FATBARDH KADILLI/ Vlera e protestës dhe halli i gomarit

FATBARDH KADILLI/ Vlera e protestës dhe halli i gomarit

182
0
Shares

Protesta e të shtunës sa ç’ishte e madhe dhe bindëse për opozitën aq pështjelluese ishte për ata, që nuk e dëshironin as të ndodhte dhe as të shkonte në atë mënyrë që shkoi. Ndër anekdotat apo fjalët e urta që qarkullojnë në këtë vend, që duhet thënë, prodhon më shumë fjalë të urta se veprime të urta, janë dy shumë të njohura, që personazh kanë gomarin.

Njëra është ajo pyetja e pakuptimtë “çfarë uji i ke dhënë gomarit”. Është pyetje e pakuptimtë sepse pyetësin nuk e kënaq asnjë përgjigje. Kjo më vjen në mendje kur dëgjoj komente që vijnë si nga analistë, ashtu edhe nga aktivistë, ndonjëherë edhe brenda opozitës. Disa të thonë se: protesta të tilla nuk kanë asnjë vlerë se këtu nuk jemi në perëndim, mundësisht si shembull merret Holanda, se Rama nuk pyet për protesta, etj. e të tje,rë.

Kur numri nuk është shumë i madh, merren me numrin e pjesëmarrësve. Kur numri është i madh mjaftueshëm, merren me frymën dhe fjalimet. Dhe, kur nuk merren dot as me këto, merren me rezultatin maksimalist, me të cilin nuk mund të matet asnjë protestë dhe asnjë aksion politik i vetëm. Dhe ky qëndrim nuk ndodh vetëm me protestën e fundit. Ky pozicionim “shik”, prej dikujt që ndihet i lumtur si një qytetar romak në shkallët e Koloseut dhe që i lejon vetes t’i japë leksione gladiatorit që ndeshet me egërsinë, ka ndodhur për shumicën e protestave.

Po të ndodhte që protesta të kishte më shumë tension apo më shumë muskul, edhe vandalizëm, nga të njëjtët folës do dëgjonim akuzën për opozitë destruktive, për opozitë shpellarësh, për opozitë të vjetruar, që s’e ka kuptuar ende që pushteti nuk merret me dhunë, etj., etj. Kur bën një protestë tërësisht paqësore dhe shpall vendimet dhe qëndrimet e tua, të thonë të kundërtën. Nuk ua gjen dot as me të ftohtë, as me të nxehtë, natyrisht as me të vakët. Opozita nuk duhet të merret me këta. Këtyre nuk ua gjen dot kurrë midenë. Opozita nuk ka nevojë t’u përgjigjet këtyre, por gomarit. Ka dhe një tjetër, edhe më interesante, me gomarin.

Thonë që i gjori gomar, tek e hante ujku, lutej ‘Zot bëma ëndërr”, apo në një tjetër version, “inshallah është ëndërr”. Këtë ta kujtojnë më zor, edhe po të mos duash, ata mbështetës të verbër apo servilë të maxhorancës, që rendën ta komentojnë protestën, si diçka të parëndësishme, si diçka të përsëritur, si diçka që nuk ndryshon asgjë. Çfarëdo që të bënte opozita dhe qytetarët në shesh, kjo do të ishte lutja e përditshme e tyre- “Zot, bëma ëndërr”.

Këta jo thjesht nuk duan ta besojnë atë që shikojnë, por bëjnë çdo përpjekje, që këtë të mos e shikojnë të tjerë, të mos e shikojnë qytetarët, që shpresojnë t’i manipulojnë ende. Këtyre nuk ua bëjmë dot ëndërr. Por, opozita nuk doli në protestë për të ndryshuar të pandryshueshmit. As këta që mundohen të zaptojnë çdo hapësirë publike pa pasur asnjë fije ndershmërie intelektuale dhe pa pasur asnjë fije realizmi, për atë çfarë ndodh në jetën tonë politike dhe shoqërore.

Opozita doli në shesh me objektiva të pastër politikë dhe i foli një tjetër audience. I foli një fashe shumë më të gjerë. Opozita i foli politikës, u foli qytetarëve, u foli partnerëve ndërkombëtarë. Dhe objektivat e saj politike i përcolli shumë qartë, shumë zëshëm dhe mbi të gjitha, e mbështetur nga protesta më e madhe, që ndonjëherë opozitat kanë bërë në këtë vend. Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë, apo nuk duan ta kuptojnë vlerën e madhe të kësaj proteste, është mirë, është e nevojshme që të thuhen disa të vërteta. Kjo vlen edhe për këdo ndër opozitarët, që të fiksuar pas objektivit maksimalist të largimit të kësaj qeverie, kërkojnë që kjo të zgjidhet me një veprim të vetëm, me një protestë të vetme.

PD u konfirmua si faktor përcaktues në jetën politike të vendit. Synimi i qartë i maxhorancës në farsën e zgjedhjeve të 25 qershorit dhe gjithçkaje para dhe pas saj, ishte zhbërja e opozitës. Shumë e parashikuan fundin e PD-së dhe të opozitës. Nuk qenë të paktë ata që u investuan për këtë synim, nga shumë drejtime. Nuk qenë të paktë ata që sollën dhe risollën në kujtesë se PD është e vetmja forcë antikomuniste në lindje, që është ende në jetë. Por, PD nuk u shpërbë, nuk u dobësua. Përkundrazi, plagët dhe sakrifica e çadrës e rikthyen edhe më të fortë, edhe më bindëse në kauzat e saja. PD dhe opozita u rikonfirmuan me këtë protestë madhështore, si alternativë e vetme politike e pushtetit.

Dhe jo thjesht një alternativë, që rrjedh prej simetrisë dhe balancimit natyror të forcave. PD rishpalli zëshëm kauzat e saj, që janë edhe vlerat që e dallojnë nga maxhoranca. PD shpalli se qëndron e palëkundur në luftën kundër kriminalizimit të politikës dhe kundër korrupsionit rrënimtar të kësaj qeverie. PD shpalli se është në anën e qytetarit. PD dhe protesta e saj dhe e opozitës dëshmuan se sot, ka një raport krejt të ri të forcave politike në vend. Protesta dëshmoi se ka një raport krejt të ri të qytetarit me politikën. Raporti i 25 qershorit nuk i përgjigjet aspak realitetit të sotëm politik.

Mjafton afera e Tahirit, mjafton arratia e kupolës së Policisë, mjafton kapja e një liste banditësh, dje fushatistë të PS-së, që të jetë e qartë për këdo. 27 janari dha një provë se ky realitet politik ka ndryshuar. Çdo faktor i brendshëm dhe i jashtëm, llogaritë, këtej e tutje, do t’i bëjë me këtë raport të ri, që e pa në këtë protestë. Ndaj, vlera e protestës është shumë më e madhe se numri i pjesëmarrësve në shesh. Vlera e protestës është shumë me domethënëse se çdo bëlbëritje e servilëve të tmerruar nga dinamikat rrenëse të maxhorancës dhe nga çdo fjali elegante e spektatorit “shik” dhe gjithnjë të pakënaqur.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY