ti vëlla më ndihmove nuk e mohoj, nuk e hedh poshtë”.

Ajo vazhdon të tregojë procedurën e ndërtimit të shtëpisë prej 200 metrash katrorë në tokë të shtetit, larg zonës së detit. Në  Mars të vitit 2010, Ylli Shehu pretendoi se kjo tokë është e tij, ndaj hapi çështje gjyqësore, por me vëllezërit e Valentinës.

“Do e dëgjoni historinë time, është një kalvar i gjatë 8 vjet. Luftova 2 herë me kancerin, në vitin 2013 u operova prapë. Luftoja me Gjykatën e Sarandës, me fëmijët në shtëpi kam probleme se dhe ata më thonë të ndaloj sepse nëqoftëse nuk ia dal dot unë mbanë ia dalin ata thonë. Si do ia dalin fëmijët? Do vejë gjakderdhje se fëmijët janë fëmijë, nuk e kanë guximin dhe durimin që kam patur unë”.  

Arqilea tregon se e motra i ka kërkuar ndihmë kur kishte nevojë për dy operacionet, si edhe për të ngritur një “kasolle” për të jetuar dhe pranon që e ka ndihmuar. Por ajo nuk i kishte thënë për gjyqin që kishte me Shehun dhe kjo gjë e ka acaruar Arqilenë, ndaj dhe janë zënë, i ka marrë çelësin e shtëpisë dhe nuk flasin prej 5 vitesh.

Valentina i thotë: “Çdo ditë po më vrasin gjykatat. 8 vjet, e kupton?”. I vëllai shprehet se kërkon vetëm paratë që ka dhënë për shtëpinë, jo ato që i ka përdorur për operacionet, duke thënë: “Dua lekët e shtëpisë ose i marr shtëpinë!”.

Ajo shton: “Nëqoftëse nuk më zgjidhet tani kjo çështje në Gjykatën e Sarandës, unë një rrugëzgjidhje kam, të vras veten! 8 vjet të dalësh nga spitali në orën 3, të marrësh autobusin e orës 7 që të vish të nesërmen që të bësh gjyq. Gjykata e Sarandës nuk do!”

Juristja Eni Çobani thotë se më 25.12.2010 komuna Lukovë e ka pajisur Valentina Stefanin me një leje ndërtimi, duke i dhënë të drejtën për të ndërtuar një objekt të përkohshëm, por në kundërshtim me këtë leje, ajo ka ndërtuar me tulla. Pasi Valentina nisi ndërtimin është shfaqurr Ylli Shehu, i cili ka pretenduar se është trashëgimtar i kësaj toke, duke mos e lejuar të vazhdonte punimet. Çobani shprehet se rezulton një çështje gjyqësore e hapur nga Ylli Shehu që më 20 Prill të vitit 2010, kur Valentina ende nuk e kishte marrë lejen. Më 30.06.2010, gjyqtarja Enkeleda Doda ka pezulluar këtë çështje, pasi paditësi pretendonte se ka patur një çështje tjetër paralel në këtë gjykatë.

Si është e mundur që kjo zonjë ka qenë e paditur në procesin e datës 30.06.2010, pra 6 muaj përpara? Kësaj pyetjeje përgjigjen nuk mund t’ia japim ne, do ta japin ato organe që do të merren me gjykimin e kësaj çështje. Valentina që këtu kemi një parregullsi proceduriale sepse ju keni hyrë në këtë proces pa marrë lejen e ndërtimit. Si jeni futur këtu? Kjo ngelet për t’u studiuar!”, u shpreh juristja  Eni Çobani.

E pyetur nga moderatori Ardit Gjebrea se përse ndërtoi me tulla, në kundërshtim me lejen e komunës, Valentina tha se e shtyn njerëzit, të cilët i thonin se të gjithë janë pa leje, ndërsa ajo që e ka dhe që e paguan tokën, do të ndërtojë më dërrasa.

Gjebrea iu përgjigj duke thënë: “Themi ky vend nuk bëhet, por nuk bëhet sepse jemi ne dhe nuk na ka faj vendi. Fajin e kemi vetëm ne! Gishtin ta kthejmë një herë nga vetja, pastaj nga shteti!”

Eni Çobani shprehet se Valentina ka gabuar, por gabimi më i madh ka ndodhur më 18.09.2007, kur tre gjyqtarë i kanë dhënë 6500 metra katrorë tokë në Borsh Ylli Shehut, duke saktësuar kufijtë e tij, pa asnjë palë kundërshtare, me mungesën e  Zyrës së Administrimit të Mbrojtjes së Tokës Delvinë, Zyrës së Administrimit të Mbrojtjes së Tokës Sarandë, Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Delvinë dhe Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Sarandë, me një akt – ekspertimi të rremë, e cila është vërtetuar nga Prokuroria Sarandë që është e falsifikuar. Ajo shton se Ylli Shehu nuk është bërë ende pronar i tokës, pasi Agjencia e Kthimit të Pronave nuk e ka bërë të tillë. Por Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka pezulluar gjykimin, duke lënë disa persona pa ndërtuar, pasi pretendohet se ai është pronar.

Komuna Lukovë ka paraqitur pranë gjykatës disa vërtetime që toka, e pretenduar nga Ylli Shehu si pronë e trashëguar, janë pronë e shtetit. Një problem tjetër shfaqet ne dokumentin e lëshuar nga Gjykata Sarandë më 18.09.2007, pasi ky proces gjyqësor ka patur 3 gjyqtarë, por vetëm një prej tyre ka firmosur vendimin.

Juristja Çobani thotë që Valentina ka bërë kallëzim penal për ekspertizën e rreme dhe prokurori e ka pushuar çështjen, pasi kanë kaluar 8 vite dhe është parashkruar vepra penale, por ai ka “harruar” që ky vendim vazhdon të qëndrojë në dosjen e Ylli Shehut në Agjencinë e Kthimit të Pronave në Tiranë, i cili vijon të presë pronësinë e kësaj toke.

“Kodi, të cilit ti (prokurori) i drejtohesh për të gjykuar çështjet, të thotë që duhet të shkosh deri në asgjesimin e këtij dokumenti, që të mos përdoret më në asnjë proces gjyqësor dhe para asnjë institucioni që merr vendimmarrje administrative për pronën!

Në bazë të nenit 300 të Kodit Penal, nëse të gjithë ne jemi vënë në dijeni të një akti të kryer në kundërshtim me ligjin, kemi detyrimin ligjor të shkojmë dhe të bëjmë kallëzim penal. Nëse ju nuk e bëni, dënoheni më gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. ”

Pas gjithë shpjegimit që u bë për këtë pronë, ku Valentinës i ka dhënë të drejtë komuna Lukovë të bëjë një objekt të përkohshëm, Arqilea vazhdon të kërkojë paratë që i ka dhënë për ta ndërtuar, përndryshe kërkon vetë pronën.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” , në këtë seancë ndërmjetësimi i ka dhënë të drejtë Valentinës, e cila nuk ka para për t’i shlyer borxhin vëllait dhe jo këtij të fundit që kërkon t’i marrë ndërtesën në këmbim.

 Arqilea – Çelësin nuk e jap, harroje atë punë! Ajo duhet të më kthejë ç’më detyrohet, veç atyre që i kam dhënë për dy operacionet që ka bërë se nuk i dua. Të më kthejë lekët e shtëpisë, unë i kam marrë çelësin, do t’i marr shtëpinë!

EÇobani – E ule pak detyrimin se unë e dija që doje dhe ato të operacioneve …

ArqileaTë më bëjë një proces, të më firmosë me ty zonja Eni, që i detyrohem kaq lekë.

E. Çobani – Po ti nuk na ke thënë sa lekë të detyrohet …

Arqilea – Ta thotë ajo. E di ajo sa i kam dhënë. Unë nuk e publikoj se …

E. Çobani – Z. Arqile, ju drejtohem edhe një herë, si motër tani kundrejt një vëllai të kuptojë …

ArqileaNuk bën vaki që ai çelës të jepet. Më vjen keq, por nuk bën vaki.

E. Çobani – Pra është e vetmja gjë, të cilën ju keni besim se duke mbajtur çelësin …

Arqilea – Po.

E. Çobani – Po zonja mund të bëjë edhe një çelës tjetër se s’është problem kjo.

Arqilea – Po mirë, le ta bëjë. Do bëj dhe unë tjetër.

A. GjebreaPo ku do rrijë zonja, jashtë?

Arqilea – As që më intereson fare. Ashtu i solli punët ajo dhe unë do t’i jap zgjidhje vetë.

Valentina – Nuk i solla unë vëlla, më detyruan …

A. Gjebrea – Po ç’faj ka ajo?

Arqilea – M’i jepni ju Ardit!

A. Gjebrea – Po ta kisha motër do ta kisha ndihmuar.

Juristja Çobani i thotë Arqileas që në momentin që pasuria do të vendoset në emrin e Valentinës, do të mund të bëjnë një marrëveshje. Por ai thotë se pa u bërë marrëveshja nuk do t’ia japë çelësin e shtëpisë, duke e mbyllur kështu këtë seancë ndërmjetësimi në rubrikën “Shihemi në gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare”./ tvklan.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY