Lulzim Basha: Nuk ka Shqipëri në Europë pa kokën e kupolës mafioze,...

Lulzim Basha: Nuk ka Shqipëri në Europë pa kokën e kupolës mafioze, Edi Rama

115
0
Shares

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u bëri apel shqiptarëve të marrin pjesë në protestën e 27 janarit për të dhënë mesazhin se janë kundër kapjes politike të drejtësisë nga Edi Rama. Në takimin me qytetarët e Kurbinit, Basha tha se drejtësia e vërtetë është motiv kryesor i protestës, por për sa kohë Edi Rama do të jetë në krye të qeverisë, ai do të mbrojë pushtetin e tij kriminal dhe të korruptuar duke penguar reformën e vërtetë në drejtësi dhe integrimin europian të vendit. “Nuk ka Shqipëri në Europë dhe nuk mund të ketë një Shqipëri në Europë, pa një drejtësi që nuk i mbron por i ndëshkon peshqit e mëdhenj të krimit dhe të korrupsionit, duke filluar me kokën e kupolës mafioze Edi Ramën dhe shpurën e tij të ministrave të korruptuar. Pa arrestimin e peshqve të mëdhenj të krimit dhe korrupsionit nuk ka Europë. Dhe se kjo parti ka lindur për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.

Basha tha se emërimi i një prokurori politik në kundërshtim me kushtetutën dhe pa Vetting është projekt i Edi Ramës për të mbrojtur Saimir Tahirin, me të cilin e bashkon pakti mafioz I heshtjes për ruajtjen e pushtetit. “I tmerruar nga drejtësia e pakapur politike, Edi Rama po bën gjithçka ta abortojë projektin e drejtësisë për shqiptarët. Kjo është një arsye kryesore dhe një nga arsyet më të mëdha përse do të mblidhemi më 27 janar në orën 12.00 të shtunën, për t’i thënë Edi Ramës, se Partia Demokratike, do drejtësi, se ne duam Sajmir Tahirin në burg, Vangjush Dakon në burg, Qazim Sejdinin në burg. Duam ministrat e tij të korruptuar përpara drejtësisë”, tha Basha.

Kreu i opozitës u kërkoi demokratëve të sqarojnë derë më derë shqiptarët se për shkak të Aleancës së Edi Ramës me krimin shqiptarët sot nuk zgjedhin dot një qeveri në shërbim të tyre, ata janë më të varfër, paguajnë më shumë taksa, po u përkeqësohet shërbimi shëndetësor dhe po bëhen eksperimente me arsimin e fëmijëve të tyre. “Ndaj objektivi politik i opozitës është i shprehur fare qartë. Largimi i Edi Ramës dhe i kësaj qeverie mafioze, është kusht i panegociueshëm i opozitës, objektiv kryesor i aksionit tonë opozitar, dhe i protestës së 27 janarit dhe i çdo aksioni tjetër qytetar që do të pasojë. Nuk ka qeveri të korruptuar në botë, në Europë dhe as në Shqipëri, t’i rezistojë pjesëmarrjes masive qytetare”, tha Basha.

Kreu i opozitës u shpreh se një qeveri antimafia do të garantojë zgjedhje legjitime, me parlament dhe qeveri legjitime, që nuk e blen pushtetin, por e përdor atë për zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e shqiptarëve. ​

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY