Blerina kërcimtare në një lokal nate, rrëfen ferrin që ka kaluar nga...

Blerina kërcimtare në një lokal nate, rrëfen ferrin që ka kaluar nga bashkëshorti dhe braktisjen nga e ëma

181
0
Shares

Blerina ka ftuar të atin në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, për t’i kërkuar të lejë alkoolin,  ndërsa njerkën për t’i treguar mirënjohjen dhe respektin që ka për të.

Blerina rrëfen se fëmijëria e saj ka qenë shumë e vështirë, pasi sipas zakoneve, e kanë fejuar që në moshën 13 – vjeçare me dikë që nuk e njihte. Pas një viti i ati dëshironte që ta prishte fejesën me pretendimin se nuk ishte një familje e denjë për të bijën, por Blerina vendosi që të martohej me Adriatikun për shkak të opinionit të njerëzve në fshat. Ajo solli në jetë dy djem, por nisën problemet me bashkëshortin, i cili e mbylli në shtëpi dhe nuk e lejonte të dilte prej saj.

Në moshën 21 – vjeçare Adriatiku e dhunonte dhe më pas e trafikonte si prostitutë, duke e detyruar të shkonte me meshkuj për të fituar para. Blerina “punoi” për rreth 4 muaj, derisa një person e ndihmoi për ta denoncuar bashkëshortin. Ajo i la një vendtakim atij për t’i vërtetuar policisë gjendjen e saj, por Adriatiku e kuptoi dhe u largua. Pas 6 muajsh policia arriti ta arrestonte dhe e dënoi me 19 vite burg, por Blerina duke menduar për fëmijët e saj e fali dhe u kthye me të. Adriatiku vazhdoi ta dhunonte dhe prostituonte, ndaj ajo vendosi që të largohej dhe shkoi sëbashku me fëmijët tek e ëma.

“Gjykata i kishte lënë afat 10 ditë që ta çonte në Gjykatën e Apelit. Ai nuk e bëri këtë gjë dhe pas 10 ditësh e futën në burg, ku është akoma”.

Blerina tregon se u detyrua të punonte në një lokal nate për 3 vite si valltare për të fituar para që të mund të mbijetonte e të rriste djemtë e saj. Më pas u shpërngul në Kosovë, ku u njoh me një burrë, me të cilin solli në jetë një djalë.

Arditi – Po ai si të trajton ty?

Blerina – Edhe ai … si i thonë … Nga A-ja dola prapë tek A-ja.

Arditi – Pra, nga shiu në breshër? Edhe ai sillej keq me ty?

Blerina – Edhe ai sillej keq pasi linda djalin. Para një muaji, kur më dhunoi shumë keq, mora fëmijët dhe ika.

Arditi – Tani je më me atë?

Blerina – Jo.

Blerina rrëfehet se i ati i saj, Ganiu nisi të pinte shumë alkool kur mësoi se çfarë i kishte ndodhur të bijës nga bashkëshorti i parë, pasi e përjetoi shumë keq.

“I thoja çdo natë, edhe mbrëmë i thashë: ‘Ba, mos pi, rri i qetë sepse çdo problem unë e kam kaluar dhe unë do t’i kaloj. Ti mos e vrit mendjen sepse kur i kam kaluar disa gjëra edhe më të vështira në jetë, do t’i kaloj edhe këto!”

Ajo ka ftuar edhe njerkën e saj, Vjollcën në rubrikën “Ka një mesazh për ty” sepse ajo e ka mbështetur dhe e ka pranuar në shtëpi, ndryshe nga e ëma që e dëboi kur kishte më shumë nevojë për të. Ndaj Blerina premton se do ta respektojë sa të jetë gjallë.

“Nëna më dëboi nga shtëpia kur u ndava nga bashkëshorti sepse ishte nusja e djalit në shtëpi. Nëna tha: Nesër, pasnesër ti martohesh, ikën e sheh jetën tënde, unë prapë ngel me djalin. Më mirë ti ik nga shtëpia, unë mbaj djalin. Kam marrë dy fëmijët e vegjël dhe kam fjetur poshtë urës 2 ditë e 2 netë”.

Ganiu dhe Vjollca pranojnë ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vijnë në studion e “E Diela Shqiptare”. Ganiu është i sigurt që e ka ftuar e bija sepse e ka pikë të dobët.

Blerina – Babi, unë jam sot këtu vetëm për ty dhe Vjollcën. Ti për mua ke bërë gjithçka. Një kërkesë kam për ty, vetëm alkoolin mos ta përdorësh sepse ty po të shkatërron gjithçka. Kurse Vjollcës i them që e dua shumë dhe ka zëvendësuar vendin e nënës.

Ganiu – Unë të kam dashur dhe prapë të dua. Mos ki merak për …

Blerina – Unë asnjëherë nuk kam për t’ju lënë. Të flasë kush të dojë, le të flasin pas kurrizit, por unë jam kjo. Kur ta them fjalën që jam me ty, unë jam me ju dhe kam për të qenë sa të jem gjallë.

Ganiu – E di, kemi folur bashkë, nuk ka nevojë … dhe unë nuk kam për të …

Ganiu rrëfen se ka qenë ish – bashkëshortja dhe kunata e tij ato që kanë këmbëngulur për fejesën e Blerinës, kur ishte 13 vjeç.

Blerina shprehet se e do shumë të atin dhe njerkën dhe i përqafon, duke na treguar se dashuria e familjes të jep forcën për të përballuar gjithçka.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY