EMRI/ Gjykata dënon me 3 vjet burg mësuesin e matematikës – SMS...

EMRI/ Gjykata dënon me 3 vjet burg mësuesin e matematikës – SMS të turpshme dhe ngacmime fizike ndaj nxënëses minorene

153
0
Shares

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 3 vjet burgim mësuesin e matematikës të shkollës 9-vjeçare të Kasharit, Hasan Martani, i cili u arrestua në maj të vitit të kaluar, pasi kishte ngacmuar një nga nxënëset e tij të mitura. Ngjarja në atë kohë bëri bujë, ndërsa si provë shërbyen komunikimet në “Facebook” mes mësuesit të matematikës dhe nxënëses së mitur. Edhe pse ka kërkuar pafajësi në sallën e gjyqit, Gjykata e ka dënuar përfundimisht me 3 vjet burg, nga të cilat ai do të kryejë 2, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Sipas vendimit të Gjykatës, mësuesi Martani kishte që në janar 2017, që kishte nisur të ngacmonte vajzën e mitur.

Por vetëm në muajin maj, ajo u ka treguar prindërve dhe më pas është bërë kallëzimi në Polici. Martani është proceduar në “arrest shtëpiak”, për shkak të problemeve me shëndetin. Martani, madje, kishte njohje familjare me prindërit e vajzës së mitur, të cilët fillimisht kanë qenë skeptik për denoncimin, por më pas janë bindur kur kanë komunikuar me të përmes llogarisë në “Facebook” të vajzës. Kjo e fundit ka kaluar momente shumë të vështira gjatë gjithë kohës që ngacmohej nga mësuesi i saj kujdestar.

Dëshmia e vajzës

Dëshmia e së miturës ka qenë përcaktuese në këtë proces. E marrë në pyetje në prani të psikologëve, vajza ka shpjeguar se ndihej e shqetësuar dhe e trembur nga veprimet e mësuesit që në janar të vitit 2017. Ajo ka shpjeguar se të pandehurin e ka pasur mësues kujdestar dhe se ai i shkruante shpesh në “Facebook”.

Vajza ka treguar se mësuesi fillimisht, i ka kërkuar një fotografi të sajën me pretendimin se do të bënte një shkrim për nxënësit e dalluar. Edhe pse vajza ia dërgoi foton përmes “Facebook”, shkrimi nuk u bë kurrë. Më tej, mësuesi Martani i dërgonte teste të matematikës së miturës, me qëllim për ta joshur. Kulmi ka arritur pas orëve të mësimit, kur mësuesi i ka kërkuar vajzës të qëndrojë në kabinetin e informatikës në shkollë dhe më pas, e ka puthur me forcë.

Më tej, ai ka shkruar në “Facebook” të miturës, duke i kërkuar që të fshinte SMS-të që këmbenin dhe të mos u tregonte prindërve. Mësuesi arriti deri aty sa ta shantazhonte vajzën e mitur që të mos tregonte për ngjarjet, duke i vënë nota të ulëta në mësim. E ndodhur në gjendje të rëndë, vajza e mitur vendosi që t’i tregojë nënës së saj për gjithçka që kishte ndodhur me mësuesin. Nëna ka marrë situatën në dorë, duke vazhduar komunikimet me mësuesin përmes llogarisë në “Facebook” të vajzës, duke grumbulluar më shumë prova dhe më pas, ka bërë kallëzimin në Polici.

Në deklarimet e dhëna në fazën e hetimeve, Hasan Martani ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës, duke mospranuar asnjë deklarim të së miturës për veprime të natyrës seksuale. Të njëjtin qëndrim ai ka mbajtur edhe në Gjykatë, duke kërkuar vetëm pafajësi para trupit gjykues. I pandehuri ka deklaruar se vuante nga ishemia e zemrës dhe për këtë arsye, i rrezikohej jeta në paraburgim. Kjo u vërtetua edhe nga ekspertimi mjeko-ligjor. Megjithatë, në përfundim, ai u dënua me burg dhe dënimin e vuan në një burg të sigurisë së ulët.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY