Një mesazh që pak ditë më parë postoi në rrjetet sociale Elona Agolli, vajza e Dritëroit shpjegoi për herë të parë gjendjen e rëndë shëndetësore të të atit.
Elona Agolli e bëri postimin më 23 janar ndërsa ndodhej në Londër, 10 ditë para se të Agolli të ndërronte jetë në Senatorium, ku edhe fillimisht refuzoi të shkonte.
Postimi i vajzës së Agollit:
Babushi im më ndje; e di që ti në këtë orë lufton me errësirën, pasi ti e urren atë. Ti pret dritën. Unë jam me pjellën time tani, në një botë krejt ndryshe nga e jona, në një botë ku konsumohet e gëzohet; e ndërsa ti, i përhumbur mendon sesi do të jetë ajo botë e përtejme, ku mbizotëron errësira, ajo çka vështirë për ty si ateist, të mendohet e bukur dhe shpresëdhënëse.
Ati im më ndje; unë jam me Luelin e duhet të jem e gëzuar në sytë e tij, paçka se zemra pikon lot, paçka se mendjen e kam tek ti. Të dua shumë ati im. Nëse do të mund të dhurohej jeta, unë do ta jepja për ty; nëse do të mund të transferohej gëzimi, unë do të bëja çmos të të lumturoja.
Sot të bleva një shishe bojë e një pompë për stilografin tënd. Siç ma dhe porosinë para se të nisesha. Kur të kthehem, do të t’i tregoj dhe e di që do kënaqesh. Do mbushësh penën tënde, që aq ka gërvishur letrën e aq vargje e radhë ka shkruar. Të dua shumë Ati im. Londër, 23 janar
Pas mesazhit që i përloti të gjithë, shkruar për babain e saj shkrimtarin e madh Dritëro Agolli, Elona ka sqaruar të vërtetën e atij postimi për GSH.
Elona Agolli sqaroi se statusi i saj në rrjetin social “Facebook” ishte veçse një çast dobësie, këto ditë që ajo është në Londër.
“Ishte vetëm një postim në një moment dobësie, pasi më merr malli më shumë kur jam larg, meqë kur jam në Shqipëri, shkoj çdo ditë e rri me të, lexojmë poezitë. Edhe në postim, unë nuk kam nënkuptuar që është i sëmurë. Sigurisht, e ndjej trishtimin, pasi në moshën që është babai, unë çdo ditë kur largohem nga ai ndjehem në faj”.
E pyetur se çfarë është errësira me të cilën lufton Drotëroi, e bija, Elona tha dje për “GSH” se, “ai natën e ka tmerr, thotë më ngjan si një buldozer që më shtyp. Por me ardhjen e agimit, babai qetësohet, siç edhe jam shprehur kur them ‘ti pret dritën’”.
Vajza e poetit, ndërsa ndodhet jashtë vendit për punë, thotë se “unë ngaqë di mendimet e përjetimet e babit kur bie muzgu e errësira, jetoj me mendimet e përjetimet e tij. Dhe kaq. Thjesht dashuri e qashtër bije, si çdo bije që do atin pa fund, njerëzisht e pafundësisht”.
Ajo shton se Dritëroi madje e ka porositur para se të udhëtonte për penë e bojë, pasi ai ende shkruan.
Madje edhe më herët, Elona ka shkruar: “Sa e sa poezi të shkruara për natën nga ati im! ‘Veçanërisht tani që nuk shkruaj si më parë, nata më ngjason me një buldozer që më afrohet për të më shtypur” – më përsëriste para dy netësh. ‘Ah sa inat e kam natën, tmerr e kam’ – thoshte. Si do shpëtoj dhe sonte nga kjo natë?!”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/