Nëna e divorcuar tregon historinë e saj, “fshati po më mbyt…”

Nëna e divorcuar tregon historinë e saj, “fshati po më mbyt…”

240
0
Shares

Marsida, një nënë e re e divorcuar sjell historinë e saj prekëse në “Ka një mesazh për ty” tek “E diela shqiptare”. Ajo tregon rreth jetës së saj, martesës që i fali një djalë dhe situatave të vështira që kishte kaluar gjatë jetës martesore. Megjithëse tashmë ndihet e lumtur në shtëpinë e prindërve dhe me djalin, ajo kërkon të ndryshojë jetën e saj. Marsida ka ftuar në “Ka një mesazh për ty” të ëmën, e cila e ka mbështetur gjithnjë, jo vetëm për ta falënderuar por edhe për t’i kërkuar asaj diçka.

MarsidaJam Marsida, vij nga Sukthi. Jam e divorcuar prej 5 vitesh, kam një djalë 5 vjeç, jetoj me prindërit dhe me vëllain, kam edhe një motër që jeton në Itali. Arsyeja pse kam ardhur këtu, është për t’i përcjellë një mesazh mamit, por edhe për të treguar historinë time, sepse unë e kam historinë një çikë të dhimbshme. Unë kam qenë e martuar, kam ndenjur 1 vit e martuar dhe pas një viti linda djalin.

Ardit Gjebrea: Si u njohe me ish bashkëshortin tënd?

MarsidaMe ish bashkëshortin tim, me mblesëri. Sepse fakti që jeton në fshat nuk është se të jep shumë mundësi që të njohësh ose të dalësh. Unë isha 18 vjeç, sapo i kisha mbushur, dhe fakti që isha 18 vjeç i bën banorët që të flasin si ka mundësi që është 18 vjeç dhe akoma beqare. Nuk e konceptojnë faktin që mund të rrish pa u martuar për një kohë të gjatë deri në 22-23 vjeç.

Unë u fejova, gjërat shkonin mirë, por prapë nuk ndjehesha mirë me atë njeri, por e bëra për hatër të familjes edhe shikoja që nuk ndihesha e plotësuar me atë njeri, nuk është se qëndronte me mua, dilte…Familja e tij më thoshte çfarë të mungon, ti i ke të gjitha, por realisht mua më mungonte i biri i tyre, nuk ishte asnjëherë me mua kur e doja praninë e tij. Jetoja në shtëpinë e tij në Tiranë. Edhe kushtet ishin shumë të mira, çdo gjë ishte shumë mirë, më trajtonin si mbretëreshë, nuk më linin të prekja gjë me dorë, por prapë nuk ndihesha rehat sepse nuk kisha nevojë për gjëra materiale.

Ardit Gjebrea: Ty të mungonte bashkëshorti…

MarsidaPo, dhe kjo i bënte ata të mendonin se unë isha e llastuar dhe që doja të isha gjithë kohën në qendër të vëmendjes. Ndërkohë që burri im edhe kur vinte në shtëpi nuk rrinte me mua, më shmangte me pretekstin për të parë televizor dhe kur i kërkoja të dilnim më thoshte dil me shoqet e tua, nuk kam kohë, më lër rehat.

Më pas Marsida mes emocionesh tregon që kishte ngelur shtatzënë dhe depresionin që kishte vuajtur pas lindjes.

“Kuptoja që te unë po ndodhte diçka problematike. Kalova në depresion, nuk e doja fare djalin, se kisha krijuar përshtypjen se kam një fëmijë me dikë që nuk më do dhe rrjedhimisht nuk do të dojë as djalin e vet. Në momentin që mami vjen më nxjerr nga spitali, mjeku i thotë që vajza ka nevojë për një psikiatër. Por kur vjehrra ime e degjon këtë thotë jo, s’ka nevojë për psikiatër kjo, kjo bën vetë se është llastuar gjithë kohës. Ata si familje nuk e pranonin dot faktin që nusja e tyre kishte probleme”.

Pyetjes së Gjebreas nëse ata ju gjendën afër në këtë moment të vështirë, Marsida i përgjigjet: Jo, nuk e pranonin dot faktin që unë do të shtrohesha në spital apo do merrja mjekime nga një psikiatër. Dhe vjehrri im tha “sa të çmendet në shtëpinë tonë, më mirë të çmendet në shtëpinë e saj”. I kërkova mamasë menjëherë të më merrte në shtëpi, mami më mbështeti ndërkohë që babai ishte kundër faktit që unë të largohesha nga shtëpia e burrit dhe të shkoja te ata. Vjen tezja më shtron në spital, në psikiatri, këtu në Tiranë ku qëndroj një muaj.

Ardit Gjebrea: Si e përjetove momentin e shtrimit në spital?

MarsidaUnë nuk e përjetova keq, vërtetë kisha probleme, edhe po shkoja për t’u kuruar ndërkohë që mua më bëri shumë mirë. Aty u njoha me shumë raste të tjera të dhimbshme dhe kuptova që rasti im ishte shumë i vogël në krahasim me çfarë dëgjoja. Aty mora forcë, mendoja që njerëzit kanë probleme më të mëdha se sa unë edhe ia kanë dalë, kështu që edhe unë do t’ia dal. Dhe unë ia kam dalë, nuk e kam për turp të them që unë kam qenë e shtruar në psikiatri dhe mbase mund të shtrohem edhe më vonë përsëri, sepse nuk i dihet mund të përsëritet prapë si problem. Por falë mbështetjes së mamit dhe njerëzve të saj, unë u kurova.

Ardit Gjebrea: Ajo çfarë më bën përshtypje dhe nga këto që më tregove deri tani, është fakti që ti e thua dhe nuk e ke problem fare të pranosh këtë moment të vështirë depresioni në jetën tënde, kur shumica e fshehin dhe nuk e tregojnë as në rrethe të ngushta jo më publikisht. Ky është një rast për të cilin unë të falënderoj.

MarsidaUnë nuk ndihem keq, njeriu ka ardhur në jetë për të përballuar atë çfarë jeta i ofron. Kur unë kisha kaluar në depresion kishte raste që thoja “Zoti nuk ekziston për mua”, por pastaj kur filloja të reflektoja thoja “Zoti ka ekzistuar sepse më ka dhënë një engjëll që unë duhet të marr forcë dhe të eci përpara”.

Ardit Gjebrea: Çfarë marrëdhënie kanë sot babai i fëmijës me djalin?

MarsidaUnë i flas vazhdimisht djalit, i flas mirë. Gjykata ka vendosur që ai ta takojë një herë në javë, dy orë por te shtëpia ime. Por unë ia lë djalin, nuk e kam problem, se vjen xhaxhai i tij e merr.

Ardit Gjebrea: Tani pse na ke thirrur mamin sot këtu?

MarsidaFakti që rri në fshat më mbyt Ardit, më bën të kaloj prapë në depresion. Nuk duroj dot gjërat e mbyllura ngaqë jam tip që dua të lëviz gjithë kohës, dua të merrem me diçka.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç është djali?

MarsidaPesë..

Ardit Gjebrea: Mendon që ti duke jetuar vetëm mund t’ia dalësh edhe me djalin ?

Marsida: Mund t’ia dal Ardit sepse unë e kam forcën, mund t’bëj dy punë çfarëdolloj pune të jetë. Djalin mund ta lë në kopësht gjatë kohës që punoj. Do ta gjej një mënyrë. Edhe me mamin ka kohë që e kam biseduar. Babi është dakord ndërsa mami më thotë që nuk ia dal dot.

Mamaja e Marsidës, Shqipja erdhi me shumë kureshtje në studion e “E diela shqiptare” për të zbuluar se kush ia kishte bërë ftesën në rubrikën “Ka një mesazh për ty”.

Ardit Gjebrea: Ke menduar se kush mund të jetë?

Shqipe: Ndoshta fëmijët. Unë kam tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Kam edhe një nipçe, pesë vjeç.

Biseda vazhdon me humor kur Gjebrea i thotë se përtej murit ndarës është “krushqia”, ndërkohë që Shqipja buzëqesh dhe në ekran shfaqet vajza e saj Marsida.

“Doja të të thoja mama, që kam nevojë që vendimet e mia t’i marr vetë, kam nevojë të rri me djalin tim, t’i përkushtohem djalit tim sepse më duket se koha po kalon dhe unë s’po bëj asgjë për të. Ti e ke edukuar djalin tim, na ke rritur edhe neve në mënyrë perfekte. Por ka ardhur momenti që unë të jetoj vetëm me tim bir dhe dua t’i ofroj atij një jetë më të mirë”, tha Marsida në mesazhin e saj për të ëmën.

Shqipja u përgjigj se prindërit duam gjithmonë më të mirën për fëmijët, por se ka pasur frikë gjithmonë dhe nuk donte që Marsida të hedhë hapa të gabuar.

Megjithatë ajo tha se Marsida është e lirë të vendosë në jetën e saj, por do të donte që djali i vogël të jetonte me të. Përqafimi i tyre në fund , u shoqërua edhe me një kompromis duke vendosur që Marsida t’i japë më shumë kohë nënës së saj, në mënyrë që ajo të pranojë shkëputjen nga ajo dhe nga nipi 5 vjeçar./tvklan.al 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY