FITIM ZEKTHI/Rrezimi i Rames nuk eshte i veshtire sa duket

FITIM ZEKTHI/Rrezimi i Rames nuk eshte i veshtire sa duket

396
0
Shares

Kur sheh gjendjen e politikës shqiptare mendon se ajo që ka thënë Stalini, një nga totalitaristët më gjakësorë dhe perversë në historinë e njerëzimit, se “idetë janë më të fuqishme se armët, ne nuk do t’i lëmë armiqtë tanë të kenë ide”, vijon të zbatohet në forma të ngjashme edhe sot. Shumica qeverisëse prej gati pesë vitesh vijon të sulmojë pa ndalur opozitën si të korruptuar, që ka frikë nga Reforma në Drejtësi, të paaftë dhe përgjegjëse për të gjitha problematikat me të cilat përballet vendi.

Gjuha e shumicës është e njëjtë me gjuhën që ajo përdorte dikur në opozitë apo në fushatën e vitit 2013. Kjo luftë frontale ndaj opozitës duke e parë si të keqen më të madhe në vend e bën shumë të vështirë për opozitën që ajo të artikulojë ide apo të prodhojë mendim për fusha të ndryshme të qeverisjes dhe veprimit politik. Kjo bëhet shumë më e vështirë po të kemi parasysh se paralelisht me këtë gjuhë lufte të shumicës dhe të pjesës më të madhe të medias (që ndjek për arsye të vetat shumicën) qeveria zgjeron përditë pushtetin e saj duke arritur deri në mosmiratimin në mbrojtjen përmes komisionit të mandateve të ish-ministrave apo edhe emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe opozitës i duhet të gjejë mjete dhe mënyra të përballet. Pra, jemi në një situatë të vështirë pasi qeveria përpiqet përditë të gjejë mjete të uzurpojë pushtet në mënyrë që më pas të uzurpojë edhe më shumë (për të qenë e mbrojtur dhe për të sulmuar çdo kundërshtar apo për bërë të duket sikur ajo është demokratike dhe kundërshtarët të dalin nga rruga) ndërkohë që opozita duhet të gjejë mjete që të përballet me këtë prirje për të marrë nën kontroll institucionet, por pa u dukur “destruktive”.

Kjo gjë rrezikon ta mbajë vendin por edhe Partinë Demokratike në vend, ta ndalë kohën në ditën pas zgjedhjeve të 25 qershorit të vitit 2017, të mbajë gjallë luftën e brendshme ku gjithkush mund të gjejë lehtësisht fajtorë për gjendjen e keqe në të cilën ajo është apo për pafuqinë e saj për të ndalur pushtetin që rritet të qeverisë, abuzimin me të, korrupsionin etj.

Shenja të kësaj situate hasen në PD-në e sotme ose thënë më saktë në mesin e demokratëve. Ka luftë të brendshme, jo domosdo brenda institucioneve, që përdor si pretekst “opozitën e dobët” apo “pafuqinë e lidershipit”. Një çështje shihet nga një kënd i majtë dhe një tjetër nga një i djathtë, ka ide të majta që duket se futen për oportunizëm, ka njerëz që duan status quo-në për interes të vogël siç ka të tjerë që duan ta prishin po për këtë interes, ka instruktorë partie apo njerëz të mediave të komunizmit, ka të rinj që kanë vetëm ambicien pa ndonjë gjë tjetër të cilët mendojnë se një “marrëveshje e fshehtë natën e 18 majit” fundosi opozitën etj. etj. Gjendja megjithatë ka edhe shumë ngjyra të tjera.

Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha janë ndoshta të vetmit që në politikën e sotme shqiptare po artikulojnë ide për çështje të rëndësishme, si: ndarja e pushteteve, zgjedhjet e lira, ekonomia, demokracia, ligji, politika e jashtme etj. Shumica në qeveri ka pushuar së qeni një entitet që flet për ide apo diskuton mbi ide politike. Pa to njeriu kthehet në një qenie të pagjykueshme dhe të papërgjegjshme.

Është në natyrën e njeriut, të cilit fillimisht i lind mendimi, më pas organizmi i mendimit në ide dhe plane dhe më pas kthimi i këtyre planeve në realitet. Mënyrë tjetër nuk ka. Opozita e ka detyrim artikulimin e ideve.

Nga to kuptohet nëse ajo është serioze, nëse ajo synon të jetë e përgjegjshme dhe të mbajë përgjegjësi para njerëzve. Opozitat parimisht janë krijuar për të thënë të vërtetën duke qenë se qeveria synon gjithnjë nën peshën e pushtetit të korruptohet dhe të mos e dëshirojë të vërtetën. Që një opozitë të thotë të vërtetën ajo më së pari, duhet të jetë e vërtetë me veten e saj. Gjëja e parë që duhet të bëjë opozita, në rastin tonë, është se ajo duhet që idetë e saj të jenë qartësisht të djathta dhe ato të jenë në sinkron me njëra-tjetrën.

Partia Demokratike ka patur një ligjërim të qartë kundër krimeve të komunizmit, në mbrojtje të shtresës së të përndjekurve, ka denoncuar aktet e estetizimit të diktaturës, ka kritikuar ligjin për hapjen e dosjeve si një ligj që nuk i hap ato. Partia demokratike dënoi aktin e qeverisë për të mos dëmshpërblyer pasardhësit e burgjeve apo kampeve komuniste të punës apo përqendrimit. Basha dhe PD duhet të shprehet megjithatë se PD do të bëjë një ligj lustracioni, i cili ndonëse shumë vonë, vlen ende. Ai duhet të shprehet se ka njerëz që kanë patur role apo detyra të lidhura me organet e dhunës së komunizmit apo organet dhe organizatat e përndjekjes dhe propagandës së tij, nuk do të kenë detyra të rëndësishme shtetërore.

Në lidhje me ekonominë Basha ka folur për një taksë të sheshtë 9%, çka është diçka tipike e djathtë, ka folur për thjeshtim të sistemit të taksave, të dhënies së lejeve, për përkrahje të prodhimit. Pra propozime të djathta në atë që quhet ekonomia e anës së ofertës. Ekonomia duhet të vazhdojë të jetë një çështje pavarësisht se nuk jemi në fushatë. Gjithashtu, nuk ka pse diskursi mbi ekonominë të rrijë vetëm te denoncimi i abuzimeve. Asnjë betejë nuk fitohet pa ide. Edhe ato me ushtri kanë nevojë për ide. Që idetë të luajnë rol duhet që ato të besohen nga vetë ata që i artikulojnë. Ish-kryeministrja britanike Thatcher thoshte “mendimet tuaja bëhen veprimet tuaja. Veprimet tuaja bëhen zakonet tuaja. Zakonet tuaja bëhen karakteri juaj. Karakteri juaj bëhet fati yt”. Në të vërtetë këtu qëndron tërë thelbi. Në momentin që PD do të jetë një parti njerëzish me mendime të djathta që çojnë në veprime të djathta të cilat bëhen zakone të djathta… atëherë pa diskutim që fati do të jetë suksesi. Çfarëdo që të bëjë Rama dhe këdo që të ketë në anën e tij ai nuk mund të mbijetojë. Mbrojtësit e idesë së kontratës sociale mbi parimet e të cilës është ndërtuar demokracia thonë se kurrë një i fortë nuk është kurrë aq i fortë sa për të qenë gjithmonë i plotfuqishëm, në rast se nuk e shndërron fuqinë në të drejtë dhe bindjen ndaj tij në detyrë. Rama sado të duket i fortë ka në fakt atë lloj fuqie që vjen jo nga e drejta por e padrejta. Në këtë kuptim rrëzimi i Ramës nuk është aq i vështirë sa duket.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY