“Nuk do harroj kurrë, edhe sikur të jetoja sa Zoti vetë…”

“Nuk do harroj kurrë, edhe sikur të jetoja sa Zoti vetë…”

306
0
Shares

“Nuk do ta harroj kurrë atë tym. Nuk do t’i harroj kurrë ato fytyra fëmijësh trupat e të cilëve i pashë të transformoheshin në tym nën një qiell të shurdhët. Nuk do t’i harroj ato flakë që digjnin përgjithmonë Feden tim. Nuk do harroj kurrë gjithë këtë edhe sikur të isha dënuar të jetoja sa Zoti vetë, kurrë!”

Hebrenj, sllavë, invalidë, romë: fëmijë të padëshirueshëm, viktima të Rajhut të Tretë numërohen të paktën 1 milionë e gjysëm. Shumë vdiqën në kampe shfarosëse dhe geto, ku uria dhe tifoja zhdukën mijëra njerëz. Kush mbijetoi si Elie Wiesel apo si Liliana Segre që kur u rritën dëshmuan tmerrin që kishin përjetuar. Kushtet e fëmijëve jo arianë në Gjermaninë naziste u bënë kritike në vitin 1933 kur Hitleri hipi në pushtet, por u përkeqësuan dy vite më vonë me shpalljen e ligjeve raciale (ligje të Nurembergut). Qëllimi ishte arianizimi i shoqërisë duke filluar pikërisht nga të vegjlit. Fëmijët “e papastër” u përjashtuan nga shkollat, aktivitetet sportive dhe nga ato krijuese të etiketuar si elemente të huaja në shoqëri. Në Gjermani ngjarjet precipituan me “natën e kristaleve” në vitin 1938 kur disa ditë dyqanet, sinagogat dhe shtëpitë e hebrenjve u shkatërruan në mënyrë shkencore dhe sistematike.

Në fillim invalidët

Me objektiv luftën situata u rëndua shumë. Fëmijët e parë që e paguan ishin ata invalidë (qoftë arianë ose jo) të eliminuar nga programi i eutanazisë Aktion T4, i planifikuar për të pastruar racën dhe që i kushtoi jetën 7000 fëmijëve “jo perfektë” dhe të prekur nga sëmundje gjenetike ose mendore. Ndërkohë, në Europë hebrenjtë vendoseshin në geto dhe më i famshmi është ai i Polonisë me 400 000 hebrenj nga të cilët 100 000 fëmijë të mbyllur në një sipërfaqe prej 3.4 km katrorë. Në çdo dhomë jetonin mesatarisht 7 persona. Në pak muaj filluan vdekjet nga kequshqyerja dhe tifoja. Në këtë ferr pati edhe histori humanizmi si ajo e profesor Korczak-ut, pedagog dhe mjek polak që në geton e Varshavës për dy vite drejtoi jetimoren me 2000 fëmijë. Pavarsisht kushteve të vështira u garantoi atyre një jetë dinjitoze dhe i shoqëroi deri në vdekje, kur në vitin 1942 u deportuan të gjithë në kampin shfarosës të Treblinkës.

Rasti Terezin

Anomalia e vetme në dukje, ishte rasti Terezin vetëm 60 km larg Pragës. Propaganda e konceptoi si një vend të rezervuar për hebrenjtë e famshëm saqë e prezantoi si model nazist banimi për hebrenjtë. U vendosën në këtë kamp artistë dhe intelektualë që patën një jetë kulturore që kishin mundësi shfrytëzimi të një biblioteke dhe që fëmijët mund të frekuentonin shkolla të drejtuara nga ata vetë me mësime të përditshme. Gati 15 000 fëmijë të Terezinit u bënë të famshëm për dëshmitë e tyre të gjetura pas lufte: poezi dhe vizatime që treguan jetën të parë nga sytë e fëmijëve 5 ose 6 vjeç. Pothuaj asnjë prej tyre nuk shpëtoi. 90% e fëmijëve nga viti 1942 e më tej përfundoi në kampet e përqendrimit.

Ferri

Me të mbërritur në kamp, fëmijët poshtë moshës 13 vjeçare që nuk mund të punonin vriteshin menjëherë në dhoma gazi. Ata që nuk vriteshin në dhomat e gazit përfundoinin si kavie për eksperimente pseudoshkencore dhe dërgoheshin në Auschwitz-Birkenau apo dhe në laboratore të tjera gjermane. Janë të shumta eksperimentet e doktor Mengeles që Auschwitz-i seleksionoi një grup fëmijësh rreth 3000, kryesisht binjakë , si kavie për studimet e tij, nga të cilët mbijetuan 200. Edhe disa fëmijë të Terezinit përfunduan në këto eksperimente.

Mrekullia e Buchenwald-it

Në kampin e përqendrimit të Buchenwald-it ndodhi një mrekulli. 904 fëmijë u shpëtuan falë solidaritetit të disa të burgosurve që i mbrojtën deri në fund të çlirimit. Me mbarimin e luftës fëmijët, viktima të Holokaustit, ishin një milionë e gjysëm, rreth një milionë nga këta ishin hebrenj. Të rralla ishin rastet që fëmijë hebrenj arrinin të arratiseshin nga fati i tyre tragjik, që strehoheshin apo që jetonin me identitet fals. Ata të vegjël që arritën të shpëtoheshin dëshmuan tmerrin e tyre personal dhe 5 prej tyre fituan çmimin Nobel.

Nga kampi në Nobel

Ky është rasti i fizikantit teoricien François Englert, Nobel për fizikën në vitin 2013, i mbijetuar në vitet e luftës me një identitet fals në një jetimore, kimisti dhe shkrimtari Roald Hoffmann, Nobel për kiminë në vitin 1981 që arriti të arratisej bashkë me të ëmën nga kampi i përqendrimit në vitin 1939, psikologu Daniel Kahneman, Nobel për ekonominë në vitin 2002 që jetoi klandestin deri në vitin 1945, shkrimtari Imre Kertész , Nobel për letërsinë në vitin 2002 që u deportua 15 vjeçar në Auschwitz e më pas në Buchenwald, ku i lirua në vitin 1945. Elie Wiesel, shkrimtar dhe fitues i Nobelit për paqen në vitin 1986 që në librin e tij “Nata” rrëfeu përvojën e tij të të mbijetuarit: “Nuk do ta harroj kurrë atë tym. Nuk do t’i harroj kurrë ato fytyra fëmijësh trupat e të cilëve i pashë të transformoheshin në tym nën një qiell të shurdhët. Nuk do t’i harroj ato flakë që digjnin përgjithmonë Feden tim. Nuk do harroj kurrë gjithë këtë edhe sikur të isha dënuar të jetoja sa Zoti vetë, kurrë!” / Burimi: “Focus” – F. Agastra / Bota.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY