Kryetari i Partisë Demokratike ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestën e 27 janarit për t’i dhënë vetes një shans që të zgjedhin të lirë një qeveri që punon për qytetarët dhe jep llogari para tyre. Basha tha se për shkak të aleancës së Edi Ramës me krimin, ai ka braktisur detyrimet ndaj shqiptarëve duke punuar vetëm për pasurimin dhe pushtetin e vet. Kreu i opozitës iu referua rastit flagrant kur një mësuese e sëmurë me kancer pohoi përballë Ramës atë që opozita ka denoncuar prej kohësh, mungesën e ilaçeve në spitalet publike.
“Nuk gjeti kurajon t’i thoshte se përse ka 400 milionë lek fond për makina luksi dhe s’ka lek për të blerë ilaçet e sëmurëve me kancer. Përse nuk paguhen 50 milionë Euro taksa, nga ARMO në një vit dhe nga ana tjetër u thotë 1200 kryefamiljarëve, 1200 naftëtarëve; “Dilni në asistencë sociale”. Është fare e thjeshtë. Nuk ndjen asnjë përgjegjësi për asnjë shqiptar. Kjo nuk është më qeveri. Kjo është një bandë”, tha Basha.
Për të treguar se paratë nga taksat e shqiptarëve nuk investohen në shëndetësi, arsim apo për të hapur vende pune, por për të pasuruar Edi Ramën, kreu i opozitës iu referua parave që paguhen në një vit për konçesionet apo i falen klientëve të ARMO-s nga taksat e papaguara.
“140 milionë, 90 do t’ua japë 3 vetave, 50 ia ka dhënë Besos dhe do ta ndajë ai me Beson. Edi Rama, 3 oligarkë dhe Beso. 5 veta, 140 milionë Euro”, tha Basha.
Lulzim Basha ftoi shqiptarët të marrin pjesë në protestën e 27 Janarit për t’i treguar pakicës qeverisëse se Aleanca e shumicës nuk pajtohet me krimin dhe se i do pushtetarët e korruptuar para drejtësisë së pakapur nga qeveria.
“Ne shkojmë atje më nje objektiv të qartë. Banditët në burg dhe jo në qeveri, sepse vendi nuk po qeveriset, por po sundohet nga një bandë. Le t’i themi rinisë së Beratit në rradhë të parë dhe çdo qytetari e çdo qytetareje të Beratit, se largimi nuk është alternativë, se alternativa e vetme dhe hapësira e vetme është hapësira e lirisë për t’u shprehur dhe për t’u dëgjuar më 27 janar”, u shpreh në Berat Kryetari i Partisë Demokratike.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/