Qytetarët shqiptarë po tërheqin kursimet për të mbuluar shpenzimet e përditshme. Ekspertët deklarojnë se kjo konfirmohet nga rënia e depozitave gjatë vitit të fundit çka tregon se shqiptarët kanë shpenzime më të mëdha se fitimet mujore ndërsa ka munguar plotësisht rritja e pagave. Një tjetër arsye e tërheqjes së kursimeve mbeten edhe normat e ulëta të interesit të cilat pritet të mbeten të njëjta edhe në 6 muajt e parë të 2018. Rënia e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve ka detyruar qytetarët shqiptarët që të tërheqin kursimet nga bankat për të mbuluar nevojat për konsum.
Ekspertët e shohin me shqetësim këtë tendencë. Ardian Civici deklaron se kursimet po shihen si mundësi e vetme për të mbuluar shpenzimet të cilat janë rritur ndjeshëm në krahasim me të ardhurat.
“I janë drejtuar si mundësi e vetme depozitave që ata kanë dhe natyrisht kur depozitat e një vendi fillojnë dhe zvogëlohen në këtë këndvështrim të dytë, atëherë situata bëhet më shqetësuese sepse përtej shifrës dhe tregues të depozitave reflektohet dinamika e ekonomisë reflektohet niveli i të ardhurave dhe një reagim që ka popullsia”, thotë Civici.
Besart Kadia thotë se rritja e taksave dhe ngrirja e rritjes së pagave kanë bërë që shqiptarët të tërheqin kursimet. “Për shkak të mos rritjes së pagave për një kohë të gjatë dhe rritjes së taksave në mënyrë konstante ka bërë që diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve të qytetarëve të ngushtohet. Që bën që shumë prej tyre bën që të gërmojnë në depozitat që kanë”, sqaron Kadia.
Ulja e depozitave sipas ekspertëve është ndikuar edhe nga norma e ulët e interesit një tendencë që pritet të vijoj edhe për 6 muajt e parë të 2018. “Norma bazë e interesit do vazhdojë të mbetet në nivele të ulëta siç është sot”, shton Civici. “Ka shumë gjasa të mos ndryshojë normën e interesit minimalisht edhe 6 muajt e ardhshëm”, bën të ditur Kadia.
Sipas Bankës së Shqipërisë rënia e depozitave është ndikuar kryesisht nga individët të cilët vetëm gjatë vitit të fundit kanë tërhequr rreth 30 miliardë lekë. Ndërkohë depozitat e bizneseve janë rritur por përsëri në nivele minimale.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/