Zgjedhjet për KLGJ e KLP/ PD, letër Kuvendit: Kandidatët nuk plotësojnë kushtet

Zgjedhjet për KLGJ e KLP/ PD, letër Kuvendit: Kandidatët nuk plotësojnë kushtet

126
0
Shares

Partia Demokratatike i eshte drejtuar me nje leter kryetarit te Kuvendit, Gramoz Ruçit per parregullsitë në proçesin e përzgjedhjes së 5 anëtarëve jomagjistratë për KLGj dhe KLP. ​

Letra mban firmen e kryetarit te Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ne te cilen numerohen akuza se mazhoranca se po shkel Kushtetutën dhe synon kapjen e drejtësisë.

Sipas PD, janë pranuar si te kualifikuar kandidatë që janë skualifikuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

 LETRA E PLOTE 

Drejtuar:                  Zotit Gramoz Ruçi

Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë

Nënkomisionit Ad Hoc të Përzgjedhjes, pranë Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

Për dijeni:                 SH. T. Z Ilir Meta

President i Republikës së Shqipërisë

  1. Taulant Balla

Kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së

  1. Petrit Vasili

Kryetar i Grupit Parlamentar të LSI-së

  1. Fatmir Mediu

Kryetar i Grupit Parlamentar të PR-së

Në vëmendje:           SH. S. Znj. Genoveva Ruiz Calavera

Kryetare e Bordit Drejtues të ONM

SH. S. Znj. Romana Vlahutin

Shefe e Delegacionit të Bashkimit Europian, Tiranë

SH. T. Z. Donald Lu

Ambasador i SHBA, Tiranë

SH. T. Z. Bernd Borchardt

Drejtues i Prezencës së OSBE, Tiranë

                                   Të gjitha Ambasadave të vendeve anëtarë të BE-së në Tiranë

Z. Ruçi,

Mazhoranca juaj parlamentare, po shndërron zbatimin e ligjeve të Reformës në Drejtësi, në një mekanizëm konkret të kapjes dhe kontrollit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Në vijimësi po konstatohet se nga ana juaj po injorohen parashikimet kushtetuese të miratuara me konsensusin e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo po bëhet me qëllimin e vetëm të implementimit të një strategjie të qartë dhe të parapërgatitur nga ana juaj për kapjen politike të organeve të reja të drejtësisë.

Konkretisht, nga shqyrtimi i dokumentacionit të plotë për përzgjedhjen e anëtarëve jomagjistratë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), konstatojmë kryerjen e veprimeve aktive nga ana juaj, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, në disa aspekte si vijon:

Së pari, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka injoruar, në tejkalim flagrant të kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, vlerësimet e bëra nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), duke kualifikuar të paktën 3 kandidatë të skualifikuar nga ky organ kushtetues ndërkombëtare. Kualifikimi i kandidatëve të skualifikuar nga ONM nuk është kompetencë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, por e 4 anëtarëve të Nënkomisionit Ad Hoc të Përzgjedhjes (që ka 5 anëtarë gjithësej). Për pasojë lista që i është paraqitur për votim Komisionit të Ligjeve, përmban kandidatë që janë skualifikuar nga ONM. Ky veprim bie ndesh me pikat 5 dhe 6 të nenit 179 të Kushtetutës, si dhe nenet 286 dhe 287 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Së dyti, organet e arsimit të lartë, nën ndikimin e paligjshëm të mazhorancës, kanë kryer veprime në mashtrim të ligjit, duke kualifikuar të paktën 2 kandidatë që nuk përmbushin haptazi kriteret formale kushtetuese dhe ligjore. Në këtë mënyrë, ato kanë eleminuar konkurimin real për të përzgjedhur juristët më të mirë në përbërjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Këto veprime në mashtrim të ligjit, janë ratifikuar/pranuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Për pasojë, aktualisht numri i kandidaturave të vlefshme, është më pak se trefishi i numrit të vendeve vakante, duke eleminuar konkurimin, në kundërshtim kjo me nenet 53 dhe 151 të ligjit nr. 115/2016.

Së treti, janë kualifikuar kandidatë që nuk plotësojnë kriteret kushtetuese dhe ligjore; është injoruar vlerësimi i ONM se pjesa dërrmuese e kandidatëve kanë nivel mesatar apo nën mesatar; si dhe janë ndjekur praktika diskriminuese dhe jo të barabarta në trajtimin e kandidatëve nga strukturat e përfshira në procesin paraprak të vlerësimit.

Së katërti, nuk është bërë verifikimi i integritetit moral të kandidatëve nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, për shkak se ILDKPKI nuk ka bërë verifikimin e pasurisë së pjesës më të madhe të kandidatëve, duke deklaruar se ato nuk kanë qenë më parë subjekt deklarues dhe nuk disponon të dhëna.

Së pesti, procesi i kandidimit dhe veprimet e institucioneve të përfshira në procedurën e përzgjedhjes, nuk është koordinuar dhe mbikëqyrur nga një Komision i Pavarur, që duhet të kishte ngritur Kuvendi në zbatim të nenit 288 të ligjit nr. 115/2016. Veprimet e këtyre organeve, në kundërshtim me ligjin, janë koordinuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.

Këto veprime apo mosveprime, që përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjit, kanë impakt të drejtëpërdrejtë në pavarësinë e institucioneve të reja dhe kushtetutshmërinë e procesit të zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ dhe KLP. Këto shkelje përgjithësisht janë produkt i shkeljes së konsensusit të arritur me ndryshimet kushtetuese, pra provë sesi organet e vlerësimit paraprak të përfshira njëanshmërisht në ligj, kanë korruptuar politikisht dhe limituar thelbësisht konkurencën. Detajimi i plotë i shkeljeve si më sipër, paraqitet në Raportin bashkëlidhur kësaj shkrese, të anëtarëve të opozitës në Nënkomisionin Ad Hoc Përzgjedhës, pranë Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Është e qartë se KLP dhe KLGJ i duhen Qeverisë dhe Kryeministrit Rama për të kontrolluar jo vetëm çështjet penale në ngarkim të zyrtarëve të lartë të mazhorancës, por mbi të gjitha për të kontrolluar procesin e përzgjedhjes së SPAK, BKH apo Gjykatës Antikorrupsion. Kjo për shkak se paligjshmëritë e konstatuara në procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve jomagjistratë të KLGJ dhe KLP, janë vijim i paligjshmërive të denoncuara edhe më parë nga ana jonë. Të gjitha këto veprime provojnë vullnetin e mazhorancës për të kapur politikisht sistemin e drejtësisë. Kujtojmë këtu:

(i) ndërhyrjen e paligjshme në Dhjetor 2017 të Kryetarit të Kuvendit në përcaktimin e kritereve që duhet të ndiqnin organet e pavarura në hartimin e listave të kandidatëve për Këshillin e Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi (KPED);

(ii) bllokimin për një vit të veprimtarisë së KPED së zgjedhur në Janar 2017, duke mos e lejuar të vepronte për të vlerësuar kandidatët për Inspektor të Lartë të Drejtësisë apo për të plotësuar vakancat në Gjykatën Kushtetuese (që nga viti 2016 janë 3 vende vakante); si dhe

(iii) zgjedhja antikushtetuese dhe e njëanshme e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, pa shumicën e kërkuar nga Kushtetuta dhe pa vetting.

Ky zinxhir veprimesh të paligjshme po dëmton rëndë besimin e publikut tek Reforma në Drejtësi. Ritheksojmë se qëllimi kryesor i Reformës ishte rritja e besimit të pubikut tek drejtësia dhe çmontimi i kulturës së pandëshkueshmërisë në rradhët e zyrtarëve të lartë. Por, drejtësia e paligjshme nuk prodhon besim, por thellon mosbesimin.

Në funksion të rikthimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, qëndrimi i opozitës që pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese më 22 Korrik 2016, ka qenë vetëm kërkesa për respektimin e Kushtetutës dhe mungesa e plotë e ndërhyrjes politike në procesin e konstituimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Kjo është bërë me vullnetin tonë të plotë që t’i ofrojmë qytetarëve shqiptarë, organe të drejtësisë të pavarura nga politika, që janë në shërbim të interesit publik, dhe jo të rindërtimit të klimës së pandëshkueshmërisë nën një regjim të ri institucional! Mirëpo, për fakt të keq kemi konstatuar, gjithmonë edhe më shumë kohët e fundit, një përpjekje serioze nga ana juaj si mazhorancë, për të diktuar politikisht dhe në mënyrë të njëanshme dhe antikushtetuese, të gjithë procesin e ngritjes së organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Kjo është e papranueshme dhe po dëmton në mënyrë të pakthyeshme rezultatin e pritshëm dhe të dëshirueshëm të Reformës në Drejtësi.

Për pasojë, në mbështetje të dispozitave kushtetuese dhe ligjore në fuqi, kërkojmë nga ana juaj marrjen e masave të menjëhershme, për të rikthyer kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në zbatimin e Reformës në Drejtësi në tërësi, dhe në këtë proces përzgjedhës në veçanti. Këtij qëllimi i shërbejnë edhe amendamentet e paraqitur nga opozita në 15 Janar 2018, për zgjidhjen kushtetuese dhe ligjore, të situatës së paligjshmërisë së krijuar me Prokurorin e Përgjithshëm.

Me shpresën për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit nga ana juaj,

KRYETARI

EDMOND SPAHO

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY